Kërko

Shenjtërorja e Zojës së Qumështit në St. Augustine, Florida Shenjtërorja e Zojës së Qumështit në St. Augustine, Florida

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtërorja e Zojës së Qumështit

Fillimisht e ndërtuar në vitin 1609 për nder të Zojës së La Leche (nga spanjishtja: qumësht) – dukje mariane tejet popullore ndër kolonët spanjollë të zonës – kisha është shenjtërorja më e vjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U lartua në statusin e shenjtërores kombëtare në vitin 2019 dhe mori kurorëzimin kanonik, në vitin 2021, nën papninë e Papës Françesku

R.SH. – Vatikan

Javën e kaluar filluam një cikël kushtuar shenjtëroreve mariane në botë. Pasi kaluam nëpër Amerikën e Jugut, në shenjtëroren e Zojës së Guadalupes, në Meksikë, me numrin më të madh të shtegtarëve nga i gjithë planeti, sot, do të zhvendosemi në Amerikën Veriore e pikërisht, në shenjtëroren e Zojës së Qumështit, në St. Augustine, Florida.

Pak histori

Fillimisht e ndërtuar në vitin 1609 për nder të Zojës së La Leche (nga spanjishtja: qumësht) – dukje mariane tejet popullore ndër kolonët spanjollë të zonës – kisha është shenjtërorja më e vjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U lartua në statusin e shenjtërores kombëtare në vitin 2019 dhe mori kurorëzimin kanonik, në vitin 2021, nën papninë e Papës Françesku.

Zoja e Qumështit, Cosimo Rosselli
Zoja e Qumështit, Cosimo Rosselli

Zoja e La Leche

Zoja e Qumështit është përkushtim i lashtë ndaj Virgjërës së Bekuar, që daton nga koha e Perandorisë Romake, kur të krishterët e pikturonin në muret e katakombeve Zojën, që i jepte të pijë gji Jezusit foshnjë. Në Ungjillin sipas Lukës (11,27), përmendet për herë të parë ky këndvështrim për amësinë e Marisë. Dikush i drejtohet Jezusit me fjalët: "Lum kraharori që të mbarti e gjinjtë që thithe!” Koncili i Efesit, në vitin 431, dekretoi amësinë e Marisë, Hyjlindëses, bartëse e Zotit. Edhe Klementi i Aleksandrisë flet për qumështin si simbol të Logos, ndërsa në Letrën e parë të Pjetrit ai shihet si ushqim shpirtëror.

Në shekullin VI u përhap një traditë, sipas së cilës, në një shpellë jo shumë larg Bazilikës së Lindjes në Betlehem, Virgjëra Shenjte derdhi disa pika qumështi në tokë, në nxitim e sipër për t’i dhënë gji Foshnjës, ndërsa po vinin ushtarët e Herodit. Guri ku ranë pikat u bë i bardhë. Ai vend është “Crypta lactea”, ose “Crypta lactationis”, në arabisht “Meharet Sitti Mariam”, që gjatë shekujve, tërhoqi e tërheq gra, të krishtera dhe myslimane, të cilat i kërkojnë Virgjërës mbrojtje gjatë lindjes dhe qumësht të bollshëm për fëmijët e tyre.

Kjo histori u soll në Evropë nga kryqtarët, së bashku me reliket e Tokës Shenjte, ndër të cilat edhe shishe të vogla me qumështin e shenjtë, quajtur “qumësht i hënës”, ose “qumësht i malit”. Këto relike mbërritn edhe në Spanjë, ku u rrit përkushtimi ndaj Zojës së Qumështit, veçanërisht në Madrid, në fund të shekullit të 16-të dhe përfundimisht mori rrugën e tij drejt Botës së Re me anë të kolonëve spanjollë.

Filippino Lippi, Zoja me Foshnjën Hyjnore,1466-1469, Firenze, Palazzo Medici Riccardi
Filippino Lippi, Zoja me Foshnjën Hyjnore,1466-1469, Firenze, Palazzo Medici Riccardi

Devocioni për Zojën e Qumështit në Florida

Devocionin për Zojën e Qumështit e sollën në Florida pikërisht spanjollët, të cilët mbërritën në veri të vendit më 1565, nën komandën e Pedro Menéndez de Avilés e me atin e tyre shpirtëror, françeskanin Francisco López de Mendoza Grajales. Át Grajalez kremtoi meshën e parë në atë tokë, që më vonë do të bëhej SHBA. Edhe misioni i themeluar prej tij, Nombre de Dios, ishte i pari katolik. Kolonët sollën me vete përkushtimin spanjoll për Nuestra Señora de La Leche y Buen Parto ("Zoja e Qumështit dhe e Lindjes së mirë të fëmijëve"). Emri vjen nga fugurja e Virgjërës Mari që i jep të pijë gji Foshnjës Hyjnore, prandaj, i referohet "la leche", siç quhet në spanjisht qumështi.

El Greco, Familja Shenjte e Shën Ana, 1595, Hospital de Tavera, Toledo
El Greco, Familja Shenjte e Shën Ana, 1595, Hospital de Tavera, Toledo

Ndërtimi i shenjtërores

 Shenjtërorja u ndërtua në vitin 1609 në misionin, i cili ndodhej në Floridën spanjolle. Qendra e saj është shtatorja e Zojës së La Leche. Shenjtërorja origjinale u shkatërrua në vitin 1728 nga pushtuesit britanikë, që erdhën nga veriu, por u rindërtua më 1875. Kisha u ngrit në statusin e shenjtërores kombëtare nga Konferenca Ipeshkvnore e SHBA-së, në vitin 2019 e Zoja do të kurorëzohej kanonikisht në tetor 2020, sipas dekretit të miratuar nga Papa Françesku. Pandemia e COVID-19 shkaktoi shtyrjen e kurorëzimit më 10 tetor 2021.

Leonardo da Vinci, Giovanni Antonio Boltraffio, Madonna Litta,  1490
Leonardo da Vinci, Giovanni Antonio Boltraffio, Madonna Litta, 1490

Rëndësia e shenjtërores

Si vendi më i vjetër i kultit katolik në Amerikë, shenjtërorja ka rëndësi historike dhe është vend tejet popullor shtegtimi, sidomos për gratë shtatzënë. Zoja e Qumështit është fugurja e gjashtë e kurorëzuar në SHBA. Në kontinentin amerikan, shenjtëroret me më shumë shtegtarë, pas asaj të Guadalupes, janë shenjtërorja braziliane e Zojës së Aparecida-s, ajo e Virgen del Socavón në Bolivi, shenjtërorja e Zojës së Luján-it në Argjentinë, shenjtërorja e Zojës së Papërlyer dhe ajo e Zemrës së Papërlyer të Marisë, që njihet si shenjtërorja Blue Army, në Uashington.

25 korrik 2024, 09:38