Kërko

2023.07.22 Croazia Incontri Teologici Mediterraneo Rijeka gruppo organizzatore 2023.07.22 Croazia Incontri Teologici Mediterraneo Rijeka gruppo organizzatore

Dialogu dhe vëllazërimi, fillojnë Takimet Teologjike Mesdhetare në Rjekë

Filloi në Kroaci edicioni i tretë i manifestimit me temë "Krishterimi dhe Islami: në shërbim të vëllazërimit në një botë të ndarë", organizuar nga kryedioqeza e Rjekës. Për herë të parë marrin pjesë teologë dhe pedagogë të rinj myslimanë. Më 16 korrik, motër Becquart, zv.sekretare e Sinodit të Ipeshkvijve, flet mbi "Sinodalitetin, ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar"

R.SH. – Vatikan

Tema e dialogut me Islamin për ndërtimin e një bote vëllazërore, në qendër të edicionit të tretë të Takimeve Teologjike të Mesdheut në Rjekë, që filluan dje, më 14 korrik, në shtëpinë Domus Laurana, në Lovran, bregdeti kroat i Adriatikut. Ndër 38 studentët dhe doktorantët e teologjisë, të pranishëm deri më 20 korrik, për herë të parë, edhe nëntë myslimanë. Ndërsa, nga pesë pedagogët, njëri është teologu mysliman Benjamin Idriz, imam i Penzbergut në Gjermani. Pesëmbëdhjetë, studentët ortodoksë; tetë, katolikët dhe gjashtë, protestantët, kryesisht nga Kroacia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, por edhe nga Greqia, Franca, Austria dhe Gjermania.

Urimi i imzot Uziniç dhe mesazhi i Abdelsalam

Sot, paradite (15 korrik), përshëndeti pjesëmarrësit kryeipeshkvi i Rjekës, imzot Mate Uziniç, organizator i Takimeve me temë "Krishterimi dhe Islami: në shërbim të vëllazërimit në një botë të ndarë". U lexua edhe një mesazh i gjykatësit Mohamed Abdelsalam, sekretar i përgjithshëm i Çmimit Zayed për Vëllazërimin Njerëzor dhe dëshmitar i dialogut që, më 4 shkurt 2019, çoi në nënshkrimin historik të Dokumentit mbi Vëllazërimin Njerëzor, në Abu Dabi, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb. Çdo paradite, nga e marta deri të premten, do të mbahet një leksion nga pesë pedagogët, të cilët pasdite do të thellojnë aspekte të ndryshme të temës me studentët, duke koordinuar grupet e punës.

Të martën, takimi publik me motrën Becquart të Sinodit të Ipeshkvijve

Gjatë javës do të mbahen dy takime publike. I pari, mbrëmjen e së martës, 16 korrik, me motrën Nathalie Becquart, zv.sekretare e Sinodit të Ipeshkvijve, e cila do të flasë mbi "Sinodalitetin, ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar". Murgesha ka një përvojë shumëvjeçare në dialogun kristiano-mysliman në Francë, veçanërisht me të rinjtë. I dyti, mbrëmjen e së mërkurës, 17 korrik, me debatin e pesë pedagogëve mbi temën e Takimeve Teologjike Mesdhetare, në një tryezë të rrumbullakët në sallën e konferencave të kryedioqezës së Rjekës.

Imzot Uziniç: dy fe, që mund të punojnë për vëllazërimin

Në një intervistë për faqen boshnjake të internetit “Polis.ba”, kryeipeshkvi Mate Uziniç nënvizon se dialogu i të krishterëve me myslimanët, veçanërisht në nivelin teologjik, mund t'i ndihmojë dy bashkësitë e besimtarëve "të mos jenë shkak për përçarje, por të vihen në shërbim të vëllazërimit”. Me temën e këtij edicioni të tretë të Takimeve, shpjegon imzot Uziniç, “duam t'i inkurajojmë studentët e teologjisë të Rajonit tonë, mbi të cilin rëndojnë përçarje dhe urrejtje, të gjejnë bashkëbisedues tek njëri-tjetri. E të fillojnë ndërtimin e një bote më të mirë, pa ndarje, edhe në Ballkan”.

Jo kufij, por ura, dialogu nuk është kurrë rrezik

Takimet si ai i Lovranit, sipas kryeipeshkvit të Rjekës, mund t'u përçojnë të krishterëve dhe myslimanëve mesazhin "se dialogu me anëtarët e bashkësive të tjera fetare nuk është rrezik, se duke folur me të tjerët nuk heqim dorë nga vetvetja, se kjo nuk është sinkretizëm fetar, por se ky dialog, i cili na ndihmon të njohim të tjerët, na inkurajon të jemi edhe më të mirë, më të vërtetë”. Pa të, nënvizon imzot Uziniç, “të tjerët bëhen kërcënim, na trembin, kthehen në armiq. Rezultati është mbyllja dhe, tepër shpesh, fundamentalizmi fetar”. Kufijtë dhe barrierat, që ngremë ndërmjet nesh, përfundon ai, “nuk na shpëtojnë dhe nuk mund të na shpëtojnë, por këtë mund ta bëjnë vetëm urat. Dialogu është një nga këto ura”.

 

 

15 korrik 2024, 11:21