Kërko

 Dom Simon Jubani Dom Simon Jubani

Dom Simon Jubani, në përvjetorin e kalimit në Amshim

Më 12 korrik 2011 ndërroi jetë dom Simon Jubani, meshtari që sfidoi regjimin ateist të komunizmit në Shqipëri dhe me kremtim të Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrëmajit të Shkodrës, më 4 nëntor 1990, sanksionoi fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri

R.SH. - Vatikan

Si sot, më 12 korrik 2011 ndërroi jetë dom Simon Jubani, meshtari e protagonisi i pranverës së lirisë dhe demokracisë, që sfidoi regjimin ateist të komunizmit në Shqipëri me kremtimin e Meshës së Shenjtë ndër varreza të Rrëmajit të Shkodrës, më 4 nëntor 1990, duke sanksionuar fundin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Dom Simon Jubani, meshtari “rebel” i 4 nëntorit të Meshës së parë, është dëshmi se forca e shpirtit e mposht shpirtin e forcës, dhe drita e shpirtit e mposht errësirën e trupit.

Dom Simon Jubani u lind në Shkodër, më 5 mars të vitit 1927. Në moshën 16-vjeçare filloi Shkollën Apostolike të jezuitëve. Pas mbylljes së shkollave katolike, në mars të vitit 1946 kaloi në Gjimnazin e Shtetit. Më vonë u transferua në Tiranë, ku kreu një kurs radio-rontgen. Pasi punoi për pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, u mobilizua në ushtri. Në krye të tri viteve u kthye në Shkodër, ku iu paraqit Imzot Ernest Çobës dhe iu lut ta shuguronte meshtar.

Në vitin 1957 u Shugurua Meshtarë dhe u dërgua në Mirditë si famullitar, ku dhe u arrestua. Bëri 26 vjet burg. U lirua më 13 prill 1989 bashkë me klerikë të tjerë.

Më 4 nëntor 1990 kremtoi të parën Meshë publike, në kapelën e djegur të varrezave të Rrëmajit, në prani të 200-300 besimtarëve. Më datë 11 të po atij muaji, gjithnjë në kapelën e Rrëmajit, kremtoi dhe Meshën e dytë publike.

Ndërroi jetë më 12 korrik të vitit 2011, në qytetin e Shkodrës dhe u varros me shumë nderime të veçanta në Kapelen e vorrezave të Rrmajit nga të gjithë krerët e komuniteteve fetare, nga autoritetet më të larta civile dhe besimtarët e shumtë.

Meshtari shkodran dom Simon Jubani qe ndërgjegjja e Kishës katolike dhe e shoqërisë shqiptare pas rënies së regjimit komunist. Është një nga njerëzit e meshtarët katolikë shqiptarë që ka vuajtur tërë jetën në burgjet komuniste duke u qëndruar besnikërisht e heroikisht torturave të tmerrshme, të ushtruara nga regjimi komunist ndaj të gjithë atyre njerëzve e qytetarëve që nuk mohonin vlerat shpirtërore, kulturore dhe identitetin kombëtar as para dënimeve, persekutimeve e vrasjeve.

Kështu mund të pohojmë se pikërisht kremtimi i Meshës së parë, që kur regjimi komunist ateist e ndaloi lirinë fetare, ushtrimin e kremtimin e riteve liturgjike dhe mbylli Tempujt e Zotit në Shqipëri, kremtuar nga dom Simon Jubani më 4 nëntor 1990, në varreza të Rrmajit, qe shprehje e asaj fuqie shpirtërore Hyjnore dhe njerëzore që diktatura komuniste nuk arriti kurrë ta çrrënjoste nga zemra e nga shpirti i shqiptarëve besimtarë.

Kështu, dom Simon Jubani u bë nismëtar i rihapjes së Kishave dhe i Xhamive në Shqipëri, kur regjimi komunist ende nuk ishte rrëzuar. Kleri e Kisha katolike edhe një herë u bënë shkëndijë që ndezi e i dha hov fitores së lirisë dhe fuqi e rivendosjes së demokracisë në Shqipëri. Sot, pra, e kujtojmë ditën e kalimit në amshim të dom Simon Jubanit, njërit ndër protagonistët e pranverës së lirisë e të demokracisë së Shqipërisë, pas dimrit të egër të diktaturës komuniste.

Nga arkivi i redaksisë shqipe të Radio Vatikanit, propozojmë një reflektim të dom Simon Jubanit mbi fuqinë e lutjes ndër kampe të përqendrimit dhe një analizë të shoqërisë shqiptare në periudhën pas diktaturës, ta dëgjojmë:

Dom Simon Jubanit për Radio Vatikanit
12 korrik 2024, 14:35