Kërko

South Korea WYD Seoul launch conference, 2024.07.29 South Korea WYD Seoul launch conference, 2024.07.29

Drejt DBR-së 2027: takimi inaugurues me mbi një mijë të rinj në Seul

Qyteti i Koresë së Jugut, i cili pas tre vitesh do të presë Ditën Botërore të Rinisë 2027, pardje nisi zyrtarisht përgatitjet për këtë ngjarje. Kryeipeshkvi Chung: "Të rinjtë duhet të jenë protagonistë të historisë së tyre"

R.SH. – Vatikan

Gati 200 flamuj - 193 për të qenë të saktë - për të paraqitur, si në një pazël, shkrimin DBR-së 2027, më saktë World Youth Day, Dita Botërore e Rinisë (DBR-së 2027). Kështu u përurua pardje, të dielën më 28 korrik, në Katedralen Myeongdong, në Korenë e Jugut, udhëtimi i gjatë drejt DBR-së së ardhshme që do të organizohet në vendin aziatik pas tre vjetësh. Ceremonia, e përqendruar në temën "Shpresa ndizet në Seul", u ndoq nga më shumë se një mijë të rinj, disa edhe nga Koreja e Veriut, dhe përfaqësues të shumtë të Kishës dhe autoriteteve, duke përfshirë Kryeipeshkvin Imzot Giovanni Gaspari, Nunc Apostolik në Kore dhe Mongoli; Gleison De Paula Souza, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën; përfaqësues diplomatik të tetë vendeve; Yong Ho-sung, zëvendësministër i Kulturës, Sporteve dhe Turizmit të Koresë së Jugut; 19 anëtarë të Asamblesë Kombëtare dhe 9 anëtarë të Këshillit të Qytetit të Seulit. Të pranishëm ishin edhe persona me aftësi të kufizuara dhe pjesëtarë të forcave të armatosura, që simbolizojnë unitetin dhe përfshirjen.

Momentet e ndryshme të ceremonisë

Takimi u përshkua nga disa momente: hyrja solemne e flamurtarëve, krijimi i pazël-ës dhe leximi i një deklarate që hapin zyrtarisht përgatitjet për Ditën Botërore të Rinisë 2027. Gjithashtu pati hapësirë edhe ​për analizën e dimensionit ekonomik të Ditës 2027 që do të mundësojë krijimin e mbi 24.000 vendeve të punës. Më pas, pasoi kremtimi një Meshe solemne, kryesuar nga kryeipeshkvi i qytetit, Imzot Peter Soon-taick Chung, dhe bashkëkremtuar nga kardinali Andrew Soo-jung Yeom, metropolit nderi i së njëjtës dioqezë, së bashku me ipeshkvin ndihmës, imzot Job Yobi Koo, koordinatori i përgjithshëm i komitetit organizativ të DBR-së 2027, Imzot Paul Kyung Sang Lee, dhe ipeshkvi i dioqezës ushtarake të vendit, Imzot Titus Sang-bum Seo.

Hapësirë dhe shpresë për të gjithë

Në predikimin e tij, Kryeipeshkvi Chung shprehu shpresën se Kisha mund t'u ofrojë të rinjve të sotëm "një skenë në të cilën ata mund të dalin si protagonistë të historisë së tyre". “Jam i sigurt – shtoi ai – se kjo fazë do të jetë një mundësi dhe një hapësirë shprese për të gjithë”. Nga ky këndvështrim, përfundoi kryeipeshkvi i Seulit, DBR-së 2027 përfaqëson "një mundësi të jashtëzakonshme për të rinjtë nga e gjithë bota për të reflektuar mbi jetën e tyre persona dhe për angazhimin në realitetin e përditshëm. Është thelbësore t’i bashkojmë zemrat tona, të lutemi së bashku dhe të shqyrtojmë shtegun që na tregon Shpirti Shenjt ndërsa përgatitemi seriozisht për këtë udhëtim”

Besimi dhe dashuria e Papës

Për të simbolizuar unitetin e DBR-së 2027, ndjetët e lutjeve të besimtarëve gjatë Meshës u shqiptuan në gjuhë të ndryshme nga të rinj nga vende të ndryshme, ndërsa në fund të kremtimit Eukaristik, Nunci Apostolik imzot Gaspari kujtoi se Papa "ju shikon juve, të rinj të Koresë, me besim dhe dashuri të madhe. Ai di dhe vlerëson kontributin thelbësor që ju mund të jepni në DBR-së 2027 dhe ju shoqëron me lutjet e tij".

Frymëzoni ndryshimin

Nga ana e tij, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, Gleison De Paula Souza u fokusua në vlerën e Seulit, "një qytet i ndërgjegjshëm për historinë dhe kulturën e pasur të Koresë". “Është një qytet që mishëron frymën e inovacionit dhe shpresës – tha De Paula Souza –, vlera thelbësore të misionit tonë. Për të gjithë të rinjtë e pranishëm dhe për ata që nuk arritën të bashkoheshin me ne, shpresoj sinqerisht që ky rrugëtim të jetë një moment zbulimi, rritjeje dhe gëzimi për ju. Mund të ktheheni në shtëpitë tuaja të frymëzuar dhe të motivuar për të bërë ndryshime në komunitetet tuaja dhe në mbarë botën. Le të na përflakën edhe zemrat tona teksa presim këtë përvojë të mrekullueshme që do të na çojë në vitin 2027."

Një shenjë e universalitetit të Kishës

E shpallur nga Papa Françesku më 6 gusht 2023 - sipas traditës në fund të edicionit të mëparshëm të mbledhjes botërore të të rinjve të mbajtur në Lisbonë, Portugali - DBR-së 2027 në Seul do të jetë e 42-ta në historinë e takimit të të rinjve, konceptuar nga Shën Gjon Pali II. Pothuajse tridhjetë vjet pas DBR-së në Filipine, që daton në vitin 1995, Dita Botërore e Rinisë do të kthehet në një vend aziatik. Në këtë mënyrë, Papa Françesku tha vitin e kaluar, “në vitin 2027, nga kufiri perëndimor i Evropës ne do të kalojmë në Lindjen e Largët. Kjo është një shenjë e bukur e universalitetit të Kishës dhe e ëndrrës së unitetit të së cilës ju të gjithë jeni dëshmitarë”.

Fazat e tre viteve të ardhshme

Fazat e udhëtimit gjatë tre viteve të ardhshme të DBR-së 2027 do të shënohen nga përhapja e motos së kësaj ngjarje, e cila do të zbulohet në shtator, dhe shpërndarja e simboleve të takimit rinor - Kryqi prej druri dhe kopja e ikonës së Zojës Mari Salus Populi Romani - për të rinjtë e Seulit. Rasti do të jetë kremtimi dioqezan i Ditës, i cili do të mbahet më 24 nëntor, në solemnitetin e Krishtit Mbret. Ndërsa në vitin 2025, në kuadër të Vitit të Shenjtë të shpallur nga Papa Françesku, do të mbahet Jubileu i Rinisë, në program nga 28 korriku deri më 3 gusht.

 

30 korrik 2024, 12:40