Fjala e Zotit e dielës së 17-të gjatë vitit “B”
R. SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të lexojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të Fjalës së Zotit të Dielës së 17-të gjatë vitit kishtar të ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik. Për arsye të shkurtësisë së Ungjillit të Markut, me këtë të diele nis leximi i “Fjalimit mbi bukën e jetës” të cilin e gjejmë në kreun e 6 të Ungjillit të Gjonit (Gjn 6, 1-15). Është një katekizëm mbi Eukaristinë, që do të na shoqërojë deri të Dielën 31 gjatë vitit liturgjik, ciklit të dytë.
Fjala e Zotit e dielës së 17-të “B”
Në mrekullinë e shumëzimit të bukëve të Jezusit, për çka flet pjesa e Ungjillit të kësaj së diele ga Gjoni, kemi një shembull të qartë e domethënës të përdëllimit të Zotit ndaj njerëzve, një thirrje që na drejtohet të gjithëve që të mendojmë ndaj shumë vëllezërve e motrave që vuajnë në mënyrë dramatike pasojat e thatësirës dhe të urisë.
Pjesa e Ungjillit e kësaj së diele flet për shumëzimin e bukëve nga Jezusi dhe nënvizoi se kjo ‘mrekulli’ ka qendrën në ‘ndarjen e përbashkët vëllazërore të atyre pak bukëve’ që turma kishte, të cilat, iu besuan fuqisë së Krishtit Zot, e kështu ato jo vetëm që mjaftuan për të gjithë, po madje tepruan, deri në mbushjen e dymbëdhjetë shportave. Jezu Krishtin jo vetëm që e e ushqen turmën e uritur, por me këtë gjest Ai nuk na jep recetën e nevojshme për të shuar urinë e popujve të botës. Me këtë gjest Jezusi nuk e zgjidh as dramën e urisë, që vijon në rrjedhë shekujsh, por na kujton se është e ndaluar të rrimë duarkryq, të shikojmë me sy indiferent, njeriun që vuan.
Krishti është i vëmendshëm përballë nevojave materiale të njeriut, por dëshiron të na dhurojë diçka më shumë, sepse njeriu ka gjithnjë uri për diçka më shumë, ka nevojë për diçka më tepër. Në bukën e Krishtit është e pranishme dashuria e Hyjit, në takimin me Të, mund të themi se ushqehemi me Hyjin e gjallë, hamë me të vërtetë ‘bukën që zbret nga qielli.
Jezusi Zot i nxiti nxënësit t’ua shpërndanin bukën turmës së uritur të popullit. Në këtë mënyrë i mësoi dhe i përgatiti për misionin e tyre të ardhshëm apostolik. Vërtet ata duhet t’u çojnë të gjithë njerëzve ushqimin e Fjalës së jetës dhe të Sakramenteve. Në këtë shenjë të mrekullueshme gërshetohet mishërimi i Hyjit dhe vepra e shëlbimit. Në bukën e Krishtit është e pranishme dashurie e Zotit. Prandaj Kisha na fton ta hapim zemrën ndaj nevojave të të afërmit dhe të jemi plot përdëllim dhe bujari vëllazërore.
Liturgjia e Fjalës
Leximi i parë 2 Mbr 4, 42-44
Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
Në ato ditë, erdhi tek Elizeu një njeri prej Baalsalisës dhe i solli njeriut të Hyjit bukë të fryteve të para: njëzet bukë elbi dhe grurë të ri në duqet e veta. Elizeu i tha shërbëtorit të vet: “Ndaju njerëzve të hanë!” Shërbëtori iu përgjigj: “Si t’ua vë para këto njëqind njerëzve?” Por ai i tha sërish: “Jepi popullit të hajë! Sepse kështu thotë Zoti: ‘Do të hanë dhe do t’u teprojë’!” Ua shtroi, pra, dhe ata hëngrën dhe u teproi sipas fjalës së Zotit. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin !
Psalmi 145
Hape dorën tënde, o Zot,
dhe ngije çdo gjallesë
Le të lavdërojnë, o Zot,
të gjitha veprat e tua,
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd.
Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty:
ti u jep ushqim në kohën e duhur.
Ti e hap dorën tënde,
dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.
I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta,
dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.
Zoti është afër të gjithë atyre
që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.
Leximi dytë Ef 4,1-6
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm – sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes suaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Aleluja. Aleluja.
Profet i madh u duk ndër ne! Hyji e pa popullin e vet!
Aleluja. Aleluja.
Ungjilli Gjn 6, 1-15
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë Jezusi kaloi në anën tjetër të detit të Galilesë, që quhet edhe i Tiberiadit. E ndiqte një shumicë e madhe, sepse shihnin mrekullitë që bënte në të sëmurë. Jezusi u ngjit në një kodër, ku u ul të rrijë bashkë me nxënësit e vet. Ishin afër Pashkët, e kremtja e judenjve. Jezusi çoi sytë dhe pa një shumicë të madhe njerëzish që po vinte tek ai e i tha Filipit: “Ku do të blejmë bukë që të hanë këta njerëz?” Foli kështu për ta sprovuar, sepse ai vetë e dinte se çka kishte në mend të bënte. “As dyqind denarë bukë – i përgjigji Filipi – nuk do të dilnin mjaft për t’i dhënë secilit nga një grimë.” I tha njëri nga nxënësit, Andreu, i vëllai i Simon Pjetrit: “Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?” Jezusi u tha: “Thoniu njerëzve të ulen.” Në atë vend kishte shumë bar. U ulën, pra, rreth pesë mijë burra. Jezusi mori bukët, u falënderua dhe ua dha atyre që ishin ulur. Po ashtu edhe prej peshqish – aq sa deshën. E kur u nginë, u tha nxënësve të vet: “Mblidhni tepricat që të mos tresë asgjë.” I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa që u tepruan atyre që hëngrën prej pesë bukëve elbi. Njerëzit, kur panë mrekullinë që bëri Jezusi, thanë: “Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.” Kur Jezusi hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq përsëri në mal, krejtësisht vetëm. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga dom Dritan Ndoci:
E DIELA XVII GJATË VITIT:JEZUSI SHUMËZON BUKËT E PESHQIT DHE TËHIQET I VETËM NË MAL.
(2 Mbr 4, 42-44; Ps 145 (144); Ef 4, 1-6; Gjn 6, 1-15)
Në Ungjillin e sotëm, kemi dëgjuar të na shpallet mrekullia e shumëzimit të bukëve, mrekulli e cila patjetër ishte ndër më të bujshmet në të gjithë veprimtarinë publike të Jezusit. Kjo tregohet edhe nga fakti se kjo mrekulli është ndër të paktat mrekulli që tregohen nga të katër ungjijtë dhe nga secili tregohet pothuajse me të njëjtat detaje.
Përshtypja që kishte lënë në popull kjo mrekulli, varej patjetër nga fakti se aty ishin të pranishëm shumë njerëz. Ungjilli i sotëm flet për «pesëmijë burra» e ungjijtë e tjerë saktësojnë «pa llogaritur gratë e fëmijët». S’kishte nevojë të kalohej gojë më gojë kjo histori, sepse shumëkush kishte qenë i pranishëm vetë.
Në kujtesën e bashkësisë e krishterë pastaj, freskia e një mrekullie të tillë vinte edhe nga fakti se «buka» ishte edhe ushqimi të cilin Jezusi vetë e kishte zgjedhur për ta shndërruar në Trupin e Tij. Natyrisht kjo mrekulli nuk ishte e ngjashme me Darkën e Fundit të Jezusit, sepse aty do të flitet për «bukë dhe verë» e jo për «bukë dhe peshq». Këto bukë nuk ishin të shndërruara në Trupin e Tij sikurse në Darkën e Fundit, por patjetër që kjo mrekulli ishte edhe një përgatitje për themelimin e Eukaristisë. Prandaj gjestet e Jezusit këtu janë të ngjashme me ato që Ai bëri në Darkën e Fundit: «Jezusi mori bukët, u falënderua dhe ua dha atyre që ishin ulur.»
Mrekullia e sotme e Jezusit paraprihet nga leximi i parë që flet për një mrekulli të ngjashme në Besëlidhjen e Vjetër, të bërë nga Hyji nëpërmjet profetit Elize, një profet vërtet i famshëm për Izraelin. Por të pranishmit, të ngopur nga Elizeu, ishin vetëm njëqind veta, ndërsa në mrekullinë e Jezusit ishin shumë herë më shumë.
Habinë që krijon kjo mrekulli, e shpreh mirë edhe fjala që thonë njerëzit e pranishëm: «Ky është përnjëmend Profeti që duhet të vijë në botë.» Të flitet për «Profetin» e dëgjojmë shpesh në ungjij. Kjo sepse Moisiu, pak para se të vdiste, i kishte thënë popullit të Izraelit: «Profet siç jam unë, do të zgjojë Zoti, Hyji yt, në popullin tënd, prej vëllezërve të tu: atë dëgjoje!» (Lp 18, 15) E, kështu, në Izrael, sa herë që dilte ndonjë figurë që shihej se ishte e mbështetur nga Hyji, mendohej menjëherë për këtë «Profet» të paralajmëruar.
Se Jezusi mund të ishte «Profeti i ngjashëm me Moisiun», përforcohej nga fakti se kjo mrekulli e shumimit të bukëve dhe peshqve, i ngjante mrekullisë së manës që Hyji e dërgonte në shkreti për popullin e udhëhequr nga Moisiu.
Kështu e kuptojmë se përse entuziazmi i turmës është i arsyeshëm dhe i papërmbajtshëm. Gëzohen se Hyji përsëri e vizitoi popullin e vet dhe, të shtyrë nga kjo hare, duan ta shpallin Jezusin për mbret të tyrin. Thotë Ungjilli: «Jezusi e hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret». Duke qenë të sigurtë se Jezusi ishte një person i dërguar nga Hyji, dolën në përfundimin se Hyji tani dëshironte të na lirojë Izraelin nga pushtuesit. Duke e bërë Jezusin mbret kishin bindjen se do të ishin të sigurtë e të lumtur.
Jezusi e di se njerëzit pothuajse gjithmonë dalin ngutshëm në përfundime të tilla: «T’i rrimë afër Zotit, sepse kemi leverdi!» Prandaj «u tërhoq në mal, krejtësisht vetëm».
Por këtij detaji do t’i kthehemi përsëri pak më poshtë. Ndërkaq le t’i kthehemi edhe një herë mrekullisë.
Ungjilli thotë se nxënësit kishin në dispozicion vetëm «pesë bukë elbi e dy peshq të vegjël». Por çfarë ishin ata për gjithë ata njerëz? Megjithatë Jezusi u jep urdhër që t’i thonë turmës të ulen. Pasi Jezusi falënderon Atin e Vet dhe i bekon ato pak bukë e peshq, e gjithë ajo turmë e pamasë ngopet mrekullisht prej tyre.
Është interesante se si Jezusi nuk e ngopi turmën nga asgjëja, por u shërbye me atë pak që i dhuroi dikush. Jezusi ka nevojë për atë «pak» që kemi, që të mund të fillojë të veprojë. Shën Augustini shkruante: «Zoti që të ka krijuar pa lejen tënde, nuk mundet të të shëlbojë pa lejen tënde.» Kështu, kur ia ofrojmë Jezusit atë «pak» që kemi në varfërinë e qenies sonë (e ne kemi gjithnjë «shumë pak»), atëherë është e sigurt se do të jetë në gjendje të ngopë turma të tëra.
Jezusi në fund i porosit nxënësit: «Mblidhni tepricat, që të mos tresë asgjë!» Po, sepse ushqimi është dhuratë e Hyjit e nuk duhet nëpërkëmbur.
Por, sikurse e thamë më sipër, përveç këtyre detajeve që e shoqëruan mrekullinë, ishte vetë mrekullia ajo që i bënte njerëzit më fort të mendonin. Turma e kuptoi se kjo mrekulli ishte e ngjashme me manën në shkreti dhe prandaj menjëherë u bind se Jezusi është «Profeti që duhet të vijë në botë».
Por pikërisht këtu Jezusi bën diçka që ata nuk e prisnin. Thotë Ungjilli: «Kur Jezusi e hetoi se duan të vijnë e ta kapin për ta bërë mbret, u tërhoq në mal, krejtësisht vetëm.» Jezusi kishte qëndruar me ta për të mirën e tyre dhe mrekullinë e kishte bërë pikërisht për të mirën e tyre. Por tani, që e keqkuptuan këtë mrekulli, i duhet që, po për të mirën e tyre, të tërhiqet.
Sa bukur: Jezusi është në mesin e turmave, por ruan brenda vetes një shkëputje të brendshme të shpirtit. Nuk është i lidhur pas turmës, por pas Atit të Vet. Në këtë mënyrë Jezusi e mëson Kishën e vet që, nëse shkon tek turmat, të shkojë vetëm për t’u dëftuar atyre fytyrën e Atit qiellor dhe, nëse largohet prej tyre, le të largohet po për të njëjtat arsye.
Duhet që sovranitetin brenda nesh ta ketë Hyji e fjala e Tij. Shën Pali sot në letrën e tij drejtuar Efesianëve thotë: «Vëllezër, ju përbej unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht, si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri!»
Përvujtëria, butësia e duresa që i porosit Shën Pali, nuk janë komplekse që na kërkohet t’i kultivojmë brenda nesh si të ishin një lloj poshtërimi i vetes, por janë shenja të një lirie të brendshme të cilën e fitojmë kur shkëputemi nga vetvetja e nga të tjerët dhe rrënjosemi në Hyjin.
Mbase tek disa të krishterë, vështirësia e një shkëputjeje të tillë shpirtërore nga turmat e ka burimin tek një fakt shumë shqetësues: te fakti se disa të vërteta të besimit tonë (siç janë prania e padukshme Hyjit Trini, misteret e mëdha të mishërimit, jetës, mundimeve, vdekjes e ngjalljes së Jezu Krishtit, prania e shenjtërve të Tij, prania e engjëjve rojtarë dhe shpresa për lumturinë e pasosur) u dukën si ide abstrakte e jo reale.
Këtyre të “krishterë” është mirë t’u kujtohet se ka pasur e vazhdon të ketë njerëz që u janë përkushtuar krejtësisht këtyre “ideve abstrakte”. Mjafton të mendojmë për murgjërit e për murgeshat e klauzurës, të cilët jetën e tyre e kanë “vënë bast” vetëm mbi këto realitete. Ata, me forcë, na mësojnë se këto realitete, të cilat feja na i zbulon, janë «më reale se vetë realiteti që ne mund të perceptojmë» – siç thoshte Shën Gjoni i Kryqit. Jo më kot edhe Jezusi u tërhoq në mal «krejtësisht vetëm», sepse donte të përqendrohej vetëm te këto realitete të shenjta.
Sa e bukur kjo pjesë ungjillore: nga njëra anë, na paraqet pushtetin Hyjnor të Jezusit që është në gjendje të shumëzojë mrekullisht pak bukë e pak peshq, duke i shuar urinë gjithë asaj turme, dhe, nga ana tjetër, na paraqet se, falë po këtij pushteti Hyjnor që ka, Ai është i lirë në shpirt nga turmat dhe përqendrohet krejtësisht vetëm në Atin e Tij.
Kështu edhe Kisha, Trupi Mistik i Krishtit, nëse bashkohet gjithnjë e më fort me Mësuesin e Vet Hyjnor, do të jetë edhe ajo gjithnjë e pajisur me Hirin e nevojshëm që të mund t’ua shuajë urinë turmave dhe, njëkohësisht, të jetë e përqendruar vetëm në Hyjin e Vet.
Dom Dritan Ndoci