Kishat e Amerikës Latine: teologjia, kujdesi baritor dhe ligji kanunor së bashku
R.SH. / Vatikan
Nga Amerika Latine vijnë propozime të rëndësishme për "përtëritjen e kishave lokale në këndvështrim sinodal", në funksion të Sinodit, tetorin e ardhshëm. Ky ishte edhe titulli i kongresit, që u mbajt nga 24 deri më 27 qershor në Bogota, në selinë e Këshillit Ipeshkvnor të Amerikës Latine (Celam), që e organizoi nismën, në të cilën morën pjesë rreth njëzet teologë, baritorë dhe kanonistë (jo vetëm nga kontinenti, por edhe evropianë e amerikano-verior), si dhe vetë presidenca e Celamit. Kontinenti i Amerikës Latine e mban veten, siç ndodhi që në vitin 2021 me rastin e Asamblesë Kishtare Kontinentale, si "pararendës" në përpjekjen për të gjetur mënyra që e bëjnë të dukshme Kishën "sinodale".
Zgjedhjet bazë, që udhëhoqën promotorët e kongresit, janë sidomos dy: ajo e bashkimit të teologjisë, kujdesit baritor dhe të drejtës kanonike, vënia në qarkullim e teorisë dhe e praktikës, intuitave dhe aspekteve të mundshme normative. E edhe ajo e vënies së Kishave lokale në qendër, parë si vend i privilegjuar dhe, në disa raste, parashikues për të bërë të dukshme Kishën "popullin e Zotit", të përshkruar nga Koncili i Dytë i Vatikanit.
U diskutuan konkretisht tri çështje: këshillat baritore dioqezane; ripërtëritja e teologjisë së shërbesës apostolike; procedurat për zgjedhjen dhe emërimin e ipeshkvijve. Sipas Atë Pedro Brassesco, zëvendëssekretar i Celam, intervistuar nga Adn-Celam, ka tema që "po marrin gradualisht formë: nevoja për të marrë bashkëpërgjegjësinë e të gjithë të pagëzuarve në proceset baritore të Kishës, pjesëmarrja e grave dhe të rinjve në detyrat dhe fushat vendimmarrëse, formimi më i madh i gjithanshëm për të gjithë njerëzit e Zotit në fusha të ndryshme, thellimi i përvojës shpirtërore të takimit me Krishtin, Këshillat dhe Kuvendet si fusha pjesëmarrjeje. Shkurtimisht, kërkohet krijimi i një kulture sinodale, që i ndryshon mënyrat tona të marrëdhënieve dhe të pjesëmarrjes”.
“E veçanta” e Amerikës Latine
Agjencia SIR intervistoi Rafael Lucianin, teolog venezuelian, ekspert i Sinodit të Ipeshkvijve, i cili si anëtar i ekipit teologjik-baritor të Celamit, ka koordinuar punimet e kongresit dhe është i kënaqur me debatin e këtyre ditëve. Është e vërtetë - pohon - në Amerikën Latine ka vëmendje të ndjeshme për t’i mbajtur së bashku faktorët teologjikë dhe baritorë. Ditët e fundit kemi dëgjuar përvoja të ndryshme konkrete, madje edhe nga dioqeza të veçanta, sfond i të cilave mund e duhet të jetë vetëm ekleziologjia e Popullit të Zotit, zhvillimi i të cilës është antihelmi kryesor për të mos u përulur para klerikalizmit.
Vitet e fundit janë bërë zgjedhje të rëndësishme në kontinentin e Amerikës Latine: reforma e Celamit, e strukturuar në mënyrë të tillë që të sjellë sinodalitetin në struktura; lindja e konferencës kishtare, dhe jo vetëm ipeshkvnore, të Amazonës; Kuvendi Kishtar i vitit 2021. Megjithatë, përveç atij që ka ndërmarrë Celami dhe rregulltarët e Klarit, mbetet për t'u bërë edhe një shtegtim i rëndësishëm në Kishat vendase, ku nuk mungojnë rezistencat, por edhe përvojat e rëndësishme”.
Tri, temat kryesore për ta jetuar sinodalitetin në kishat lokale.
Tri, temat, në qendër të kongresit.
Aspekti i parë: “Këshilli Baritor Dioqezan është një institucion i ri i krijuar nga Këshilli (Christus Dominus 27) i cili nuk ka shok në historinë e Kishës. Komisioni Ndërkombëtar Teologjik e quan "struktura e përhershme më e favorshme për zbatimin e sinodalitetit në Kishën e caktuar".
Aspekti i dytë i projektit teologjik-baritor ka të bëjë me zgjedhjen dhe emërimin e ipeshkvijve, që sipas Lucianit “është një çështje kyçe në jetën e kishave vendase. Praktika e lashtë e pjesëmarrjes lokale në emërimin e ipeshkvijve, e dëshmuar në shekujt e dytë dhe të tretë, bazohej në atë që më vonë u karakterizua si sensus fidelium”.
U propozua "rishikimi i disa metodave dhe proceseve zgjedhore që parashikojnë pjesëmarrje të gjerë dhe aktive të bashkësisë lokale, në mënyrë që vendimi i Ipeshkvit të Romës të shprehë teologjinë e bashkimit sinodal dhe kolegjial, në nivelet e tij të ndryshme".
Aspekti i tretë dhe i fundit i projektit është të kontribuojë në rinovimin e teologjisë së shërbesës apostolike.