Kardinali Grech: Sinodi, "palestër e shkëlqyer dëgjimi”
R. SH. - Vatikan
“Sinodi është, para çdo gjëje, palestër e shkëlqyer dëgjimore”: Kardinali Mario Grech, sekretar i Sekretarisë së Përgjithshëm të Sinodit, e hapi kështu fjalimin e tij në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Paraqiste kështu, Instrumentum Laboris (IL) për seancën e dytë të Asamblesë së Përgjithshme XVI të zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve (2-27 tetor 2024) me temën: "Për një kishë sinodale: bashkësi, pjesëmarrje, mision" . Publikimi i dokumentit u shoqërua me një sërë FAQ (pyetje të shpeshta) që lehtësojnë leximin e mbi 50 faqeve të tekstit të plotë.
Duke dëgjuar Zotin dhe botën
"Stërvitja dëgjimore" për të cilën flet kardinali, është ajo e dëgjimit të Zotit e botës, dëgjim i cili - shpjegon - nis para së gjithash nga zëri i Zotit e më pas nuk vazhdon me "anketime popullore", por me vëmendjen ndaj "ndjesisë së fesë të popullit të Zotit". Objektivi, nënvizon kardinali Grech, është të "kërkojmë atë që Zoti dëshiron t'i thotë Kishës në këtë orë të shtegtimit të saj".
Dinamizëm virtuoz
Duke nënvizuar kontributet e shumta marrë nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit në vitin e fundit (mjafton të përmendim 108, nga 114, sintezat kombëtare të përgatitura nga Konferencat Ipeshkvnore), kardinali nënvizon "dinamizmin virtuoz" përmes të cilit u bë e mundur të finalizohej Instrumentum laboris: sapo përfundoi seanca e parë e asamblesë, në vitin 2023, "Sinodi u kthye në kishat lokale dhe iu dorëzua të gjitha të tjerave". E më pas nisi përsëri nga kishat lokale në funksion të takimit të radhës. Dokumenti i punës - shton Kardinali Grech - do të jetë bazë e "një ndihme teologjike, që do të publikohet së shpejti, e që do të ofrojë disa rreshta studimi teologjik dhe kanonistik të temave të pranishme në Instrumentum, për të ndihmuar anëtarët e Kuvendit të njohin dhe të kuptojnë rrënjët dhe implikimet e përmbajtjes së tij”.
Ngjallje e shpresës ndër zemra
"Një koncert shumëngjyrësh zërash", "polifoni e vërtetë, e pasur me timbre dhe thekse", vazhdon kardinali, IL "u miratua njëzëri nga Këshilli i zakonshëm i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit" i cili, që në fillimin e rrugës së sinodit, "u takua - personalisht ose në distancë - 17 herë”, me “pjesëmarrje të dendur”. Së fundi, shpresa e sekretarit të përgjithshëm është se "procesi i dëgjimit të zgjatur dhe të diferencuar" do ta ndihmojë Kishën sinodale ta "kuptojë Fjalën e Jezusit për burrat dhe gratë e sotme", në mënyrë që "të forcojë lajmëtarët e Ungjillit, të shërojë plagët e njerëzimit dhe të ndezë shpresën në zemrat tona”.
Tema e grave
Më pas, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Kardinali Grech rikujtoi temën e diakonatit femëror, për të cilën - lexojmë në IL (Instrumentum laboris) - reflektimi teologjik do të vazhdojë, prandaj nuk do të trajtohet në asamblenë e ardhshme.
“Papa – shpjegoi Kardinali - e udhëzoi Dikasterin e Vatikanit për Doktrinën e Fesë ta studiojë këtë temë, në kontekstin më të gjerë të ministereve, në bashkëpunim me sekretariatin e përgjithshëm të Sinodit. Sipas udhëzimeve të Papës, studimi duhet të vazhdojë”.
Një kishë e gjallë, lëvizëse dhe krijuese
Kardinali Jean-Claude Hollerich, S.I., kryeipeshkëv i Luksemburgut dhe kryetar i përgjithshëm i asamblesë sinodale, u ndalua edhe tek përshkrimi i figurës së një Kishe "plot gjallëri e lëvizje". Në fjalën e tij theksoi veçanërisht, “larminë e madhe” në mënyrën se si u nisën Kishat drejt asamblesë së ardhshme, rrugë e karakterizuar nga “liria dhe krijimtaria në mënyrën e përvetësimit të procesit sinodal”. Nga kjo rrugë dolën fryte të ndryshme, duke përfshirë - thekson Kardinali - parrezinë, ose "sinqeritetin" me të cilin shprehen Kishat lokale, njëheresh me "aftësinë e tyre për rilexim dhe vetëvlerësim", aspekt themelor për "të konkretizuar gjithnjë më shumë kërkesën për transparencën, dhënien e llogarisë dhe vetëvlerësimin” shprehur nga Instrumentum laboris.