Policia keniane mbërrin si pjesë e një misioni paqeruajtës në Haiti Policia keniane mbërrin si pjesë e një misioni paqeruajtës në Haiti  (Ricardo Arduengo)

Haiti, lirohet prifti i rrëmbyer nga bandat. Kryedioqeza: spiralja e së keqes po e kapërdin vendin

Atë Emmanuel Saintéliat, i rrëmbyer të dielën e kaluar, u lirua nga banditët që sulmuan komunën e Gressier dhe vranë njëzet vetë. Lajmi për lirimin e tij erdhi nga kryedioqeza e cila, në një shënim, u kërkoi autoriteteve t'i japin fund dhunës dhe të rivendosin të drejtën për të jetuar.

R. SH. - Vatikan

Prifti i famullisë së Shën Gjon Pagëzuesit, Atë Emmanuel Saintéliat, i rrëmbyer të dielën e kaluar nga anëtarët e një bande që shkatërroi një nga zonat e rajonit metropolitan të kryeqytetit Port-au-Prince, komuna Gressier, është i lirë. Kryedioqeza e Port-au-Prince konfirmoi lirimin për të cilin, sipas burimeve gazetareske, nuk u pagua asnjë shpërblim. Të paktën njëzet persona u vranë në sulmin e kryer nga bandat e armatosura të Vivre Ensemble (Të jetosh së bashku), të udhëhequr nga ish-oficeri i policisë Jimmy Cherizier, i cili sulmoi nënstacionin e policisë Gressier.

Cherizier njihet si prijës i kaosit në vend dhe thirrjes për dorëheqjen, në mars, të kryeministrit të atëhershëm Ariel Henry. Në Gressier, grupet e armatosura dogjën shtëpitë dhe shkaktuan panik brenda bashkësisë, pavarësisht nga prania prej disa ditësh e kontingjentit paqeruajtës të udhëhequr nga Kenia. Policia tashmë e rimori kontrollin e stacionit.

Ankesa e kryeipeshkvisë

Indinjatë e dhimbje për një situatë, e cila i ngjet një "burgu pasiv në spiralen e së keqes", që gllabëron shoqërinë haitiane! Kështu u shpreh kryeipeshkvi i Port-au-Prince në një deklaratë të datës 1 korrik, kur denoncoi atë që ndodhi, duke e quajtur "akt të papërshkrueshëm të dhunës vdekjeprurëse". Në tekst rregulltari i rrëmbyer përshkruhet si bari, "që nuk e braktisi kurrë bashkësinë, për të cilën është përgjegjës" - theksohet në tekstin e Kryeipeshkvit, "gjithmonë i gatshëm për t'i shërbyer të dyve: Kishës e  shoqërisë haitiane".

Thirrja për lirimin e Atë Saintéliat

Kryeipeshkvia e Port-au-Prens dëshmon se incidentet "në disa zona të rajonit metropolitan të Port-au-Prince, vazhdojnë t’i shpëtojnë kontrollit të forcave publike" dhe shpreh indinjatën "përballë këtyre akteve që shkelin qëllimisht të drejtat e anëtarëve të popullatës", duke ripohuar "afërsinë me të gjitha viktimat dhe familjet e tyre". Në Deklaratë u kujtohet "autoriteteve shtetërore urgjenca e marrjes së masave, që duhet t’i japin fund kësaj situate dhune dhe të rivendosin të drejtën e jetës në vend”.

03 korrik 2024, 15:56