Irak, rikthimi i ISIS. Kard. Sako takohet me kryeministrin
R.SH. - Vatikan
Në Irak një kreshendo sulmesh dhe një prani gjithnjë më e madhe në territor, që të bëjnë të mendosh përpjekjen për të "rindërtuar" veten si grup, për të goditur përsëri dhe për të pushtuar gjithnjë e më shumë terren. Shtetet e Bashkuara të Amerikës i bëjnë thirrje alarmante qeverisë së Bagdadit, duke i kujtuar rrezikun e kthimit të Shtetit Islamik në Irak dhe në Siri, në përvjetorin e dhjetë të riorganizimit së lëvizjes xhihadiste, e cila ndërmjet viteve 2014 dhe 2016, në çastin e zgjerimit maksimal, kontrolloi gjysmën e dy vendeve.
Sipas raporteve nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (Centcom), ISIS ka bërë 153 sulme në Irak dhe Siri në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, duke kujtuar se "po përpiqet të rindërtohet pas disa vitesh dobësimi të aftësisë së tij" për të goditur. Krahasuar me një vit më parë, numri i operacioneve duhet të jetë “dyfishuar” me aftësi më të madhe për të goditur, megjithëse ka paqartësi për numrat e vërtetë.
Kisha kaldease kërkon paqe e stabilitet
Kujtojmë se sot përfundon Sinodi i Kishës Kaldease, i planifikuar në Bagdad nga 15 korriku, me një deklaratë përfundimtare të nënshkruar nga Patriarku Kaldeas. Në njoftim, dërguar agjencisë së lajmeve AsiaNews, Kardinali Sako i shpreh “mirënjohjen” kryeministrit për “dekretin” që e “konfirmon” si kreun e Kishës Kaldease edhe për institucionet irakiane, duke i dhënë fund tensioneve disamujore me kryesinë e Republikës. Kësaj i shtohet edhe shpresa për një përpjekje të përbashkët drejt “paqes dhe stabilitetit” duke zbatuar ligjin, rivendosjen e unitetit kombëtar dhe forcimin e qytetarisë.
Përballë “agonisë” së të krishterëve, vijon Kardinali Sako, është e nevojshme të kërkojnë të drejtat e tyre “me përfaqësim dhe punësim të barabartë” dhe të kundërshtojnë “sekuestrimin” e pronave përmes “mospranimit të partive politike”. Duke e zgjeruar vështrimin e tij drejt luftës në Tokën Shenjte (ndërmjet Izraelit dhe Hamasit) dhe pasojave për rajonin, Primati i Kishës Kaldease bashkohet me "shqetësimin e madh" të Sinodit të kësaj Kishe dhe pohon se "zgjidhja më e mirë" është "krijimi i dy shteteve fqinje, Palestinës e Izraelit që jetojnë në paqe, siguri, stabilitet dhe besim të anasjelltë”.
Së fundi, Kardinali Sako e mbyll reflektimin e tij me një mendim mbi të ardhmen e të krishterëve lindorë. “Përsa i takon këtij problemi, ipeshkvijtë e sinodit të Kishës kaldease ripërtërijnë thirrjen e Patriarkut Sako për unitet dhe solidaritet. Gjëja kryesore që duhet të na bashkojë, është feja dhe toka jonë. Bashkimi është forca jonë e shpëtimi ynë”. Pavarësisht nga plagët, duhet të vijojmë t’i duam viset tona e banorët e tyre, e edhe të bashkëpunojmë me ta në përhapjen e kulturës së bashkëjetesës, respektimit të ndryshimeve të të tjerëve, focimit të shpresës, në gjirin e një shoqërie të barabartë e të qytetëruar”.