Kërko

Olimpiada Paris 2024 Olimpiada Paris 2024

Lojërat Olimpike dhe rëndësia e katolikëve në kulturën bashkëkohore

Hapja e Lojërave Olimpike në Paris ka tërhequr edhe një herë vëmendjen e publikut për çështje themelore, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet fesë, kulturës dhe shoqërisë moderne

R.SH. – Vatikan

Ceremonia e përurimit të Lojërave Olimpike Paris 2024 e ka rindezur debatin mbi praninë dhe rolin e vlerave të krishtera në shoqërinë bashkëkohore. Ngjarja, e cila tradicionalisht kremton unitetin dhe larminë e botës, pavarësisht nga ndryshimet, u bë vatër e një polemike, që përfshiu eksponentë të ndryshëm të Kishës Katolike dhe tërhoqi vëmendjen e publikut rreth marrëdhënieve ndërmjet fesë, kulturës dhe shoqërisë moderne.

Në qendër të polemikave, një nga tablotë artistike të ceremonisë së hapjes, e cila, sipas shumë analistëve, dukej se kujtonte ikonografinë e Darkës së Mbrame të Leonardo da Vinçit, e interpretuar në një këndvështrim “queer” - bashkësi ku bëjnë pjesë të gjithë ata, që e konsiderojnë veten jashtë përkufizimeve normale të kodifikuara nga kultura mbizotëruese, si nga pikëpamja seksuale, ashtu edhe nga ajo etnike apo shoqërore. Shumë ipeshkvij katolikë shprehën mosmiratimin e tyre të fuqishëm, duke e quajtur këtë lloj shfaqje "të neveritshme" dhe "pa respekt" për simbolet e shenjta të krishterimit.

Në këtë klimë tensioni dhe debati, del në pah zëri i historianit italian Andrea Riccardi, që në vitin 1968 themeloi Bashkësinë e Shën Egjidit, lëvizjen ndërkombëtare laike, e cila impenjohet edhe sot në frontin e paqes, të mikpritjes dhe të ndihmës për të varfrit. Në një intervistë dhënë gazetës së Konferencës Ipeshkvnore Italiane “Avvenire”, Riccardi reflekton hollësisht mbi rolin e katolicizmit në kulturën bashkëkohore, duke propozuar një këndvështrim, që shkon përtej kundërshtimit të thjeshtë.

Në veçanti, nxjerr në dukje urgjencën për të “rizgjuar fenë dhe pasionin, pa të cilat nuk është e mundur asnjë nismë e vërtetë kulturore”, veçanërisht kur jemi dëshmitarë të përpjekjes mbarëbotërore për ta përjashtuar fenë dhe fenomenet fetare nga kultura.

Një fe e menduar

Koncepti qendror i mendimit të themeluesit të Bashkësisë së Shën Egjidit është ideja e një "feje të menduar", që ripropozon intuitën e Shën Gjon Palit II: "Feja, që nuk bëhet kulturë është fe e papranuar krejtësisht, e pamenduar plotësisht, e pajetuar besnikërisht".

Ky vizion sugjeron që katolicizmi, për të ruajtur rëndësinë dhe ndikimin e tij në botën bashkëkohore, duhet të impenjohet në një dialog të thellë dhe të vazhdueshëm me kulturën, në vend që të kufizohet në reagime mbrojtëse, ose thjesht, në dënime. Të njëjtën gjë mendonte edhe Papa aktual, kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, kujton Riccardi, duke nënvizuar vazhdimësinë e një qëndrimi, që e sheh kulturën si shprehje jetike të fesë.

Historiani Riccardi, i cili është edhe profesor nderi në Universitetin “Roma Tre”, nuk e fsheh shqetësimin e tij për gjendjen aktuale të katolicizmit: “Brishtësia e shprehjes së sotme të kulturës katolike” – reflekton ai – “lind nga brishtësia e fesë së jetuar, madje, nga brishtësia e bashkësive tona dhe nga refuzimi për të thënë një fjalë të rëndësishme”. Në fakt, më shumë se "të rëndësishme", këto fjalë shpesh kanë vetëm karakterin e “indinjatës sa për të larë gojën”. Shenjë brishtësie, që shfaqet në një “katolicizëm të strukur nëpër cepat e jetës së qyteteve”, jo shumë proaktiv.

Kultura e lindur nga pasioni

Atëherë, zgjidhja nuk qëndron në një thirrje të thjeshtë drejtuar intelektualëve katolikë, sikur ata të ishin të vetmit bartës të mendimit të arsyetuar, por në rizgjimin e pasionit në bashkësitë e krishtera: “Problemi i vërtetë është niveli i ulët i pasionit në bashkësitë e krishtera”. Duhet të jemi të vetëdijshëm - shton historiani italian - se "çdo operacion kulturor lind nga një pasion i madh dhe - ta themi qartë - edhe nga pasioni i madh i ndezur nga feja".

Duke cituar Papën shenjt Pali VI, Riccardi kujton se: "Bota vuan nga mungesa e mendimit". E vetë Papa Françesku shkon edhe më tej: "Botës po i zihet fryma nga mungesa e dialogut".

Mendimi dhe dialogu

Hapet kështu, një perspektivë e re për mënyrën si katolicizmi mund ta ruajë rëndësinë e tij në një shoqëri gjithnjë e më pluraliste dhe e laicizuar. Në vend që të tërhiqet në një pozitë mbrojtëse apo kundërshtuese, Riccardi propozon, duke ndjekur shembullin e Papëve të fundit, një katolicizëm që impenjohet aktivisht në kulturën bashkëkohore, duke ofruar atë “plus” në mendimin kritik, që është i aftë të dialogojë me kompleksitetin e botës moderne.

Kthehet kështu sërish sfida vendimtare: si të ruajmë identitetin dhe vlerat e krishtera, duke dialoguar në mënyrë konstruktive me një shoqëri, që zhvillohet me shpejtësi. Sigurisht, nuk duhet pasur frikë nga ballafaqimi, prej të cilit mund të dalë një mundësi për përtëritje dhe zhvillim edhe për vetë fenë, që duhet të dijë si ta ndikojë me sukses kulturën, pikërisht në kuadrin aktual global. Një fe, e cila duhet të rizgjohet, sigurisht, mundësisht me pasion të madh.

29 korrik 2024, 15:18