Të meditojmë me Ungjillin e së dielës XVI 'B': Jezusit iu dhimbsën njerëzit
R.SH. - Vatikan
Ungjilli i Kësaj së diele, marrë nga kreu 6 i Shën Markut, në të dielën XVI të vitit kishtar, na dëshmon se Zoti i ka konkretizuar premtimet e tij në Jezusin e Nazaretit. Përmes Shëlbuesit, Hyji vigjëlon mbi popullin e vet. Në Ungjill përshkruhen njerëzit e Galilesë, për të cilët nuk kujdesej askush. Ata e rrethojnë Jezusin, sepse e ndiejnë se ai shqetësohet për ta e mund t’i ndihmojë. E Ai kështu bën vërtet, duke u sjellë shëlbimin atyre, që i drejtohen me besim. Të ndjekim pjesën ungjillore…
30 Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. 31 Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi”. Sepse aty aq shumë njerëz vinin e shkonin sa që s’kishin kohë as të hanin. 32 Ata u nisën me barkë për në një vend të pabanuar, në vetmi. 33 Porse njerëzit i panë në ç’drejtim u nisën e shumica e morën me mend vendin ku do të shkonin dhe, në këmbë, prej të gjitha qyteteve, shkuan atje e arritën para tyre. 34 Kur Jezusi doli nga barka, pa një turmë të madhe populli, iu dhimbsën, sepse ishin porsi ‘dhentë pa bari’, e filloi t’u mësojë shumë gjëra.
Të lutemi së bashku:
Sheh rreth vetes kaq shumë vuajtje
e askënd që ka për zemër
fatet e të varfërve e të ligshtëve.
E di sa të çorientuar,
të trishtuar e të vetmuar
ndihen ata, që dëshirojnë me zjarr
dikë, i cili t’u japë pakëz dritë
t’u ndriçojë udhën e drejtë,
të ndajë me ta bukën e urtisë
që t’u bëjnë ballë mesazheve joshëse
e të drejtohen me delikatesë e mirësi kah udha e Zotit.
Është pritja e sinqertë e sa e sa njerëzve,
me pyetjet e dyshimet e tyre,
me rraskapitjen e këputjen e tyre,
që të mallëngjejnë thellë në shpirt.
Prandaj, Ti o Krisht, ndien dhembshuri
e nuk u ikën kërkesave të tyre.
Në të vërtetë, shi për këtë ke ardhur në tokë.
Ky është objektivi i misionit tënd,
ai që ka më shumë rëndësi.
E jo vetëm atëherë, por edhe sot, o Jezus.
Sepse kur punët shkojnë keq
ata, që vuajnë të parët, janë gjithmonë
të varfrit, të vegjlit, ata që s’i llogarit kush.
Pasi viktimat e parashikueshme të krizës
janë gjithnjë ata, në mëshirën
e tinzarëve, të dinakëve, të të fortëve.
Prandaj, o Zot, na jep dhembshurinë tënde,
që të reagojmë me guxim,
të shkojmë drejt të tjerëve pa frikë, për t’i ndihmuar me bujari.