Takimi i Equipes Notre-Dame me Papën. Takimi i Equipes Notre-Dame me Papën.  (Vatican Media)

Në Torino, Mbledhja XIII ndërkombëtare e Equipes Notre-Dame

Lëvizja laike e përshpirtërisë martesore do të takohet në kryeqytetin piemontez nga 15 deri më 20 korrik për një javë festive, me temë "Të shkojmë me zemër të zjarrtë". Të pranishëm, mbi 7 mijë pjesëmarrës, nga 86 vende të botës. "Është shtegtim feje, për të kuptuar rolin tonë në Kishë dhe në botën e sotme", shpjegojnë udhëheqësit Clarita dhe Edgardo Bernal.

R. SH. - Vatikan

"Të shkojmë me zemër të zjarrtë, në emër të episodit ungjillor të dishepujve të Emaus”, do të jetë tema e mbledhjes XIII ndërkombëtare të Equipes Notre-Dame, lëvizje laike e përshpirtërisë martesore, e lindur në Francë, më 1938. Ngjarja do të zhvillohet në Torino nga 15 deri më 20 korrik 2024, me pjesëmarrjen e 7600 "pjesëmarrësve", nga 86 vende të botës. Një javë, lexojmë në komunikatën e paraqitjen, “me ditë intensive, me kremtime eukaristike, çaste meditimi, konferenca, takime plenare dhe shfaqje”. Brazili do të jetë vendi më i përfaqësuar, i ndjekur nga Franca, Spanja, Italia dhe Kolumbia, por do të përfaqësohen edhe vende si Zelanda e Re, Australia, Botsvana, Republika Domenikane dhe Guinea.

Një shtegtim feje dhe një “hartë rrugore” për lëvizjen

“Lëvizja ka rreth 160 mijë anëtarë dhe është e pranishme në më shumë se 90 vende, në pesë kontinente. Çdo gjashtë vjet organizojmë një takim ndërkombëtar diku nëpër botë, si ky, që do të mbahet këtu, në Torino” - shpjegojnë Clarita dhe Edgardo Bernal, udhëheqës ndërkombëtarë të Lëvizjes - “ku rreth 8 mijë anëtarë të lëvizjes, çifte dhe meshtarë do të mblidhemi për të kremtuar këtë shtegtim feje, për të kuptuar rolin tonë në Kishën dhe botën e sotme si dhe për të vendosur orientimet e jetës, domethënë, udhërrëfyesin, që do ta prijë lëvizjen në gjashtë vitet e ardhshme".

 Ndër referuesit e takimeve, të cilat do të zhvillohen kryesisht në Arenën Inalpi të kryeqytetit piemontez, kardinali José Tolentino de Mendonça, prefekt i Dikasterit për Kulturën dhe Arsimin pranë Selisë së Shenjtë, Gabriella Gambino, nënsekretare e Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, Motra Nathalie Becquart, nënsekretare e Sinodit të Ipeshkvijve, Profesoresha Marina Marcolini, autore e programit e tjerë e tjerë…

Një dëshmi e përmasës shpirtërore në jetën e çifteve

Zgjedhja e Torinos, "qytet i pasur me histori, kulturë, traditë shoqërore fetare dhe laike", me Kishën e tij lokale "të gjallë dhe të pasur me përshpirtëri, kujdestare e Sindonës së Shenjtë", do t'i lejojë pjesëmarrësit të ndjekin itineraret shpirtërore simbolike të qytetit dhe të Don Boskos, si Chieri dhe Castelnuovo, "për të mësuar rreth përvojave dhe traditave fetare të pasura me shenjtëri, të lindura dhe ende të pranishme sot në qytet dhe në territorin piemontez". “Equipes Notre Dame janë realitet i rrënjosur thellë dhe i përhapur në Kishën Piemonteze, e cila numëron qindra çifte të përfshira në këtë lëvizje” - shpjegon Kryeipeshkvi i Torinos, Imzot Roberto Repole:

“Ashtu si shoqatat dhe lëvizjet e tjera kishtare familjare, besoj se Ekipet - nënvizon ai - ofrojnë sot një dëshmi shumë të rëndësishme për bashkësinë e krishterë dhe për shoqërinë civile: dëshmojnë se përmasa shpirtërore është në qendër të jetës së çifteve. dmth nevoja themelore e burrit dhe gruas për të mos u parë vetëm sy në sy, por edhe, e sidomos, për ta shikuar nga poshtë-lart zanafillën e jetës dhe të dashurisë!”.

11 korrik 2024, 11:15