Kërko

Koncili i Nikesë Koncili i Nikesë

Pse është i rëndësishëm Koncili i Nikesë?

Duke pritur një delegacion nga Patrikana Ortodokse e Kostandinopojës, më 28 qershor, Papa shprehu dëshirën për të shkuar në Nike, ku u mbajt Koncili I Ekumenik. Por pse ajo ngjarje ishte kaq e rëndësishme për Kishën e Krishtit?

R.SH. – Vatikan

Gjatë audiencës me një delegacion nga Patrikana Ortodokse e Konstandinopojës, më 28 qershor, në Vatikan, Papa Françesku shprehu dëshirën për të shkuar në vendet, ku u mbajt Koncili i parë Ekumenik i Kishës në histori, në vitin 325. Vitin që vjen kremtohet 1700-vjetori i tij. Por pse Koncili i Nikesë është kaq i rëndësishëm për Françeskun? Në të vërtetë, ai ishte ngjarje vendimtare për historinë e Kishës, mbajtur në maj-qershor të vitit 325 pas Krishtit, në qytetin e Nikesë, në Bitini (sot Iznik, Turqi). Të mbledhur me kërkesën e perandorit romak Konstandini, rreth 300 ipeshkvij nga të gjitha provincat e Perandorisë trajtuan mosmarrëveshjet doktrinore dhe krijuan një bazë të përbashkët për fenë e krishterë.

Herezia e Arios

Në qendër të diskutimeve ishte herezia e Arios, që mohonte Trininë Shenjte dhe besonte në të ashtuquajturën teori e birësimit. Sipas Arios, Jezu Krishti nuk ishte i pakrijuar dhe i përjetshëm si Ati, por ishte krijuar dhe në njëfarë kuptimi, birësuar nga Ati Qiellor. Ky këndvështrim minonte natyrën hyjnore të Jezusit dhe ngjalli një debat tejet të ashpër. Koncili i Nikesë mori disa vendime të rëndësishme. Dënoi arianizmin, për shembull, duke deklaruar se Jezusi ishte i njëgjëjtë (d.m.th. identik në substancë dhe në natyrë) me Atin Qiellor.

Vendimet e Koncilit

Koncili formuloi besojmën e Nikesë, që shpalli hyjninë e Jezusit dhe barazinë e tij me Atin Qiellor. Zgjidhi skizmën e shkaktuar nga ipeshkvi Melecio. Vendosi që Pashkët të kremtohen të dielën e parë pas hënës së plotë të ekuinoksit të pranverës. Njohu tri selitë kryesore ipeshkvnore: Romën, Aleksandrinë dhe Antiokinë. Vendosi rregulla disiplinore për klerikët, duke përfshirë parimin e celibatit kishtar. Krijoi kështu, një bazë të përbashkët teologjike për Kishën dhe ndihmoi në përkufizimin e fesë së krishterë në shekujt që pasuan. Besojma e Nikesë, ashtu siç e themi sot ("Besoj në një Zot të vetëm, Atin e Gjithëpushtetshëm...), dëshmon për rëndësinë e atij çasti vendimtar. Si përfundim, Nikea përfaqëson një pikë kthese në historinë e krishterimit, që i bashkoi besimtarët rreth fesë në Krishtin dhe hyjnisë së tij.

01 korrik 2024, 13:35