Pushimet janë rast për prehje të shpirtit dhe të trupit
R.SH. - Vatikan
Si çdo verë, udhët e pushimeve shpalosin, për shumë njerëz, edhe shtigjet e reja të shpirtit. Duke ndjekur një ftesë, burra e gra, të rinj e fëmijë, nisen drejt vendeve, ku mund të pushojnë trupi e shpirti.
“Në atë kohë, apostujt u bashkuan prapë te Jezusi dhe i treguan gjithçka kishin bërë dhe kishin mësuar. Atëherë ai u tha: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi”” (Ungjilli Mk 6, 30-34). Kështu, sikur apostuj, në fragmentin ungjillor të Markut, Jezusi na fton të shkëputemi nga puna, e të tërhiqemi në një vend vetmitar. Është shumë e rëndësishme, kjo ftesë e Jezusit në Ungjill, për të shkuar në një vend të vetmuar, sepse kemi nevojë, pikërisht për të shqyrtuar vetveten e veprimet tona, për t’u larguar nga e përditshmja, për të jetuar në heshtje e në vetmi, për të rrëmuar ndërgjegjet tona, për të vlerësuar realitetin ku jetojmë, që nganjëherë na shtyp e shndërrohet në idhull.
Ka rëndësi, pra, shumë rëndësi, ky largim. Edhe piktori largohet paksa nga kuadri, që të mund ta gjykojë më mirë veprën e vet, në sa e prek lehtë-lehtë me penelatat e fundme. Për ta përkryer. Kështu edhe ne. Në se duam ta bëjmë kryevepër jetën tonë shpirtërore, kemi nevojë të largohemi sadopak nga e përditshmja, në mënyrë që të mund ta gjykojmë e ta vlerësojmë për aq sa vlen, ta kuptojmë sa është e vërtetë.
Pushimet janë rast për të kundruar, për të menduar, për t’u shkëputur, për pak kohë e disa çaste, nga e përditshmja, me veprimtaritë e saj të përsëritura, deri në mërzi, e për t’iu kushtuar veprimtarive të një natyre tjetër, çlodhëse, prehëse.
Thoshte një murg plak, Atë i shkretëtirës. “E sotmja është dita e parë e ditëve, që më mbeten për të jetuar. Ta rifillojmë, pra, jetën, nga e para!”. Pushimet të krijojnë kushtet për të rifilluar jetën shpirtërore, për të ndenjur me Zotin, për ta shikuar në mënyrë të re jetën, që të shpalloset para, sepse ndërprerja bëhet në kohë dhe na ndihmon ta kuptojmë më mirë shtegun e jetës sonë, i cili zgjatet deri tek caqet e veta të fundme, ende të panjohura, pikërisht në kohë. Të ecim me këtë mendim e ta rizbulojmë nga e para kohën, që na mbetet. Sigurisht, pushimet verore janë kohë e përshtatshme jo vetëm për pushimin e trupit por edhe për meditime, për një përshkim në brendësi të udhës së shpirtit.