Padre Shtjefen Gjeçovi, ofm,  studioso e martire albanese Padre Shtjefen Gjeçovi, ofm, studioso e martire albanese

Át Shtjefën Gjeçovi, ofm, në 150-vjetorin e lindjes

Françeskani Át Shtjefën Gjeçovi, në 150-vjetorin e lindjes, figurë poliedrike e rëndësishme për Kishën dhe kulturën shqiptare. Pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij, të cilat u bënë për të pajë shpirtërore dhe qëndrese deri kur dha edhe frymën e fundit. Për Át Gjeçovin “giuha e komit âsht nji dhântii e posaçme e Perendîis, nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”.

R.SH. - Vatikan

Më 12 korrik kujtojmë një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, françeskanin Át Shtjefën Gjeçovin (1874-1929), në 150-vjetorin e lindjes. Át Shtjefën Gjeçovi, për kontributin e tij, radhitet përkrah të radhitet përkrah të mëdhenjve të tjerë ndër shqiptarë, si imzot Budi, imzot Bogdani, imzot Bumçi, Át Gjergj Fishtës,  Át Anton Harapit etj.

Po e përkujtojmë figurën e tij poliedrike të rëndësishme për Kishën dhe kulturën shqiptare, me sivëllain e tij të françeskan, At Ndue Kajtazin nga Zymi, vend ku At Shtjefën Gjeçovi e dha jetën për Krishtin dhe Popullin e tij shqiptar.  Mbi figurën e Át Shtjefën Gjeçovit e shqiptarët, ta dëgjojmë bisedën me françeskanin At Ndue Kajtazin, nga kuvendi françeskan i Gjakovës.

At Ndue Kajtazi në bisedë me don David Xhuxhën për Át Shtjefën Gjeçovin

At Ndue Kajtazi në bisedë me don David Xhuxhën për Át Shtjefën Gjeçovin

Sapo përmend e kujton emrin e Át Shtjefën Gjeçovit, edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t'i vejë menjëherë mendja te "Kanuni i Lekë Dukagjinit", mbledhur e kodifikuar nga Frati i Madh. Po Át Shtjefni ishte shumë më tepër se kaq.

Një nga figurat më poliedrike që njeh historia e kulturës shqiptare, ai pati etjen e pashuar të gërmonte nga pak në të gjitha fushat e diturisë. Mahniti me kulturën e tij Faik Konicën, i cili e përshkruan me nderim e simpati të thellë në parathënien e Kanunit; la pa mend shkrimtarin e ri modern të Shkollës letrare të Veriut, Dom Lazër Shantojën, edhe ky martir i krishterimit gjatë diktaturës, i cili i kushtoi portretin më të bukur që është shkruar për të, duke e radhitur përkrah Fishtës e Harapit.  Át Gjeçovi mbeti në kujtesën e të gjithëve si një nga historianët, etnografët dhe arkeologët e parë shqiptarë.

Në fushën e kërkimeve të lashtësisë arkeologjike, At Shtjefën Gjeçovi zë një vend me vlerë të veçantë. Falë përçapjeve të para përmes shkrimesh të shumta në shtypin e kohës së vet,  Át Gjeçovi nisi të mblatojë një vepër vetjake, kryesisht me karakter të spikatur kulturologjik, siç shfaqet tek ‘Agimi i Gjytetnisë e, në të njëjtën kohë, u mor me një mori gjurmimesh e hulumtimesh arkeologjike, të cilat u kurorëzuan me studimin e vyer: Trashigime thrako-ilirjane.

Pra, françeskani Át Shtjefën Gjeçovi u përpoq ta ndriçojë botën e lashtë ilire e thrake me tëhollinë e punimeve: Trashigime iliro-thrakase, duke i krahasuar doket e zakonet e të parëve tanë dhe gjetjet e shumëllojshme arkeologjike me ato greko-romake si dhe të popujve të tjerë të Ballkanit. "Herët-herët, shkruan ai, i zbukurojshin vorret me shtylla, me trungj, me kamë guri e kso tjerash, e kto mnyrë e doke i kishin pasë edhe nierzë të mire sikuerse na e ban dishmi Shrimi shejt: Jakobi e pat da me shej vorrin e Raheles. Malcorët e Mi-Shkodrës i zbukurojnë vorret me rrasa e kryqa gurit, e, a mi rrasë qi e mlon vorrin a rreth kryqash i njeshin armet e fishektoret te nxjerrme në gur..." .

 Át Shtjefën Gjeçovi lindi më 12 korrik 1874, në fshatin Janjevë, afër Prishtinës, në Kosovë, në një familje thellësisht shqiptare e katolike. U vra në mënyrë mizore më 14 tetor 1929 në fshatin Zym të Hasit, afër Prizrenit.

Në pagëzim ia vunë emrin Mëhill e shkurtimisht e thirrën Hilë. Që i vogël shfaqi shenja jo të zakonshme zgjuarsie, prandaj famullitari françeskan, me leje të prindërve, e mori një ditë për dore dhe u nis bashkë me të për në Shkodër, në Kolegjin françeskan. Át Gjeçovi ishte vetëm 10 vjeç kur veshi zhgunin e murrmë, të lavdishëm, të fratit. Vijoi mësimet në Troshan, Fojnicë, Dërventë, Kreshevë, përgjithësisht në Bonjë-Hercegovinë, ku është përgatitur një pjesë e mirë e françeskanëve shqiptarë, ndërmjet të cilëve, Fishta. Më vonë françeskanët e rinj do të merrnin rrugët drejt Austrisë e Italisë.

Nisi të interesohej për gjithçka kishte të bënte me historinë e popullit të vet: për fillimet e krishterimit, për arkeologji, etnografi, gjuhësi, letërsi e natyrisht edhe të hidhte në letër shkrimet e para, pa harruar kurrë se detyra e tij kryesore do të ishte predikimi i Ungjillit të Krishtit. U kthye në Troshan më 1896, 22 vjeçar, famullitar i ri me fe të gjallë e kulturë të thellë. Predikoi Ungjillin në Rubik, Pejë, Laç-Sebaste, Zarë, Sapë, Theth, Prekal, Vlorë, Shkodër, Gjakovë e Zym, ku u ndal për pushimin e mbram!

Kulmin e krijimtarisë e arriti në vitet 1900, kur u bë i pranishëm në të gjitha fushat e kulturës e të arsimit. Át Shtjefën Gjeçovi shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, "Kanunin e Lekë Dukagjinit" monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin "Doktor i shkencave in honoris causa".

Lista e veprave të tij është shumë e gjatë, prandaj po kujtojmë vetëm ndonjë vepër të tij si: “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”,   "Kanuja", botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, “Trashëgime trako-ilire”,  “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli" – përkthim i lire i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit,  “Vazja e Orleans-it ose Joana D’Ark" mbas A.F. prej Bergamos dhe vepra e fundit teologjike “Shpërblesi i botes ase  Jeta e Jezu Krishtit”, të cilën e shkroi me qellim që të mësojë dhe edukojë popullin në frymën e gjuhës shqipe dhe në frymën e dashurisë së Jezusit

Shumica e veprave i mbetën në dorëshkrim. Një dorëshkrim i pabotuar i Át Shtjefën Gjeçovit o.f.m. është: “Parradija e popullit ase Kryengritja e Dheut të rrethit të Krues me 54 pleq në krye, kundra urdhënve e dokeve të reja t’Osmanllive. 1903, 1904, 1905, 1906”.  Madje edhe "Kanuja" u botua pas asaj dite ogurzezë të vitit 1929, kur ra nën plumbat serbe, duke shuguruar me gjakun e vet bucat e asaj toke, për të cilën kishte shkrirë jetën, të cilat nuk lageshin për herë të parë me gjak frati. Ai vetë pati mbledhur, sipas të gjitha kritereve, të dhënat për të lartuar në altar një tjetër frat shqiptar,  Át Luigjin Paliq, martir i fesë dhe i atdheut.

Sç fundi mund të themi se françeskani At Shtjefën Gjeçovi ishte dhe mbeti pishtar i gjallë i ndriçimit të historisë dhe kulturës së kombit të tij deri kur dha edhe frymën e fundit. “Giuha e nji komit s’kaa t’ndalun, as nuk mûnd t’ndâlet kurr”. “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. Ai pohon se gjuha jonë… “âsht nji gjâa sênd qi nuk mûnd t’blehet, nuk shitet e nuk ndrrohet; nji sênd âsht, qi do t’ruhet si nji gur i çmue, do t’ruhet si nji dhântii e posaçme e Perendîis e si nji trashigim i t’parvet tonë… do t’ruhet si drita e synit. Kjo dhântii… âsht giuha shqype”. E mbyll paragrafin, duke vendosur në fund këtë aforizëm: “Sa mûnd t’mêndohet dielli pa dritë, aq mund t’mêndohet komi pa giuhë”. 

12 korrik 2024, 15:22