Kërko

 Assisi , porziuncola santa maria angeli francescani minori Assisi , porziuncola santa maria angeli francescani minori

Takimi i rregulltarëve të Evropës, në Porziuncola të Asizit

Përfundoi sot Takimi i rregulltarëve françeskanë me Kushte të Përkohshme të Evropës,në Porziuncola të Asizit, me votimin e Deklaratës dhe të Propozimeve, përgatitur nga komisioni i përbërë nga përfaqësues të grupeve të ndryshme gjuhësore.

R.SH. / Vatikan

Dita e pestë dhe e fundit e Takimit të rregulltarëve me Kushte të Përkohshme të Evropësnë Porziuncola të Asizit,  nisi me votimin e Deklaratës dhe Propozimeve, përgatitur nga komisioni i përbërë nga përfaqësues të grupeve gjuhësore. Të gjitha pjesët e Deklaratës dhe të Propozimeve patën në favor shumicën.

Në mëngjes, Gjenerali i Fretërve, Vëllai Massimo Fusarelli, foli për situatën e Fretërve të Vegjël në Evropë, duke e ngulur shikimin drejt së ardhmes. Në fjalimin e tij, përsëriti se pas-shekullarizimi mund të jetë edhe mundësi për ta rizbuluar fenë. Duke u nisur nga shembulli i Shën Françeskut, i cili nuk harroi të përfshinte edhe dashurinë për njeriun, apo humanizmin, në botën e tij, ai i inkurajoi fretërit të studiojnë dhe të hulumtojnë për t'u bërë të aftë t’i zhvillojnë sot elementet e humanizmit françeskan, i cili më pas duhet të modulohet në kontakt me gjërat e reja që dalin në këtë botë të vjetër!

Së fundi, i inkurajoi fretërit të hapin horizontin përtej kufijve të françeskanëve dhe të kenë guxim për ta menduar lindjen e së resë! Pas punës me grupet gjuhësore dhe paraqitjes nga përfaqësuesit e tyre, Gjenerali i Fretërve, emër me të cilin njihet ndër shqiptarë që në zanafillën e françeskanizmit - ofroi vizionin e tij, të pasuruar me shembuj nga përvoja personale, për të tashmen dhe të ardhmen e Urdhërit në Evropë.

Fretërit pranuan, më pas, ndryshimet në Deklaratë dhe Propozimet për të përmirësuar formimin, jetën dhe ungjillizimin e Fretërve të Vegjël në Evropë dhe, pas falënderimit përfundimtar, u zhvendosën në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve për kremtimin e Meshës, kryesuar nga Gjenerali i tyre. Meshën e Shenjtë e gjallëruan zërat e fretërve këngëtarë nga Polonia.

Vëllai Massimo Fusarelli, në homelinë e tij, duke folur për shoqërinë në të cilën jetojmë, i bëri vetes një pyetje jashtëzakonisht të rëndësishme.  Pyetjen nëse ky ishte fundi i krishterimit e, bashkë me të, edhe i jetës fetare, apo mundësia e një fillimi të ri. E, kësaj pyetjeje tejet kritike, i dha këtë përgjigje: “Besoj fort se kjo është koha për të rifilluar, por ne duhet të marrim rrugën e drejtë, atë që na tregon Shpirti Shenjt". Së fundi, uroi që rregulltarët me kushte të përkohshme ta dhurojnë plotësisht jetën e tyre, për t'u bërë kumtues të Ungjillit, që shpëton!

20 korrik 2024, 17:50