Kërko

 Campagna di animazione missionaria a Timor Est Campagna di animazione missionaria a Timor Est

Timori Lindor, mijëra indonezianë përgatiten të takojnë Papën

Katolikët e dioqezave të Kupang dhe Atambua do të zhvendosen në pjesën tjetër të ishullit për të marrë pjesë në meshën në Tesimolu, në Dili, udha më e lehtë për të arritur në krahasim me kryeqytetin Xhakarta, ku Papa do të ndalojë nga 3 deri më 6 shtatori i ardhshëm. Për kryeipeshkvin e Kupang, prania e Françeskut do të mund të vulosë rrugën e afrimit dhe të pajtimit

R.SH. / Vatikan

Në Kupang, qytet plot gjallëri, qendra më e madhe urbane në pjesën perëndimore të ishullit të Timorit, me 430 mijë banorët e tij dhe kryeqytet i provincës indoneziane të Nusa Tenggara Lindore, qindra njerëz po përgatiten të takojnë Papën Françesku i cili, nga 2 deri më 13 shtator, do të vizitojë Indonezinë, Papua Guinenë e Re, Timorin-Lindor dhe Singaporin. “Sipas parashikimeve, rreth 10 mijë besimtarë, nga dioqezat e Kupang dhe Atambua, do të zhvendosen në pjesën tjetër të ishullit, për të marrë pjesë në meshën në Tesimolu, në Dili” - kujton për Fides kryeipeshkvi i Kupang, Imzot Hironimus Pakaenoni. Besimtarët e kryeipeshkvisë së Kupang nuk do të shkojnë në kryeqytetin Xhakarta, ku Papa do të ndalet nga 3 deri më 6 shtator, por në anën tjetër të kufirit: është më e lehtë të arrish në Timorin Lindor, rreth 10 orë larg me autobus, në vend që të organizosh një udhëtim të shtrenjtë në metropolin indonezian.

Kryedioqezë shumë aktive

Kryedioqeza e Kupang, e cila përfshin pjesën qendrore-perëndimore të Timorit Perëndimor dhe ishujt Roti, Savu, Semau dhe Alor, është streha e më shumë se 1 milion e 600 mijë njerëzve, një nga të paktat në Indonezi - komb me 17 mijëra ishuj dhe vendi më i populluar me shumicë myslimane në botë – që ka më shumë të krishterë. Popullsia lokale është 60% e krishterë protestante, rreth 35% katolike dhe vetëm 3-4% myslimane. Janë 35 famulli dhe të gjitha “shënojnë një fluks dhe pjesëmarrje masive të besimtarëve në jetën e kishës dhe të sakramenteve”, nënvizon imzot Pakaenoni, i cili shton: “Besimi është i gjallë, e shohim sidomos tek të rinjtë. E shohim edhe nga thirrjet për meshtari, që Zoti vazhdon të na i falë: në seminarin minor kemi mbi 100 djem, 90 në seminarin kryesor”. “Ungjilli vazhdon t’i tërheqë të rinjtë” - vëren prelati - i cili së fundmi kremtoi shugurimin për diakonë të 14 të rinjve, që së shpejti do të bëhen meshtarë. Kisha lokale, pra, menaxhon mbi 90 shkolla katolike, nga fillorja deri në të mesmen, e kjo, falë ndihmës së 53 kongregatave fetare.

Kisha dhe autoriteti në punë

"Ne jemi duke bashkëpunuar - shpjegon imzot Pakaenoni - me qeverinë indoneziane për të ndihmuar katolikët të marrin pjesë në vizitën e Papës në Dili. U kemi kërkuar priftërinjve, murgeshave dhe besimtarëve të regjistrohen në famulli. Edhe dioqeza ka bërë marrëveshje me zyrën e imigracionit për të përgatitur dokumentet e shtegtimit. Shumë besimtarë nuk kanë pasaporta dhe për ta do të përgatitet një leje e posaçme - sqaron prelati - ndërsa zyrtarët kanë ndjekur një procedurë të veçantë me lëshimin e pasaportave brenda tre ditëve. Në Dili, kryeqyteti i Timorit Lindor - i cili do të mirëpresë Françeskun nga 9 deri më 11 shtator, pas ndalesave në Indonezi dhe Papua Guinea e Re - pritet edhe prania e besimtarëve indonezianë. Organizimi ka nisur” - tregon kryeipeshkvi.

Mesha në Dili, çast domethënës

Ndër çastet më të pritura është Mesha e Papës, më 10 shtator, në Tesimolu, periferi e Dilit, ku edhe Gjon Pali II pati kremtuar gjatë vizitës  në 1987, kur Timori Lindor ishte nën sundimin indonezian. Pas vitit 1999, kur Timori Lindor shpalli pavarësinë e tij përmes një referendumi nën kujdesin e OKB-së, pasoi një kohë tensioni dhe konfuzioni, e shënuar nga dhuna dhe masakra nga milicitë pro-indonezianë, ndërsa një fluks njerëzish të zhvendosur, që ikën nga Timori Lindor, u derdh në Atambua dhe Kupang, ku bashkësia katolike ka bërë gjithçka ishte e mundur me nisma të ndryshme solidariteti.

Ishin 250 mijë refugjatë, të cilët gradualisht u kthyen në Timorin Lindor. Rrugë pajtimi, e bazuar në një tjetër, psikologjike, të shërimit të traumave  shpirtërore, e cila shëroi pothuajse plotësisht plagët e së shkuarës.

"Prania e Papës do të jetë në gjendje të sanksionojë dhe të vulosë rrugën e afrimit dhe të pajtimit - thotë imzot Pakaenoni - Vizita e tij është jo vetëm për katolikët, por për të gjithë popullsinë. Duhet thënë se ndërmjet Kishave të Timorit Perëndimor dhe atij Lindor nuk ka asnje problem: jemi ne bashkim të plotë". Disa veshtiresi dhe vuajtje ekzistojne ende ndërmjet njerezve dhe "familjeve, që humbën njerëzit e dashur nga dhuna e ende i shohin xhelatet ne anen tjeter te kufirit - vazhdon prelati - që vizitën e Papës e konsideron providenciale, sepse “mund të jetë çast i veçantë hiri”, “çast kërkimi, mirëseardhjeje, faljeje, me besim në Zotin, që shëron plagët”. “Ne si katolikë mund të jemi ndërmjetës dhe lehtësues në këtë proces”, përfundon kryeipeshkvi i Kupang.

26 korrik 2024, 11:59