Kërko

Kryeipeshkvi kroat Josip  Uhač  Kryeipeshkvi kroat Josip Uhač

Uhaç, kardinali që Gjon Pali II nuk arriti ta krijonte

Njëqind vjet më parë, u lind në Kroaci, nunci apostolik dhe sekretari i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, Josip Uhač, përfshirë nga Papa Wojtyla në listën e kardinajve, që do të krijoheshin më 18 janar 1998. Por, vdiq paraditen e asaj dite. Historiani Medved: “Luajti një rol të madh në njohjen e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 1992 dhe më pas, në mbështetjen e popullsisë së Bosnjë-Hercegovinës gjatë konfliktit”

R.SH. – Vatikan

Imzot Josip Uhaç, diplomat kroat dhe sekretar i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, vdiq në Romë të dielën më 18 janar 1998, pak orë përpara lutjes së Engjëllit të Tënzot të Papës Gjon Pali II, i cili e kishte përfshirë në listën e kardinajve të rinj, që do të shpalleshin pikërisht atë ditë dhe do të krijoheshin në koncistorin e 21 shkurtit. “Tri ditë më parë ai u informua për këtë – pati thënë Papa Vojtila – por Zoti e thirri pranë vetes sot paradite”. Kardinali, që mbeti në zemrën e Papës, u lind më 20 korrik 1924 në Santa Jelena, një fshat i Brseçit, në kryedioqezën e Rijeka-Fiumes. Bashkësia vendase po feston këto ditë njëqindvjetorin e lindjes së tij me veprimtari të ndryshme.

Bari i thjeshtë dhe i heshtur

Më 20 janar 2024, përballë kapelës së vogël të Santa Jelenës, u zbulua një stelë në përkujtim të figurës së diplomatit. Nesër do të kremtohet një meshë dhe po përgatitet një konferencë për vjeshtën e ardhshme. I thjeshtë dhe i heshtur, imzot Uhaç nuk ka botuar asnjë lloj ditari me kujtime, prandaj, nuk njihet aq sa e meriton. Këtë nënvizon Marko Medved, profesor i historisë kishtare nga Rijeka. Josip hyri në seminarin dioqezan të Fiumes dhe vazhdoi studimet teologjike fillimisht në Venedik dhe më pas në Gorizia. Në vitin 1945, me përfundimin e luftës dhe me ardhjen e komunizmit, u dërgua nga ipeshkvi në Romë. Pas përfundimit të studimeve në Lateran, u shugurua meshtar më 16 prill 1949 e jetoi për dy vjet në Institutin Papnor Kroat të Shën Jeronimit. Në vitin 1951 u transferua në një famulli romake dhe hyri në Akademinë Kishtare Papnore. Që nga viti 1954, punoi aktivisht në diplomacinë papnore, fillimisht në Panama, më pas në Egjipt, në Gjermani e në Spanjë. Papa Pali VI e emëroi kryeipeshkëv më 23 qershor 1970. Më vonë shkoi si nunc në Pakistan e në disa vende të Afrikës. U emërua nunc në Gjermani e ndenji deri pas rënies së Murit të Berlinit. “Këtu, krahasuar me Azinë dhe Afrikën, ishin në rend të ditës tema krejt të ndryshme - kujton Medved – si qëndrimi dhe roli i Kapitullit të Këlnit në zgjedhjen e pasardhësit të kardinalit Höffner, çështje që kërkonte aftësi jo të pakta diplomatike për të arritur një kompromis për emërimin ipeshkvnor. Pastaj, fermenti i Kishës paskonciliare, çështja e taksave kishtare dhe, së fundi, bashkimi i Gjermanisë me përgatitjet për transferimin e nunciaturës nga Boni në Berlin”.

Njohja e pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë

Më 21 qershor 1991, Papa shenjt Gjon Pali II e emëroi imzot Uhaçin sekretar të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve (dikur Propaganda Fide, sot Dikasteri për Ungjillëzimin). Më vonë iu shtua edhe detyra e drejtorit të Veprave të Misionit Papnor, që e mbajti deri në vitin 1995. “Sot ne e dimë - pohon Medved - se imzot Uhaç luajti një rol të rëndësishëm, dokumentuar pamjaftueshëm, në njohjen diplomatike të pavarësisë së Sllovenisë dhe Kroacisë, kur në krye të diplomacisë së Vatikanit ishin kardinali Jean Luis Touran dhe kardinali Angelo Sodano si Sekretar i Shtetit”.

Përurimi i Nunciaturës Apostolike të Zagrebit

Falë edhe punës së tij diplomatike, në janar 1992, pas disa muajsh lufte, u arrit një armëpushim ndërmjet dy republikave dhe qeverisë së Beogradit. Imzot Uhaç pati nderin ta përuronte si përfaqësues i Gjon Palit II, kur Nunciatura Apostolike u hap në Zagreb në vitin 1993, pas fillimit të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Kroacisë. Lufta, që përfundoi pas njohjes së Kroacisë në janar 1992, shpërtheu në Bosnjë-Hercegovinën e afërt, për Kishën e së cilës, në atë kohë, ishte përgjegjëse Kongregata për Ungjillëzimin e Popujve. Duke pasur parasysh praninë e madhe të katolikëve kroatë në Bosnjë-Hercegovinë, Selia e Shenjtë, përmes kryeipeshkvit Uhaç, arriti të ndihmojë materialisht dhe shpirtërisht viktimat e konfliktit dhe Kishën lokale, u impenjua për mbrojtjen e unitetit të vendit, para kërcënimeve për ndarjen e territorit, nganjëherë edhe nga pala kroate.

Uziniç: meshtar e ipeshkv i thjeshtë, i përvuajtur e besnik

Kryeipeshkvi e mori në spital lajmin për krijimin kardinal, por “biri besnik i Kishës, në shërbim të Selisë së Shenjtë dhe misionit të saj, në kohë sfidash e tensionesh jo më pak impenjative se të sotmet” – siç pati thënë kardinali Sodano në meshën funebre të 20 janarit në Bazilikën e Shën Pjetrit – ndërroi jetë më 18 janar, pikërisht kur Papa shpalli listën e kardinajve. U varros në kishën famullitare të Shën Gjergjit, në Brseç të kryedioqezës Rjeka-Fiume.

19 korrik 2024, 17:55