Kërko

 Ukraina: udhëheqësit luajnë me fëmijët Ukraina: udhëheqësit luajnë me fëmijët  

Ukraina, Caritas Austria krijon “hapësira të sigurta” për fëmijët

Odessa, Ternopil dhe Khmelnitsky janë disa nga qytetet ku është aktiv projekti, që u krijon fëmijëve ukrainas mundësinë të jetojnë të mbrojtur nga lufta, të studiojnë, të luajnë dhe të kenë mbështetjen e plotë psikologjike.

R. SH. - Vatikan

Të duket gjithnjë si utopi të kesh "hapësira të sigurta" në një vend si Ukraina, i cili për dy vjet e gjysmë ka parë raketa që dhunojnë përgjakshëm hapësirat e pambrojtura civile, si spitalet dhe godinat. Caritasi austriak po punon për t'i bërë ato reale dhe të banueshme, me synimin për të mbrojtur të vegjlit. E kështu lindën “oazat”  që u krijojnë fëmijëve mundësinë ta harrojnë sadopak tragjedinë e vazhdueshme. Aktualisht po punohet për 16 shkolla në tre qytete: Odessa, Ternopil dhe Khmelnitsky. Përveç punës në grup dhe lojërave, ofrohet edhe një plan mbrojtjeje me shtatë faza dhe një mbështetje psikologjike individuale, shpjegon nënkryetari i Caritas austriak, Alexander Bodmann.

Projektet e solidaritetit

Sfida është e madhe, pasi në shumë zona të vendit - si qyteti port i Odesës, i vizituar kohët e fundit edhe nga Kardinali Parolin - kushtet e jetesës janë shumë të vështira edhe për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë, gjë që kërkon të racionalizohet edhe tani, kur ndjehet vala e të nxehtit, që krijon shqetësime të mëtejshme. Caritas Austria bëri thirrje brenda vendit, duke kërkuar solidaritet përmes mbështetjes financiare dhe psikologjike.

Bodmann u prit fundjavën e kaluar në Odessa nga ipeshkvi Stanislaw Szyrokoradiuk, i cili e falënderoi për bashkëpunimin e ofruar nga organizata të ndryshme, duke përfshirë ato gjermane dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore. Plani është që të ndahen fondet e mbledhura për riparimin e shtëpive të shkatërruara edhe në rajone të diskutueshme, si Kherson apo Mykolaiv.

Puna e Kishës

Në të njëjtën udhë veprimi po lëviz edhe Kisha e Ukrainës. Imzot Szyrokoradiuk synon të krijojë vendet e strehimit për fëmijët e prekur nga lufta. Njëkohësisht organizohen edhe pushime verore disajavore në një qendër të krijuar në Karpate, për të pritur 300 fëmijë, por edhe grupe që dërgohen në Poloni, Kroaci, Gjermani dhe Austri.

26 korrik 2024, 14:22