Korriku kushtuar Gjakut të paçmueshëm të Krishtit
R.SH. - Vatikan
Pas majit kushtuar nderimit të Zojës Mari dhe qershorit kushtuar Zemrës së Jezusit, erdhi korriku, muaj të cilin Kisha katolike ia kushton Gjakut të Paçmueshëm të Jezu Krishtit.
Besimtarët e dinë se Gjaku i Krishtit është i plotfuqishëm. Na mbron e na shpëton nga të gjitha forcat e së keqes. T’i lutemi, që të mund të jetojmë të mbrojtur nga ky Gjak, i derdhur pikërisht për shpëtimin tonë. Në çdo kohë, në çdo vend, në çdo situatë! Të lutemi me fjalët tona, që na dalin nga zemra, duke pasur gjithnjë pranë Shkrimin Shenjt.
Korriku është muaji që i kushtohet gjakut të derdhur nga yt Bir. Ndaj, o Atë, po ta paraqesim sot Gjakun e paçmueshëm të të Lumit Jezu Krisht! Rrjedhtë e reshtë mbi njerëzimin Hire dhe Bekime Hyjnore si shi jete!
Uratë për muajin korrik, kushtuar Gjakut të Krishtit
Gjaku i Hyjnueshëm, që rrjedh nga venat e Jezusit - Zotit-njeri,
zbrit si vesë ringjalljeje mbi tokën e përlyer
e përmbi shpirtrat, gërbulur nga mëkati!
Të pres, o Gjaku i Krishtit tim!
Stërpike Kishën, botën, mëkatarët, Purgatorin….
Na ndihmo, na pastro, na pushto,
na frymëzo, o Gurrë hyjnore jete!
E mos lejo që rrjedhën ta pengojë
indiferenca e mëkati!
Rrjedhtë e reshtë mbi njerëzimin hire si shi jete,
Si falje, në çastin e vdekjes,
e si lumni, kur shpirti të trokasë në portën e mbretërisë së Atit,
i larë me Gjakun tënd të Hyjnueshëm!