17 gusht 1948, Nënë Tereza veshi sarin e bardhë me vijën blu anash të të varfërve

Më 17 gusht tё vitit 1948, Nënë Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardhë me vijën e blu anash, petkun e njё jete tё re rregulltare, për të hyrë në botën e të varfërve, të cilëve iu kushtua tёrё jetёn deri më 5 shtator 1997, kur në Kalkutë ndërroi jetë. Më 19 tetor 2003, u shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II. Më 4 qershor 2016 u shpall Shenjte nga Papa Françesku

R.SH. - Vatikan

Si sot më 17 gusht tё vitit 1948 Nënë Tereza, Ganxhe Bojaxhiu veshi, për herë të parë, sarin e bardhë me vijën blu anash,  Petkun e një jete rregulltare kushtuar Zotit në shërbim të njeriut, për të hyrë në botën e të varfërve, të cilëve iu kushtua tërë jetën, deri më 5 shtator të vitit 1997kur në Kalkutë ndërroi jetë.

Viti 1948 pёr Motrën Tereze Ganxhe Bojaxhiu ёshtё i rёndёsishёm, sepse atё vit, pas gati 20 vjetësh të kaluara në Kongregatën e Motrave rregulltare të Loretos, ajo e la kuvendin e Entalisë, me pesë rupi në xhep, dhe me veshjen e sarit, me shirita blu, të grave indiane më të varfëra, e nisi misionin e shërbimin e saj plot dashuri ndaj më të varfërve ndër të varfër. Ishte, pra, 17 gushti i vitit 1948. Ganxha e vogël nga Shkupi bëhej Nënë Tereza dhe fillonte, nga ai moment, rruga e saj prej gjiganteje në shërbim të më të varfërve të mbarë botës, pa dallim.

Kujtojmë se Sari bardh e blu, petku i 'Motrave Misionare të Dashurisë' të themeluara nga Nënë Tereza, është tashmë shenjë dalluese, nën mbrojtje juridike qё nga viti 2017, e kjo për të shmangur çdo lloj shpërdorimi. Çdo veshje rregulltare, çdo  zhgun e çdo veladon ka domethënien e vet. Në rastin e 'Motrave Misionare të Dashurisë' të Nënë Terezës, e bardha është simbol i pastrisë, e vijat blu, të kujtojnë ngjyrën e veshjes së Zojës së Bekuar si dhe tre kushtet: varfëri, pastri, bindje.

Më 7 tetor 1950 Kryedioqeza e Kalkutës njihte zyrtarisht 'Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë a të Dashurisë', themeluar nga Ganxhe Bojaxhiu. Në muajt e parë të vitit 1960, Nënë Tereza filloi t'i dërgonte motrat e saj rregulltare në të katër anët e Indisë. E Drejta Papnore, lëshuar Kongregatës së Misionareve të Bamirësisë nga Papa Pali VI, në shkurt të 1965-ës, i dha zemër të hapte një shtëpi misionare në Venezuelë. Menjëherë pas saj u themeluan shtëpi të tjera rregulltare në Romë dhe në Tanzani e, pak më vonë, në të gjitha kontinentet. Duke filluar nga viti 1980, deri më 1990, Nënë Tereza hapi shtëpi misioni të Misionareve të Bamirësisë pothuajse në të gjitha vendet komuniste, duke përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik, Shqipërinë dhe Kubën.

E gjithё veprimtaria e Nënё Terezёs dhe e Misionareve tё Dashurisë kishte një qëllim tё vetëm, nё emër tё Dashurisë sё Zotit t'i përgjigjej sa më mirë si nevojave fizike, ashtu edhe atyre shpirtërore të të varfërve e tё të mënjanuarve tё shoqërisë, kudo, pas asnjë dallim.

Në 1979 iu dha Çmimi Nobel për Paqe. Më 19 tetor 2003, tё Dielën e 29-tё gjatë vitit kishtar, Ditën Botërore Misionare, me ritin e beatifikimit, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit nё Vatikan, u shpall e Lume nga Papa Gjon Pali II.  Më 4 qershor 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan u kremtua riti i kanonizimit, gjatë Vitit jubilar tё Mëshirës Hyjnore, dhe u shpall Shenjte nga Papa Françesku.

Ç’gjë të jashtëzakonshme bëri Nëna e madhe e të varfërve e vijon ta bëjë Kongregata e themeluar prej saj?

Dëshmia e Nënë Terezës dhe e familjes së saj rregulltare, nuk shkëputet nga realiteti, nuk është shumë e lartë, shumë e ashpër, shumë kërkuese, shumë impenjative, për të prekur seriozisht të përditshmen e atyre, që dëshmojnë se janë të krishterë.  Vepra e saj është tronditëse, sepse përfaqëson të vërtetën e Zotit, vënë në jetë me gjithë dashurinë, që mund të ketë zemra njerëzore. E është pikërisht kjo dashuri, që të ndihmon të kapërcesh çdo lloj pengese. Kjo dashuri, që jetohet deri në fund të fundit, duke e lëshuar veten plotësisht në dorë të Zotit.

Nënë Tereza na thotë: “Duaje jetën, ashtu si të vijë”

Sot, në përkujtimin e 17 gushtit tё vitit 1948, kur Nënё Tereza veshi, për herë të parë, sarin e bardhë me vijën e blu anash, për të hyrë pёr tёrё jetën në botën e të varfërve, një ftesë e saj, që tingëllon gati si urdhër për çdo njeri: “Duaje jetën!”.…

Duaje jetën ashtu si të vijë!

Duaje fort jetën tënde, ashtu si të vijë papritë

Duaje plotësisht, mos rri - i ngrysur ditë për ditë.

Duaje kur ka shumë dritë, dhe kur i humb kuptimi,

E duaje fort edhe, kur të ndjek përpas mohimi.

Duaje, kur të lënë vetëm, e ndoshta të poshtërojnë,

E duaje kur si mbret, të gjithë ty të lartojnë.

Duaje dhe kur të vjedhin e t’i lënë duart e thata,

E duaje kur të duan e të mbushin me dhurata.

Duaje kur të flakojnë në shtigje t’errëta të natës,

Por dhe kur zemra, pezull, i qëndron fort shtrëngatës.

Kur s’shikon sy njeriu për javë edhe për muaj,

E sidomos kur ëmbël të lëmon një dorë e huaj!

Duaje kur nuk ka më, aspak  kuptim kjo botë,

Por dhe kur është e hijshme, e mirë e kuptimplotë.

Duaje kur je i lum, duaje kur je i mjerë,

Duaje kur je i fortë e edhe i ligshtë përherë.

Duaje kur ke shumë frikë, edhe kur ke guxim

Duaje si kur të dridh, si kur të mbush me gëzim

Duaje për kënaqësi të  vogla e edhe për të mëdha,

Duaje, kur të bën të qeshësh e kur të bën hata.

Duaje, pse dashuria të jep kuptim e shpresë,

E në fund  vetëm ajo mes nesh gjithnjë do të mbesë,

Kur të nisemi nga viset e mrazta të murrizit,

ka për ta hapur gonxhen në kopshtet e Parrizit! 

 (Përkthim i lirë marr nga libri “Njoha një shenjtore”, shkruar nga kardinali Angelo Komastri).

17 gusht 2024, 13:12