Kërko

Një statujë e Papës Piu IX në gjunjë para relikteve të Djepit të shenjtë Një statujë e Papës Piu IX në gjunjë para relikteve të Djepit të shenjtë

Betlehemi i Romës: Zoja e Madhe dhe reliket e Djepit të shenjtë

Ndërsa Kisha kremton Solemnitetin e Zojës së Borës, eksplorojmë traditën e lashtë, që lidh Shën Marinë e Madhe, bazilikën e parë mariane të Romës, me vendin e lindjes së Jezu Krishtit në Tokën Shenjte. Këtu, në orën 17.30, Mbrëmësoret me Papën Françesku për kujtimin e mrekullisë së dëborës dhe për solemnitetin e kushtimit të Bazilikës liberiane

R.SH. - Vatikan

         Bazilika romake e Shën Marisë së Madhe ka në origjinë një ngjarje të jashtëzakonshme: një reshje bore në Romë në mes të verës. Zoja ia pati zbuluar në ëndërr mrekullinë e mëvonshme Papës Liberi, pasardhësit të 36-të të Shën Pjetrit. Ishte data 5 gusht 359 kur kodra Eskuiline u bë e bardhë. Një reshje bore në mes të verës përcaktoi perimetrin mbi të cilin do të ndërtohej bazilika dhe do t'i kushtohej Virgjërës së Bekuar.

         “Tempulli origjinal sigurisht që nuk ishte i tillë. Ishte një bazilikë shumë më modeste, me një navatë të vetme”, shpjegon për Vatican Media, imzot Ivan Ricupero, Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike të Shën Marisë së Madhe. “Pjesa tjetër u shtua gjatë shekujve. Në fakt, Bazilika u rindërtua më 432 nga Papa Siksti III. Mozaikët në harkun e triumfit kujtojnë atë moment historik”.

Kripta nën altarin e bazilikës së Zojës së Madhe
Kripta nën altarin e bazilikës së Zojës së Madhe

         Me Sikstin III, Bazilika mori karakterin e një "Betlehemi të dytë". Brenda saj u ndërtua një Oratori e Lindjes së Krishtit. Ky riprodhim i shpellës në të cilën lindi Jezusi u ndërtua duke përdorur gurë nga Toka e Shenjtë. Rreth mesit të shekullit të 7-të, më saktë në vitin 644, mbërriti atje dhurata e çmuar, që Patriarku i atëhershëm i Jerusalemit, Shën Sofroni, i bëri Papës Teodori I, me origjinë nga Jerusalemi. Ishte relikja e Djepit të Krishtit (cunabulum).

Në ato kohë, inkursione të shumta persiane shkatërruan shumë nga vendet e lidhura me kujtimin e jetës së Krishtit. Shenjtori, murgu dhe teologu i ardhshëm, mbrojtës i zjarrtë i krishterimit, i dha Papës pesë copa druri nga grazhdi i Betlehemit, së bashku me pëlhurat, me të cilat ishte mbështjellë trupi i Jezusit, sipas traditës. Këto relike ruhen edhe sot brenda relikuarit prej kristali, të zbukuruar me basorelieve argjendi, punuar nga Giuseppe Valadier në fillim të viteve ‘800.

Relikuari ndodhet në Confessio, të cilin Papa Piu IX kërkoi të dekorohej me më se 70 lloje të ndryshme mermeri. U realizua edhe një statujë gjigante e Piut IX të gjunjëzuar, duke shikuar drejt mozaikut në absidë, që përshkruan kurorëzimin e Zojës.

Prandaj, nuk është rastësi që Bazilika Liberiane, e quajtur për shekuj me radhë Sancta Maria ad Praesepem, u bë destinacion për shtegtarët e krishterë gjatë kremtimeve të Krishtlindjes, si dhe objekt i përkushtimit dhe bujarisë së madhe nga ana e papëve dhe sovranëve.

"Që atëherë," vazhdon Msgr. Ricupero, “në këtë Bazilikë është kremtuar Mesha e Natës së Vigjiljes. Kjo praktikë u transmetua më pas dhe u bë një traditë liturgjike e Kishës Katolike në mbarë botën”.

Relikuari i Djepit të Krishtit
Relikuari i Djepit të Krishtit

         Me ndihmën e një sistemi të sofistikuar projektuar nga arkitekti Domenico Fontana, Oratoria e Lindjes së Krishtit u zhvendos poshtë tabernakullit prej bronzi të praruar të kapelës monumentale të të Shenjtnueshmit Sakrament, që Papa Siksti V pati kërkuar të ndërtohej duke respektuar normat e Këshillit të Trentit.

I rrethuar nga afreske kushtuar paraardhësve të Krishtit dhe tregimeve për Virgjërën, Papa i Rilindjes është paraqitur në murin e majtë të kapelës, në monumentin funebër kushtuar atij. Ai lutet me sytë e drejtuar kah altari mesjetar i Oratorisë së Lindjes, ku, në netët e Krishtlindjes së viteve 1517 dhe 1538, respektivisht, Shën Gajtani i Tienes pati një vegim mistik të Jezusit të mitur dhe Shën Injaci i Lojolës kremtoi meshën e tij të parë.

“Themeluesi i Shoqërisë së Jezusit”, shpjegon imzot Ricupero, “do të kishte dashur ta kremtonte në Betlehem, por nuk mundi. Kështu që vendosi ta kremtonte këtu në Shën Marinë e Madhe, konsideruar si "Betlehemi i Romës".

Këtu ndodhet ajo, që thuhet se është skulptura më e vjetër e betlehemit shtëpiak në histori. Krijuar nga Arnolfo Di Cambio, u porosit nga Papa i parë françeskan, Niccolò IV, më pak se 70 vjet pas përfaqësimit të gjallë të skenës së Lindjes së Krishtit në Greccio nga Shën Françesku.

Reliket e Grazhdit të Krishtit)
Reliket e Grazhdit të Krishtit)

         Të paktën pesë statuja origjinale prej mermeri nga kjo kryevepër unike e artit plastik mesjetar, e kujtuar edhe nga Vasari, mbijetuan: figurat e Shën Jozefit, dy mbretër dijetarë, kokat e kaut dhe gomarit. Këtyre u shtohet Zoja me fëmijën e ulur në një shkëmb.

Ashtu si barinjtë e thirrur nga engjëlli për lindjen e Shpëtimtarit, në Vitin e Shenjtë 2025, shumë shtegtarë do të vizitojnë Bazilikën Liberiane, "Betlehemin e Perëndimit". Vështrimi i tyre do të tërhiqet nga mozaikët, pikturat dhe skulpturat e panumërta me vlerë të madhe; nga reliket e çmuara të mantelit të Virgjërës, nga pëlhurat që mbështillnin trupin e Jezusit Foshnjë. Së fundi, shtegtarët do të ndalojnë përpara Salus Populi Romani, ikona e lashtë romake që tradita ia atribuon Shën Lukës, shenjt pajtor i artistëve, por që studimet më të fundit tregojnë se është realizuar në një periudhë ndërmjet shekujve IX dhe XI.

Fugurja është shumë e dashur për papët, në veçanti për Françeskun, i cili vjen këtu para dhe pas çdo Udhëtimi Apostolik. Devocioni është shumë popullor ndër jezuitët: pak e dinë se Matteo Ricci, kur filloi misionin e tij në Kinë, mori me vete një kopje të vogël të ikonës së Zojës nga Papa.

Basoreliev i Papës Liberi dhe mrekullia e borës së gushtit
Basoreliev i Papës Liberi dhe mrekullia e borës së gushtit

         Në qendër të vizitës jubilare në Shën Marinë e Madhe është edhe ndalesa e lutjes para altarit të madh, poshtë të cilit ndodhen reliket e Djepit të Shenjtë, vlera historike e të cilit është verifikuar nga studimet e fundit shkencore. Poleni i marrë nga brenda copave të sikomorit rezulton i ardhur nga rajoni gjeografik i Betlehemit në kohën e Jezusit. Konfirmimin e pati dhënë edhe Shën Jeronimi, mbetjet mortore të të cilit u ruajtën pikërisht në Shën Marinë e Madhe. "Mostrat," kujton mjeshtri i kremtimeve liturgjike të Bazilikës, "u morën në vitin 2018". Me atë rast, Papa Françesku mori vendimin për t'i dhuruar një fragment të relikes së nderuar prej druri Kujdestarisë së Tokës Shenjte. Papa do të hapë Portën e Shenjtë të Shën Marisë së Madhe më 1 janar 2025, në solemnitetin e Zojës, Nënë e Zotit.

05 gusht 2024, 16:20