Kërko

Nënë Tereza e Medalja e Mrekullive Nënë Tereza e Medalja e Mrekullive

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtërorja e Zojës së Medaljes së Mrekullive

Kapela e Zojës së Medaljes së Mrekullive ndodhet në zemër të Parisit, në Rue de Bac 140. Shenjtja shqiptare e bamirësisë, Nënë Tereza ishte e lidhur fort me këtë Medalje, aq sa e mbante gjithnjë ndër xhepa dhe ia falte kujtdo që takonte. Devocioni lidhet me Catherine Labouré, së cilës iu duk Zoja në vitin 1830 e i dha modelin e Medaljes së Mrekullive. Miliona shtegtarë nga e gjithë bota shkojnë për t'u lutur në këtë shenjtërore

R.SH. – Vatikan

Në udhëtimin tonë nëpër shenjtëroret mariane të botës, sot ndalemi në ato të Evropës, të mirënjohura edhe për besimtarët e trevave shqiptare, jo vetëm pse me famë, por sepse edhe më lehtë për t’u vizituar prej tyre, për shkak të afërsisë. Natyrisht, Evropa ka shenjtërore, që kanë hyrë në histori, si ajo e Lurdës, ajo e Fatimës, ajo e Çestokovës e shumë të tjera, por ne do të përpiqemi të nxjerrim në dritë të tjera, jo pse më pak të njohura, por sepse, në një farë mënyre, kanë të bëjnë me shqiptarët. Sot, zgjodhëm shenjtëroren e Medaljes së Mrekullive, që ndodhet në Paris të Francës, edhe sepse shenjtja shqiptare e bamirësisë, Nënë Tereza ishte e lidhur fort me këtë Medalje, aq sa e mbante gjithnjë ndër xhepa dhe ia falte kujtdo që takonte.  

Kapela e Zojës së Medaljes së Mrekullive

Kapela e Zojës së Medaljes së Mrekullive ndodhet në zemër të kryeqytetit francez, në Rue de Bac 140. Që nga viti 1813 ndërtesa Châtillon është shtëpia mëmë e Shoqërisë së Bijave të Bamirësisë së Shën Vinçenc de Paulit, të cilat shërbejnë edhe në Shqipëri e Kosovë. Motrat ndërtuan atje një kapelë kushtuar Zemrës së Krishtit. Edhe në vulën e Shoqatës pasqyrohet Krishti në kryq me Zemrën që digjet nga dashuria, për të treguar kështu se murgeshat kanë si thirrje pikërisht bamirësinë.

Në vitin 1830, Catherine Labouré, sapo hyri në bashkësi, mori hirin për ta parë në vegim Shën Vinçenc de Paulin. Gjatë gjithë periudhës së noviciatit, sheh edhe Krishtin të pranishëm në Eukaristi, që, gjithsesi, nuk i flet. Më vonë, më 18 korrik, 27 nëntor dhe në dhjetor 1830, ajo sheh në vegim Virgjërën Shenjte. Në atë kohë, Zoja e Bekuar i jep modelin e Medaljes së Mrekullive. Që atëherë, miliona shtegtarë nga e gjithë bota shkojnë për t'u lutur në këtë kapelë.

Shën Catherine Laboure dhe Zoja e Medaljes së Mrekullive
Shën Catherine Laboure dhe Zoja e Medaljes së Mrekullive

Dukjet e Zojës

Duke anashkaluar dukjet e tjera, po përqendrohemi vetëm në dukjet e Zojës, për të cilat Catherine Labouré iu lut shumë shën Vinçenc de Paolit, kur e pa në vegim. Më 18 korrik 1830, në orën 11.30 të natës, Katerina dëgjon dikë, që e thërret me emër. Një fëmijë i mistershëm, në këmbët e shtratit, e fton të çohet: “Zoja po të pret”, i thotë. Katerina vishet dhe ndjek fëmijën, që rrezaton dritë kudo kalon. Sapo hyn në kapelë, Katerina ndalet në anën e karriges së priftit, vendosur në pjesën e caktuar për korin. Dëgjon si një shushurimë rrobe mëndafshi. Udhërrëfyesi i saj i vogël i tha: "Ja Virgjëra Shenjte". Katerina ka dyshime, por djali ngre zërin e thotë sërish: “Ja Virgjëra Shenjte”.

Katerina vrapon për t'u gjunjëzuar para Zojës së ulur në karrigen e meshtarit. Më pas, e tregon kështu atë çast: “Iu afrova asaj me hov dhe u gjunjëzova në shkallët e altarit, me duart të mbështetura në gjunjët e Marisë. Çasti, që kalova kështu, ishte më i ëmbli i gjithë jetës sime. E kam të pamundur ta përshkruaj atë që ndjeva. Zoja e Bekuar më tha si duhet të sillesha me rrëfyesin dhe shumë gjëra të tjera”. Zoja i beson një mision dhe i kërkon të themelojë një Vëllazëri të Bijave të Marisë. Kjo do të bëhet nga rrëfyesi, Át Aladel, më 2 shkurt 1840.

Zoja e Medaljes së Mrekullive
Zoja e Medaljes së Mrekullive

27 nëntor 1830

Më 27 nëntor 1830, në orën 17.30, gjatë meditimit, Katerina pa në vendin ku ndodhet tani statuja e Zojës së Globit, si dy piktura të gjalla që shkriheshin tek njëra-tjetra, duke u kryqëzuar. Në të parën, Shën Maria Virgjër qëndronte mbi një hemisferë të Tokës dhe mbante në duar një glob të vogël të artë. Këmbët e Marisë shtypnin një gjarpër. "Këto rreze janë simboli i hirit që Maria fiton për njerëzit", i tha Zoja. Në të dytën, nga duart e hapura të Zojës dilnin rreze me shkëlqim verbues. Katerina dëgjon një zë, që i thotë: “Këto rreze janë simboli i hireve, që fitoj për njerëzit, të cilët m’i kërkojnë”. Pastaj rreth dukjes së Zojës formohet një ovale dhe Katerina sheh të shkruhet në gjysmërreth një frazë të panjohur më parë:

“O Mari e zënë pa mëkat, lutu për ne që ty të kërkojmë ndihmë”, shkruar me shkronja ari. Menjëherë pas kësaj medalja kthehet dhe Katerina sheh faqen tjetër: lart, një kryq mbi shkronjën “M” të Marisë; poshtë, dy zemra, njëra e kurorëzuar me gjemba, tjetra e shpuar nga një shpatë. Më pas, Katerina dëgjon këto fjalë: “Kërko të bëhet një medalje, sipas këtij modeli. Ata, që e mbajnë me fe, do të marrin hire të mëdha”.

Lamtumira

Në dhjetor 1830, gjatë meditimit, Katerina përsëri dëgjoi një zhurmë, këtë herë pas altarit. I njëjti kuadër i medaljes duket pranë tabernakullit, por pak më mbrapa.

“Këto rreze janë simboli i hireve, që fiton Virgjëra Shenjte për njerëzit, që ia kërkojnë... Nuk do të më shohësh më”.

E ky është fundi i dukjeve. Katerina i raporton rrëfyesit të saj, Át Aladel, të gjitha kërkesat e Zojës. Meshtari reagon negativisht, e ndalon vajzën të mendojë për këto gjëra e ajo s’bëzan. Më 30 janar 1831, Katerina përfundon formimin e merr veshjen e murgeshës. Të nesërmen, shkon në azilin e pleqve Enghien, themeluar nga familja d’Orléans, në lindje të Parisit, në një lagje të varfër, ku u shërbeu nevojtarëve për 46 vite me radhë, pa u dukur, por nuk harroi t’ia përsëriste kërkesat e Zojës rrëfyesit të saj.

Papa Françesku bekon statujën e Zojës së Medlajes së Mrekullive, 11 nëntor 2020
Papa Françesku bekon statujën e Zojës së Medlajes së Mrekullive, 11 nëntor 2020

Medalja përhapet në mbarë botën

Në shkurt 1832 shpërtheu një epidemi e tmerrshme kolere në Paris, që shkaktoi më se 20.000 viktima! Në qershor, Bijat e Bamirësisë filluan të shpërndajnë 2000 medaljet e para, të porositura tek një argjendar i Parisit nga Át Aladel, të cilin Katerina nuk e la të qetë deri sa plotësoi kërkesën e Zojës. Kaq shumë njerëz u shëruan, u mbrojtën e u kthyen në rrugën e Zotit, sa që banorët e Parisit e quajtën medaljen "të mrekullueshme". Kur motër Katerina vdiq, në vitin 1876, në botë kishte tashmë më se një miliard medalje të tilla të Zojës!

Domethënia e Medaljes së Mrekullive

Fjalët dhe pamjet e pjesës së përparme të medaljes shprehin një mesazh me tre aspekte të lidhura ngushtë.

"O Mari e zënë pa mëkat, lutu për ne që ty të kërkojmë ndihmë"

Shën Maria Virgjër është e papërlyer që nga zënia. Nga ky privilegj, i cili rrjedh nga meritat e Mundimeve të Birit të saj Jezu Krisht, vjen e gjithë fuqia e saj e ndërmjetësimit. Kjo është arsyeja pse Zoja i fton njerëzit t'i drejtohen asaj në vështirësitë e jetës. Këmbët e saj ia shtypin kokën gjarprit, pra, djallit, së keqes që hyn në botë. Duart e Zojës janë të hapura dhe gishtat janë të stolisura me unaza me gurë të çmuar, nga të cilat dalin rrezet, që simbolizojnë hiret e reshura mbi kryet e njerëzve në Tokë. Unazat simbolizojnë besnikërinë e Marisë ndaj Krijuesit dhe bijve të tij, ndërsa drita, fitoren përfundimtare mbi të keqen.

Medalja, në anën e pasme, ka shkronjën “M” dhe imazhe, të cilat na njohin me misterin e Marisë. Mbi shkronjën "M", që është iniciali i Marisë, ndodhet kryqi i Krishtit, që tregon lidhjen e pazgjidhshme të Birit me Nënën, e cila, përmes dhembshurisë së saj, merr pjesë në flijimin shëlbues të Krishtit. Më poshtë, dy zemra, njëra e rrethuar me një kurorë me gjemba, tjetra e shpuar nga një shpatë. Zemra e kurorëzuar me gjemba është zemra e Jezusit gjatë Mundimeve, para vdekjes së tij, treguar në Ungjij. Zemra e shpuar nga një shpatë është zemra e Marisë, Nënës së tij. I referohet profecisë së Simeonit, thënë në Ungjij, në ditën e paraqitjes së Jezusit në tempullin e Jerusalemit nga Maria dhe Jozefi. Vënia e dy Zemrave pranë e pranë shpreh faktin se jeta e Marisë është bashkim intim me Jezusin.

Rreth medaljes ka 12 yje, që korrespondojnë me dymbëdhjetë apostujt dhe përfaqësojnë Kishën. Medalja është kujtesë për ndërgjegjen e secilit, në mënyrë që besimtarët të zgjedhin, si Krishti dhe Maria, rrugën e dashurisë, deri në dhurimin e plotë të vetvetes.

01 gusht 2024, 13:10