Zoja e Zeitoun - Egjipt Zoja e Zeitoun - Egjipt

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtërorja e Zojës në Zeitoun të Egjiptit

Nga viti 1968 deri më 1971, sipër Kishës së Zeitunit, vend ku, sipas traditës, ka ndenjur Familja Shenjte gjatë qëndrimit në Egjipt, u duk një siluetë drite me pamjen e një gruaje, që shumë besuan se ishte Zoja e Bekuar. Fenomeni u njoh si mrekulli nga Kisha Kopte, por jo nga Vatikani, pasi Papa Pali VI ia la kreut të Kishës Kopte mundësinë për t’u prononcuar publikisht

R.SH. - Vatikan

Më 2 prill 1968, një riparues autobusi, mysliman, pa diçka të çuditshme mbi kishën kopte të Zojës së Zeitunit, në Egjipt. Burri mendoi se bëhej fjalë për ndonjë që donte të vetëvritej, por pasi u afrua, pa një siluetë drite me pamjen e një gruaje. Dukja zgjati pak minuta, por e panë një numër i madh njerëzish, që rrahën nga të katër anët, duke dëgjuar mekanikun (të cilit iu shtua edhe një tjetër, po kështu mysliman), i cili i thoshte “gruas” të mos hidhej. Një javë më vonë ngjarja u përsërit dhe vazhdoi për dy, ose tre herë në javë, për tre vjet, deri më 1971. Shumë besuan se ajo ishte Virgjëra Mari e veshur me dritë. E pikërisht, kjo dukje e Shën Marisë e shenjtërorja përkatëse e Zojës së Zeitunit në Egjipt është argumenti i emisionit të sotëm dhe e dyta nga shenjtëroret mariane të Afrikës, që po paraqesim në këtë cikël.

Zojën e panë myslimanë e të krishterë, madje, edhe ateistë

Fenomeni ndodhi sipër një Kishe, vend ku, sipas traditës, ka ndenjur Familja Shenjte gjatë qëndrimit në Egjipt. Njerëzit e të gjitha besimeve, myslimanë e të krishterë, e panë dukjen e Zojës, madje, edhe në praninë e një komisioni kishtar, formuar nga Patriarku kopt Kyrillos VI. Kisha Kopte e hetoi mirë çështjen e pastaj, deklaroi se ajo dukje e Virgjërës Mari ishte mrekulli. Në qytetin e Zeitunit shërbenin edhe murgeshat e Zemrës së Krishtit, që dërguan një raport në Vatikan, ku përshkruanin me hollësi fenomenin e jashtëzakonshëm, për të cilin ishin vetë dëshmitare. Megjithëse Papa Pali VI ia la kreut të Kishës Kopte mundësinë për t’u prononcuar publikisht, një mision i Vatikanit shkoi në Kajro dhe përgatiti një raport të vetin. Edhe anëtarët e misionit qenë dëshmitarë të dukjes së asaj drite e shkruan kështu në deklaratën zyrtare:

“Dukjet kanë ndodhur në shumë netë dhe vazhdojnë në mënyra të ndryshme. Virgjëra e Bekuar u duk herë e plotë dhe herë si bust, e rrethuar nga një aureolë drite lëbyrëse. Në disa raste, u duk nën harqet e kupolave të Kishës, në të tjera, jashtë kupolave. Kur u gjunjëzua me nderim para kryqit, shkëlqeu me një dritë të fortë. Duke lëvizur duart e saj të bekuara dhe duke tundur kokën, Ajo bekoi njerëzit, që ishin mbledhur për të parë mrekullinë. Herë-herë, dukej në formën e një trupi si re jashtëzakonisht e ndritshme, herë të tjera, si një figurë drite e paraprirë nga trupa qiellorë në formën e pëllumbave, që lëviznin me shpejtësi të madhe. Dukjet vazhduan për periudha të gjata, edhe për 2 orë e 15 minuta, si në rastin e agimit të së martës së 30 prillit 1968... kur fenomeni vijoi pa ndërprerje nga ora 2.45 deri në orën 5.00”.

Shenjtërorja e Zojës së Zeitunit
Shenjtërorja e Zojës së Zeitunit

Dukja e Zojës solli ringjalljen e fesë së krishterë

Mijëra njerëz të besimeve dhe feve të ndryshme, egjiptianë dhe të huaj, anëtarë të klerit dhe shkencëtarë, të klasave dhe profesioneve të ndryshme, ishin dëshmitarë të dukjeve të Zojës. Nga 2 prilli deri më 29 maj, fenomeni u intensifikua e u regjistruan më se 60 dukje, dëshmuar nga mbi 100 mijë vetë. Përshkrimi i secilit prej tyre, bazuar në momentin, vendndodhjen dhe konfigurimin, përkon te të gjithë dëshmitarët, gjë që e bën këtë dukje unike dhe sublime. Është përshkruar edhe se kjo dukje solli ringjalljen e fesë së krishterë dhe shumë vetë u kthyen në krishtërim në atë qytet egjiptian. Pranë vendit të dukjes ndodhën edhe shërime të ndryshme. Gjithashtu, bëri hetime qeveria egjiptiane, pasi presidenti Gamal Abdel Nasser ishte i pranishëm në një nga dukjet, për të cilat policia egjiptiane nuk gjeti asnjë shpjegim.

Vetëm një fotograf

Një fakt i pazakontë, që shoqëroi ngjarjet e Zeitunit ishte se, megjithë të pranishmit e shumtë, egjiptianë dhe të huaj, të pajisur me kamera, vetëm një arriti të përjetësonte pamjet e veçanta: fotografi vendas, Waghib Ziz. I riu, ndryshe nga kolegët e tij të tjerë të pajisur me aparate më moderne, arriti të dokumentonte figurat e shndritshme në dy raste me aparatin e tij të vjetër me lastra. Djali kishte një krah të bllokuar, për shkak të një aksidenti automobilistik. Pasi bëri fotografinë e parë, deshi të ndërronte lastrën, por vuri re i habitur se krahu i lëvizte pa probleme. Nuk ia pati kërkuar këtë hir Virgjërës, thjesht donte ta fotografonte, por mori edhe këtë dhuratë.

Fotografia e Waghib Ziz
Fotografia e Waghib Ziz

Dukja u dha njerëzve shpresë në kohë errësire

Dukjet e Zojës së Zeitunit përfunduan në vitin 1971. Të gjithë, pa përjashtim, u mahnitën nga ajo që panë dhe askush nuk mundi të japë shpjegime shkencore, në mos tjetër, për dritën, që e vërejtën edhe vetë shkencëtarët. Zoja Mari nuk dha ndonjë mesazh të veçantë, por dukjet ndodhën në një kohë kur Lindja e Mesme ishte mes trazirash dhe Egjipti doli i mundur nga lufta arabo-izraelite. Dukja u dha njerëzve shpresë në kohë errësire ​​dhe përforcoi fenë e shumë vetëve. “Zeitoun”, në arabisht, do të thotë “ulli” e pikërisht dega e ullirit është simbol i paqes, nga e cila po privohej pakica kopte e Egjiptit në atë kohë, gjatë luftës së tmerrshme të shtatë ditëve të vitit 1967, që kishte mbjellur zi në gjithë Lindjen e Mesme.

Në dukjen e Zojës së Zeitunit, Kisha Kopte sheh përforcimin e devocionit për Shën Marinë, që daton qysh nga shekujt e parë të krishtërimit. Në një kapelë të nëndheshme të Aleksandrisë të shekullit III, për shembull, një afresk pasqyron Zojën në Dasmën e Kanës e festa e 15 gushtit, të Ngjiturit e Zojës në Qiell, është më popullorja në gjithë Egjiptin.

29 gusht 2024, 09:07