Shenjtërorja e Zojës së Kibehos Shenjtërorja e Zojës së Kibehos

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtërorja e Zojës së Kibehos në Afrikë

“Unë jam Nëna e Fjalës”: kështu iu paraqit Virgjëra e Bekuar 3 studenteve në Kibeho, që njihet si Lurda e Afrikës, pasi dukjet e Zojës në atë fshat të Ruandës janë të vetmet, që njihen nga Kisha në atë kontinent. Në vendin ku u duk Zoja ngrihet tani shenjtërorja e Zojës së Dhimbjeve, siç quhet për faktin se parashikoi luftën vëllavrasëse në Ruandë

R.SH. – Vatikan

Duke qenë në Evropë, shqiptarët, ose së paku një pjesë e tyre, i njohin pak Shenjtëroret e vendeve jashtë këtij kontinenti, sidomos ato në Afrikë, ku përkushtimi për Zojën e Bekuar është shumë i ndierë e një nga pikat e forcës së Kishës Katolike. Shenjtëroret mariane janë të shpërndara kudo në Afrikë si: bazilika e vogël e Zojës së Afrikës në Algjeri, shenjtërorja e Zojës së Ngomé-së dhe ajo e Zojës së Tsheseng-ut në Afrikën e Jugut, shenjtërorja e Zojës së Zeitoun-it në Kajro të Egjiptit, ajo e Zojës së Çlirimit në Issia të Bregut të Fildishtë, si edhe shenjtërorja e Zojës së Kibeho-s në Ruandë.

Pikërisht kjo e fundit, ku u duk për herë të parë Zoja në Afrikë, është argument i emisionit tonë të sotëm. “Unë jam Nëna e Fjalës”: kështu iu paraqit Virgjëra e Bekuar 3 studenteve në Kibeho, që njihet si Lurda e Afrikës, pasi dukjet e Zojës në atë fshat të Ruandës janë të vetmet, që njihen nga Kisha në atë kontinent. Në vendin ku u duk Zoja ngrihet tani shenjtërorja e Zojës së Dhimbjeve, siç quhet për faktin se parashikoi luftën vëllavrasëse në Ruandë.

Zoja e Kibehos
Zoja e Kibehos

“Unë jam Nëna e Fjalës”

Historia e Kibehos filloi në orën 12.35 të së shtunës, 28 nëntor 1981, në një kolegj të drejtuar nga murgesha vendase, frekuentuar nga pak më shumë se njëqind vajza të zonës. Një kolegj rural, i varfër, ku vajzat mësonin për t’u bërë mësuese, ose sekretare. Ai drejtohej nga tri motra të cilat ishin edhe mësuese. Mësuesit e tjerë, një grua dhe pesë burra, ishin laikë. Kompleksi nuk kishte as kapelë, prandaj, nuk ndihej ndonjë atmosferë fetare veçanërisht e fuqishme.

Atë ditë të gjitha vajzat e kolegjit ishin aty. E para e grupit që "e pa" Zojën ishte 16-vjeçarja Alphonsine Mumureke. Sipas shkrimeve të saj në ditar, ndërsa po u shërbente vajzave të tjera në tryezë, dëgjoi një zë gruaje që e thërriste: “Bija ime, hajde këtu”. Ajo shkoi drejt korridorit, ku iu duk një grua me bukuri të pakrahasueshme. Ishte e veshur me të bardha, me një vello të bardhë në kokë, që i fshihte flokët dhe dukej si i bashkuar me pjesën tjetër të veshjes. Ishte zbathur, me duart e bashkuara në gjoks e me gishtat që tregonin nga qielli. Zoja, siç tregon vegimtarja e parë, nuk ishte as e bardhë (muzungu) e as zeshkane, por Alfonsina nuk ishte në gjendje të thoshte saktësisht se çfarë ngjyre kishte lëkura e saj.

E pyeti: "Kush je ti?" dhe ajo u përgjigj, në gjuhën ruandeze: "Unë jam Nëna e Fjalës". Zoja i kërkoi Alfonsinës t’u mësonte shoqeve të luteshin, sepse ato nuk dinin si ta bënin këtë, ose nuk e bënin sa duhej, si edhe ta vlerësonin përkushtimin ndaj Marisë, Nënës së tyre. Dukja zgjati rreth një çerek ore. Së fundi, Zoja u zhduk ngadalë, duke u ngritur drejt qiellit.

Shoqet e kolegjit dëgjonin fjalët e Alfonsinës, por jo ato të Zojës, prandaj menduan se vajza kishte halucinacione dhe e tallën. Për këtë arsye, në vegimet e mëvonshme, ajo i kërkoi Virgjërës t'u dukej edhe disa vajzave të tjera, në mënyrë që të gjitha të besonin. E Shën Maria ia plotësoi dëshirën. Në mbrëmjen e 12 janarit 1982, Zoja iu duk Anathalie Mukamazimpaka, e cila ishte atëherë 17 vjeç. Por vajzat në kolegj vazhduan të mos besonin, derisa dy muaj më vonë, më 2 mars 1982, Zoja iu duk edhe Marie-Claire Mukangango, 21 vjeç. Kjo qe vendimtare, pasi Marie-Claire ishte më skeptike dhe, duke pasur parasysh moshën e saj më të madhe, ushtroi një ndikim të konsiderueshëm te shoqet e tjera të kolegjit. Lajmi i dukjeve u përhap shumë shpejt në të gjithë Ruandën, duke tërhequr një turmë gjithnjë e më të madhe kureshtarësh dhe besimtarësh në Kibeho.

Vegimtarja e parë Alphonsine Mumureke
Vegimtarja e parë Alphonsine Mumureke

Një lumë i tmerrshëm gjaku

Sipas tregimit të vegimtareve, Zoja deshi të sjellë, jo vetëm në Kibeho dhe në tokën afrikane, por në të gjithë botën, mesazhin e saj ungjillor, mesazhin e Birit të vet Jezus, i njëjtë për të gjitha kohërat dhe për të gjitha vendet: dashuri për Hyjin dhe për të tjerët, duke i ftuar të gjithë njerëzit për kthesë, pendesë dhe agjërim. Fryti i gjithë kësaj do të jetë uniteti dhe paqja, pati thënë ajo në dukjet, që vazhduan deri më 28 nëntor 1989, përndryshe mund të ketë vetëm urrejtje dhe armiqësi.

Vërtet, në një nga dukjet, më 19 gusht 1982, para mbi njëzet mijë njerëz, vajzat patën vegimin e frikshëm të genocidit ruandez, që do të përfshinte vendin e tyre 12 vjet më vonë. Atë ditë Zoja iu duk vegimtareve me radhë. Fytyra e saj ishte e trishtuar, dukej shumë e mërzitur. Vegimtaret filluan të qanin dhe dhëmbët u kërcëllonin nga frika.

Dukja zgjati rreth tetë orë dhe pamjet e vegimit ishin të tmerrshme: “një lumë gjaku, njerëz që vrisnin njëri-tjetrin, kufoma të braktisura në mëshirën e fatit e askush për t’i varrosur, koka të prera, një pemë e zhytur në flakë, një përbindësh i frikshëm, një humnerë e hapur...”. Fakte të tmerrshme, që fatkeqësisht do të bëheshin të vërteta me shpërthimin e luftës civile ndërmjet grupeve etnike Hutu dhe Tutsi, vite më vonë.

Mesazh universal shëlbimi

Dukjet e Kibehos u panë me skepticizëm dhe dyshim. Një komision mjekësor ndërkombëtar kreu analiza shumë të kujdesshme për shëndetin fizik dhe mendor të të gjitha vegimtareve. Tri vajza të tjera (Stephanie Mukamurenzi, Agnes Kamagaju, Vestine Salima) dhe një djalë, Emmanuel Segatashya, u përfshinë në dukje më vonë, por vetëm historitë e tri vegimtareve të para (Alphonsine Mumureke, Anathalie Mukamazimpaka dhe Marie Claire Mukangango) u konsideruan më bindëse.

Ashtu si në dukjet e tjera mariane, mesazhi themelor i Kibehos është ftesa për t’u kthyer në fe, lutje dhe agjërim. Në thirrjet e saj, shën Maria nënvizon rëndësinë e dashurisë për të tjerët, fton të mos nënvlerësohet fuqia e vërtetë e lutjes, veçanërisht e Rruzares Shenjte. Alfonsina pati thënë: "Nëse Maria vjen në Kibeho, e bën këtë për të përgatitur kthimin e Birit të saj. Bota është afër fundit. Kthimi i Jezu Krishtit është afër. Por fundi i botës nuk është ndëshkim. Virgjëra Mari vjen për të na paralajmëruar që të përgatitemi për kthimin e Birit të saj. Ne duhet të vuajmë me Jezusin, të lutemi dhe të jemi apostuj që përgatisim kthimin e tij”.

22 gusht 2024, 09:06