Kërko

Shenjtërorja mariane e Loretos Shenjtërorja mariane e Loretos

Çelësi i fjalëve të Kishës: shenjtërorja e Zojës së Loretos

Vend simbol i krishterimit, që mban brenda Shtëpinë e Shenjtë të Nazaretit, në të cilën lindi Maria. Destinacion për shtegtarët dhe artdashësit. Shenjtërorja e Loretos lidhet ngushtë me Shenjten Nënë Terezë. 18 vjeçe, ajo vendosi të hyjë pikërisht në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës së Loretos. Ndërsa, duke nisur nga viti 1928, për më se 20 vjet, dha mësimin e historisë e të gjeografisë në kolegjin e murgeshave të Loretos në Entali, zona lindore e Kalkutës

R.SH. – Vatikan

         E nderuar në mënyra të ndryshme, Virgjëra Mari, Nëna e Zotit, është prani e vazhdueshme në manifestimet e fesë katolike në Evropë. Duke vizituar tempujt që i kushtohen asaj, shihet entuziazmi me të cilin ndiqet Zoja e Bekuar. Pikërisht në kontinentin e vjetër ndodhen disa nga shenjtëroret më të famshme në botë, si katedralja Notre Dame, në Paris të Francës; ajo e Zojës së Medaljes së Mrekullisë po në Paris, për të cilën ju folëm të enjten e kaluar; shenjtërorja e Lurdës, po në Francë; ajo e Jasna Gorës, në Çestokovë të Polonisë; ajo e Fatimës, në Portugali; ajo e Loretos dhe e Zojës së Ngushëllimit në Torino të Italisë; katedralja Santa Maria dei Fiori, në Firence, po në Itali; shenjtërorja e Virgjërës së Almudenës, në Madrid të Spanjës; ajo e Virgjërës së Monserratit, në Barcelonë e Bazilika e Zojës së Pilarit në Saragoza, po në Spanjë.

Zoja e Loretos
Zoja e Loretos

Shenjtërorja e Loretos lidhet ngushtë me Shenjten Nënë Terezë

         Sot, do t’ju flasim për shenjtëroren e Loretos, që lidhet ngushtë me Shenjten Nënë Terezë. 18 vjeçe, ajo vendosi të hyjë pikërisht në Kongregatën e Motrave Misionare të Zojës së Loretos. Ndërsa, duke nisur nga viti 1928, për më se 20 vjet, dha mësimin e historisë e të gjeografisë në kolegjin e murgeshave të Loretos në Entali, zona lindore e Kalkutës.

         Në shenjtëroren e Loretos ruhet dhe nderohet Shtëpia e Shenjtë e Virgjërës Mari; vend kulti, i quajtur nga Papa Gjon Pali II "zemra e vërtetë mariane e krishterimit". Prej shekujsh, një nga vendet më të rëndësishme të shtegtimit për botën katolike. Është vizituar nga rreth 200 shenjtorë dhe të Lumë, si edhe nga shumë Papë.

Papa Françesku në lutje brenda Shtëpisë së Marisë në shenjtëroren e Loretos
Papa Françesku në lutje brenda Shtëpisë së Marisë në shenjtëroren e Loretos

Historia e Shenjtërores së  Zojës së Bekuar në Loreto

         Historia e Shenjtërores së  Zojës së Bekuar në Loreto fillon në shekullin XIII, e pikërisht më 10 dhjetor 1294, kur shtëpia e Nazaretit, ku banonte Shën Maria Virgjër me familjen e saj, erdhi në qytetin italian. Kjo relike e çmuar u soll në Itali, pas rënies së mbretërisë së kryqtarëve në Tokën e Shenjtë. Studimet e fundit, që kanë marrë në shqyrtim gurët, mbishkrimet dhe dokumente të tjera, konfirmojnë se ajo është vërtet Shtëpia e Shenjtë e Nazaretit, vendi ku Zoja e Bekuar jetoi me prindërit e vet, shën Anën e shën Joakimin e ku priti engjëllin, që e lajmëroi për lindjen e Jezusit. Ashtu siç thuhet në bulën "In sublime", me të cilën Papa Juli II vendos vulën papnore mbi traditën e Shtëpisë së Shenjtë të Loretos. “Në kishën e lartpërmendur të Loretos, - shkruan Papa - nuk nderohet vetëm imazhi i Zojës së Bekuar, por edhe dhoma apo shtrati ku u lind dhe u edukua Virgjëra e Bekuar, ku, e përshëndetur nga engjëlli, me fjalën e tij, mbeti shtatzënë me Shpëtimtarin e botës".

Papa Françesku dhe muri i mrekullueshëm rinashimental, që rrethon Shtëpinë Shenjte të Marisë
Papa Françesku dhe muri i mrekullueshëm rinashimental, që rrethon Shtëpinë Shenjte të Marisë

Dokumenti i shtatorit 1294: historia e Nikofor Angjelit, despot i Epirit

Shtëpia e Shën Marisë në Nazaret përbëhej nga dy pjesë: nga një shpellë e gërmuar në shkëmb, e cila nderohet edhe sot në Bazilikën e Lajmërimit të Zojës po në Nazaret, dhe nga shtëpia me mur, ngjitur me të. Sipas traditës, në vitin 1291, kur kryqtarët u mundën dhe u përzunë nga Palestina, shtëpia me mur e Zojës u mbart “nga engjëjt”, më parë në Iliri e pastaj në Loreto.

Sot, mbi bazën e dokumenteve dhe të gërmimeve arkeologjike, si edhe mbi bazën e studimeve filologjike e ikonografike, mund të themi se gurët e Shtëpisë së Shenjtë u mbartën në Loreto me anije, nga njerëzit. Ndër të tjera, një dokument i shtatorit 1294 dëshmon se Nikofor Angjeli, despot i Epirit, kur i dha të bijën për nuse Filipit të Tarantos (djali i katërt i Karlit II Anzhù, mbret i Napolit), i dërgoi pajën e vajzës, në të cilën bënin pjesë edhe “gurët e shenjta të marra nga Shtëpia e Zojës sonë Virgjër, Nëna e Zotit”.

Fëmijë luajnë pranë shenjtërores së Loretos
Fëmijë luajnë pranë shenjtërores së Loretos

Shtëpia e Loretos dhe arti i Rilindjes

Shtëpia e Loretos përbëhet sot nga tre mure, të lartë tre metra. Sipër tyre është ndërtuar me tulla lokale, mur tjetër dhe kupola, që e bën më të përshtatshme për kultin. Veshja me mermer, plot me kryevepra skulpture, që zëvendëson murin e parë prej tulle, quajtur “i rekanatasve” (fillimi i shek. XIV), u financua nga Papa Juli II dhe u realizua nga artistë të shquar të Rilindjes Italiane, sipas projektit të Bramantit. Konsiderohet si një nga kryeveprat më të mëdha skulpturore të artit të Rilindjes. Që atëherë, artistë të mëdhenj kanë ndjekur njëri-tjetrin gjatë shekujve për të zbukuruar shenjtëroren, fama e së cilës është përhapur me shpejtësi në të gjithë botën, duke u bërë destinacion i privilegjuar për miliona shtegtarë: nga Cristoforo Roncalli i njohur si Pomarancio, i cili pikturoi Dhomën e Thesarit dhe kupolën, tek Francesco Selva që dekoroi Tremen e Sakristisë, ndërsa Tiburzio Vergelli ndërtoi Baptisterin madhështor.

Kolegji Ilirik

Kujtojmë së fundi se në Loreto ndodhet edhe Kolegji Ilirik, ku kanë studiuar personalitete të shquara shqiptare. Mjafton të kujtojmë emrat e lidhura me hapat e parë të gjuhës së shkuar shqipe, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, imzot Frang Bardhi, pastaj imzot Gjon Nikollë Kazazi, i cili gjeti për herë të parë Mesharin e Buzukut.

08 gusht 2024, 09:59