Ukraina Ukraina

Ukrainë, don Ladnyuk: “Pavarësisht nga kërcënimet, misionet vazhdojnë. Ne nuk kemi frikë"

Inkursionet ukrainase në territorin rus dhe deklaratat kërcënuese përmes Telegramit të nënpresidentit të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitri Medvedev, nuk i trembin ata që janë përfshirë që në fillim në misionet e ndihmës dhe të mbështetjes së popullatës. Me gjithë “të keqen” e luftës, “e mira” e vëllazërisë vazhdon. Kështu u shpreh në SIR saleziani, i cili sapo ishte kthyer nga një mision humanitar në Donbass e edhe nga kampet verore për fëmijë, organizuar së bashku e me mbështetjen e Vis

R.SH. - Vatikan

“Ne kishim frikë vetëm muajin e parë të luftës. Tani, përpiqemi të mbijetojmë. E të vazhdojmë të punojmë për të çuar ndihma humanitare në zonat pranë frontit e, mbi të gjitha, për të mbështetur të vegjlit. Nuk u ndalëm kurrë”.

Është Don Oleh Ladnyuk, Salezian, i cili i tregon SIR sesi njerëzit në zonat lindore të Ukrainës, disa kilometra larg frontit, po i jetojnë sulmet ukrainase në territorin rus dhe deklaratat kërcënuese të fundit, përmes Telegramit nga zëvendëspresidenti i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Dmitry Medvedev. “Rusët vijojnë luftën që prej tre vjetësh. Ajo që bënë deri tani është e tmerrshme! E pamundur të bëhet më keq”, argumenton Saleziani. "Ata mund të përdorin armë bërthamore në këtë pikë, por unë nuk mendoj se bota mund ta lejojë këtë".

 Don Oleh është kthyer pak kohë më parë nga një mision në Donbass. “Duke folur me ushtrinë dhe popullin civil, askush nuk ka frikë – kujton. Në këto zona të Ukrainës mbeten vetëm njerëzit që nuk kanë frikë. Me çfarë mund të na trembin sot?”

Unë shoh një Donbass të shkatërruar. Asnjë qytet, asnjë fshat nuk u kursye. Udhëtoj më shumë në qytetet që janë shumë afër vijës së parë, duke çuar ushqime, ilaçe dhe gjëra të tjera të nevojshme për mbijetesën e njerëzve që vendosën të mos largohen. I shoh të gjitha qytetet të shkatërruara. Dhe është një gjë shumë e vështirë për t'u pranuar. Të gjitha qytetet që ne i vizitonim disa vite më parë dhe që ishin të bukura, tani janë gërmadha, rrafsh me tokë.  Njerëzit kanë tre vjet që jetojnë në nëntokë dhe kjo është gjëja më e keqe, ashtu siç është e tmerrshme të mos shohësh më fëmijë në Donbass.

Javën e kaluar ne organizuam dy kampe për fëmijët nga Donbass. Shumica erdhën nga zona e Bakhmutit, por edhe nga Luhansk dhe Zaporizhia. I pritëm pranë Dnipros, që të merrnin pak frymë dhe të kalonin ditë të qetë, duke luajtur me njëri-tjetrin, në një ambient të sigurt dhe miqësor, duke marrë pjesë në aktivitete argëtuese dhe duke zhvilluar aftësitë e tyre. Së bashku me organizatën e Vis (Vullnetarizmi Ndërkombëtar për Zhvillim), ne zhvillonim çdo ditë takime në grup dhe individualisht me psikologë. Na thanë se kishin gjetur fëmijë dhe të rinj që fatkeqësisht mendojnë, flasin dhe sillen si të rritur, jo normalë për moshën e tyre. Iu desh të rriteshin shumë shpejt, sepse lufta ua mori një pjesë të jetës. Ndërsa duhej të mbeteshin fëmijë, të luanin, të shkonin në shkollë të qetë, por kjo nuk ishte e mundur në kushtet në të cilat ndodheshin. Ne hapëm edhe kampe në Donbass, në Pokrovsk dhe Donetsk, për t'u dhënë fëmijëve që ende mbetën atje, mundësinë të luanin dhe të kujtonin se  janë ende fëmijë. Punojmë!

09 gusht 2024, 13:05