Perdono d’Assisi Perdono d’Assisi

Ndjesa e Asizit: dhuratë që ia kërkon Zotit çdo njeri

Më 1 e 2 gusht në Asizi kremtohet Solemniteti i Ndjesës së Plotë. Besimtarët, që shkojnë në Porciunkola, në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve, ose në çdo Kishë françekane të botës, mund të fitojnë Ndjesën e Plotë. Të gjitha kremtimet mund të ndiqen edhe përmes streaming.

R. SH. - Vatikan

Siç ka ndodhur çdo vit, që prej tetë shekujsh, Festa e Ndjesës kremtohet në Asizi më 1 dhe 2 gusht. Të kremten ia kërkoi Zotit vetë Shën Françesku i Asiziz, për t’i "çuar të gjithë në Parajsë" dhe e krijoi Papa Honori III, sipas njoftimeve që kemi nga burimet françeskane.

“Të lutem, o Atë, që të gjithë ata të cilët, të penduar e të rrëfyer, do të vijnë të vizitojnë këtë kishë, të mund të fitojnë ndjesën e plotë të të gjitha mëkateve”. Kërkesë guximtare kjo, që Françesku i Asizit ia lypi Zotit, i cili iu duk një natë të vitit 1216, ndërsa ishte përhumbur në lutje, në Porciunkola, në atë kishë të vogël, që sot ka pamjen e tabernakullit. Papritmas, siç  rrëfejnë burimet e kohës, u rrethua i tëri nga një fashë drite.

Zoti ia dëgjoi lutjen! Françesku rendi menjëherë tek Papa Onori III, për të miratuar ndjesën e, më 2 gusht 1216, përballë një turme vigane, në praninë e ipeshkvijve të Umbries, shpalli Ndjesën e parë të Plotë. E i tha turmës, që ishte mbledhur e po e dëgjonte: “Vëllezër, dua t’ju çoj të gjithë në Parriz, ndaj po ju kumtoj  hirin, që  e mora nga goja e Atit të Shenjtë”. Ngjarja, si gjithmonë, do të ishte një mundësi për ta rijetuar Mëshirën e Zotit përmes sakramentit të Rrëfimit, Kungimit, gëzimit dhe vëllazërisë.

Ndjesa e plotë e mëkateve

Kështu, në atë ditë të largët e të valë vere lindte thesari i Porciunkolës, Ndjesa e plotë, që mund të kërkohet për vete e edhe për të vdekurit. Për ta merituar, duhet të  rrëfehesh, të marrësh pjesë në meshë, të kungohesh e, gjatë vizitës, të thuash Besojmën e Atynën. Së fundi, edhe lutjen sipas ndjeteve të Papës e për Papën. Çdo vit mijëra shtegtarë dynden nga vise të ndryshme italiane e më gjerë për të marrë pjesë në dy ditët, organizuar nga Fretërit e Vegjël dhe Dioqeza e Asizit, gjatë të cilave do të jetë e mundur të përfitohet ndjesa e plotë.

Programi

Festa nisë më 1 gusht me hapjen e Kremtimit Eukaristik e përfundon me procesionin e "Hapjes së Ndjesës", të quajtur kështu, sepse nga ai çast - d.m.th. nga ora 12 e mesditës së 1 gushtit deri në mesnatën e datës 2 – ndjesa e plotë e Porziuncolës shtrihet në të gjitha kishat françeskane të përhapura në mbarë botën. Më 2 gusht do të jetë e mundur të merret pjesë në kremtimet e shumta Eukaristike solemne. 

01 gusht 2024, 18:41