Fjala e Zotit e së dielës së 19-të gjatë vitit “B”
R. SH. - Vatikan
Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 19-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të Kishës.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 19-të “B”
Dialogu ndërmjet Jezusit dhe turmës, dëshmitare e mrekullisë së shumëzimit të madh të bukës dhe peshkut, vazhdon edhe këtë të diele. Mrekullia e shumëzimit të bukës i jep Jezusit rastin për të shpjeguar domethënien e asaj dhurate të Atit, që na kujton dhuratën par excellence, atë të Birit, Jezu Krishtit, i cili është bukë që jep jetën e vërtetë e të përjetshme. Kushdo që shkon tek Ai nuk do të ketë kurrë uri dhe kushdo që beson se në Të nuk do të ketë më etje.
Zoti kërkon nga ne të mos mendojmë vetëm për shqetësimet materiale. Besimi në Jezusin nuk është ide, por takim me një Vetje të gjallë, që i jep kuptim jetës sonë. Këtë nënvizojnë leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele. Jezusi, na fton të mos mbyllemi në horizonte thjesht njerëzore, por të shikojmë shumë më larg, ta hapim zemrën për të parë horizontet e pafundme të Zotit, horizontet e fesë.
Fragmenti i Ungjillit të kësaj së diele (Gjn 6,41-51), na tregon turmat e kërkojnë Jezusin, sepse kishte kryer punë të mrekullueshme, kjo do të thotë se Zoti dëshiron t’i ndihmojë njerëzit të shkojnë përtej plotësimit të menjëhershëm të nevojave të tyre materiale, ndonëse edhe ato, pa dyshim, të rëndësishme.
Jezusi dëshiron t’u hapë një horizont jete, që nuk është thjesht ai i shqetësimeve të përditshme, shqetësimit për të ngrënë, për t’u veshur, për të ngjitur shkallët e karrierës. Jezusi flet për një ushqim, që nuk mbaron kurrë, të cilin njeriu duhet ta kërkojë e ta bëjë të vetin.
Shën Leoni i Madh na kujton se: “Pjesëmarrja e jonë në Korpin e në Gjakun e Krishtit nuk priret drejt asgjëje tjetër përveç se ne Të bëhemi ajo çka marrim në zemër“. Në çdo kremtim të Eukaristisë, marrim nga Korpi dhe Gjaku i Krishtit atë dashuri të lirë dhe të pastër që na bën dëshmitarë të denjë të Krishtit dhe dëshmitarë të gëzimi të Tij. Shën Gjonit Maria Vianejt i pëlqente t’u përsëriste besimtarëve të famullisë: “Ejani në kungim... Është e vërtetë se nuk jeni të denjë për të, por keni nevojë”. O Zot, sot Ti na dhuron jetën, na dhuron vetveten. Hy në ne me dashurinë tënde Hyjnore. Na bëj të jetojmë “të sotmen” tënde. Na bëj mjete të paqes tënde. Amen
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi I 1 Mbr 19, 4-8
Lexim prej Librit të parë të Mbretërve
Në atë kohë, Elia vetë mori rrugën e shkretëtirës e udhëtoi një ditë rrugë. Kur mbërriti, u ul të pushojë nën një dëllinjë, i dëshiroi vetes vdekjen e tha: “S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!” Atëherë ra e fjeti nën hijen e dëllinjës. Por ja, e preku engjëlli dhe i tha: “Çohu e ha!” I hapi sytë, kur qe, te kryet e tij një bukë e pjekur dhe një katrovë me ujë. Elia hëngri e piu dhe përsëri ra e fjeti. Porse engjëlli i Zotit u kthye edhe të dytën herë, e preku dhe i tha: “Çohu e ha; sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë.” Elia u çua, hëngri e piu. I forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 34
Ushqimi yt, o Zot, i forcon skamnorët në udhën e tyre
Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.
Bashkë me mua jepni lavdi Zotit,
le ta lartësojmë së bashku Emrin e tij.
E kërkova Zotin e ai më dëgjoi,
edhe më çliroi nga çdo frikë që pata.
Shikojeni atë e do të ndriçoheni,
fytyra juaj nuk do të turpërohet.
Ja, skamnori e thirri në ndihmë e Zoti e dëgjoi
dhe e shpëtoi nga të gjitha vuajtjet e tija.
Engjëlli i Zotit ngreh llogore rreth atyre
që e kanë frikë dhe i shpëton.
Sprovoni e shihni sa i mirë është Zoti!
I lumi ai që shpreson në të!
Leximi II Ef, 4.30-5.2
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve
Vëllezër, mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit. Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, sharje me çdo lloj ligësie. Përkundrazi, jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm; falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin. Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri, sikurse Krishti na deshi ne dhe për ne ia flijoi vetveten Hyjit porsi kusht e fli që jep erë të mirë. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!
Aleluja. Aleluja.
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit, thotë Zoti: kush ta hajë këtë bukë do të jetojë për amshim.
Aleluja.
Ungjilli Gjn 6, 41-51
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit
Në atë kohë, Judenjtë nynykatnin kundër tij pse tha: ‘Unë jam buka që zbriti prej qiellit.’ Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babën e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit’?” Jezusi u përgjigj: “Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit.’ Kushdo, pra, e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur. Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën mannën në shkreti dhe vdiqën. Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im, për jetën e botës. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Homelia nga Dom Dritan Ndoci:
E DIELA XIX GJATË VITIT:NËSE NDOKUSH E HA KËTË BUKË, DO TË JETOJË NË AMSHIM.
1Mbr 19, 4-8; Ps 34 (33); Ef 4, 30 – 5, 2; Gjn 6, 41-51
Përsëri Ungjilli i kësaj të diele na sjell vazhdimin e bisedës që Jezusi bën me judenjtë menjëherë pas shumimit të pesë bukëve dhe dy peshqve dhe e shohim qartë se bëhet fjalë për një bisedë shumë të rëndësishme për ato që duan të ndjekin Jezusin.
Kisha, në këto të diela, dëshiron të na vëjë edhe një herë përballë misterit të madh të Eukaristisë, sepse për pesë të diela radhazi (kjo është e treta), shkëputemi nga leximi i Ungjillit sipas Shën Markut dhe ndalemi tek kapitulli i gjashtë i Ungjillit sipas Shën Gjonit që flet për shumimin e bukëve dhe mësimin e Jezusit mbi misteri e pranisë së Tij në Eukaristinë që do të themelonte.
Le t’i afrohemi, pra, Shkrimit të Shenjtë që sot e dëgjuam, për të kuptuar sado pak nga ky mister tejet i madh.
Pikësëpari na bie në sy kundërshtimi i judenjve të cilët fillojnë të «nynykasin» kundër Jezusit, ngaqë ky kishte pohuar: «Unë jam buka që zbriti prej qiellit.» Ata janë të sigurtë se e njohin Jezusin – duke qenë se i njihnin «babain dhe nënën» – e prandaj ky pohim i tij u duket tepër i çuditshëm.
Por Jezusi ndërhyn me një fjali që në pamje të parë duket edhe më e çuditshme: «Mos nynykatni njëri me tjetrin! Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati , që më dërgoi, nuk e tërheq.» Kjo fjali mund të na bëjë të mendojmë se, për të shkuar tek Jezusi, nuk qenka në dorën tonë, por qenka si çështje fati, meqë qenka zgjedhje e Atit të Amshuar e jo jona.
Por, gabojmë, sepse, të jesh i «tërhequr nga Ati», do të thotë të jesh si «i joshur» prej Tij e të tërhiqesh nga mënyra e Tij e të të vepruarit. E mënyra e Tij e të vepruarit është pikërisht mënyra e një «Ati», pra plot me dashuri.
Për ta kuptuar këtë, na vjen në ndihmë leximi i dytë. Aty Shën Pali thotë: «Vëllezër, mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit, me të cilin Hyji ju vulosi për ditën e shpërblimit!» I krishteri nuk udhëhiqet kryesisht nga Ligji i jashtëm, i shkruar në ndonjë letër, por nga “Ligji” i brendshëm, domethënë nga Shpirti Shenjt që vepron brenda Tij, Tempull i të cilit ai është bërë në pagëzim. Ta «trishtosh Shpirtin Shenjt», do të thotë të mos e lejosh Atë të veprojë në ty e të jepesh pas veseve, në vend që të jepesh pas virtyteve të krishtera. Prandaj Shën Pali shton: «Le të flaket larg jush çdo pikëllim, zemërim, hidhërim, britmë, shamje me çdo lloj ligësie!» Fton që të flaken tutje veset.
Të flakim pikëllimin: jo rrallë shumë prej ne të krishterëve izolohemi në ndonjë pikëllim tonin. Një vështirësi në jetën e përditshme, një papunësi, një njeri që shpif diçka për ne, një sëmundje apo një rast vdekjeje i një njeriu të dashur. Kujdes: edhe këtu duhet ta lëmë veten të ndihmohemi nga Fjala e Hyjit e të tërhiqemi prej Saj.
Të flakim zemërimin, hidhërimin, sharjet: shumë herë i justifikojmë mëkatet tona duke thënë: «Kur jam i zemëruar, nuk di ç’bëj e nuk di ç’flas, prandaj Zoti më faltë.» Po të gërmohet më thellë në ndërgjegjen e atij që justifikohet kështu, shohim që ka bindjen e gabuar se, kur njeriu është i zemëruar, ka të drejtë të bëjë çdo gjë. Duhet ta edukojmë nervozizmin tonë e të mos e lëmë pas dore vigjilencën mbi dobësinë tonë e cila shumë kollaj gjen “rrugica” për të na çuar larg Zotit. E kontrollon nervozizmin e gojën e vet vetëm ai që është i joshur nga Zoti.
Shën Pali, sikurse e tha haptas se çfarë duhet të flakim, na mëson edhe se çfarë duhet të bëjmë: «Jini njëri për tjetrin të mirë, zemërdhimbshëm». Nuk bëhet fjalë për një falje e zemërdhembshuri dosido, por për falje që e ka themelin në Krishtin: «Falni njëri-tjetrin sikurse edhe Hyji ju fali ju në Krishtin!» Edhe më i qartë është kur thotë: «Përngjani Hyjit porsi bij të dashur dhe jetoni në dashuri!»
Kur jetojmë në dashuri (e cila ka si model Hyjin-Dashuri) atëherë do të thotë se jemi të tërhequr e të joshur nga Ati ynë qiellor e, vetëm atëherë, do të jemi të joshur edhe nga Jezusi.
Praninë e Jezusit në Eukaristi nuk e kuptojmë kurrë plotësisht, por, kur fillojmë të jetojmë me dashuri e me fe të gjallë në Jezusin, atëherë këtë prani e besojmë dhe e pranojmë si Dhuratën më të madhe që Ai mund të na bënte, duke qenë se na dhuron pikërisht Vetveten. Atëherë e kuptojmë se Jezusi është i pranishëm në këtë Sakrament të Tejetshenjtë dhe se, duke u ushqyer me Të, ne marrim hiret e duhura për të jetuar në hir të Zotit e për t’u larguar nga mëkati. E kuptojmë kështu se Ai është buka e jetës sonë.
Tani, për të shkuar edhe pak më thellë në kuptimin e Ungjillit, duhet t’i hedhim sytë pak kah leximi i parë, në të cilin flitet për Elinë profet, një figurë tejet e rëndësishme për popullin e Izraelit. Gjatë jetës së Elisë, Izraeli përjetoi një kohë largimi vëretet shumë të madh e të rrezikshëm nga kulti i pastër ndaj Zotit të vërtetë. U arrit deri në atë pikë saqë Elia të ishte i vetmi prift e profet që i kishte qëndruar besnik Besëlidhjes së Etërve me Hyjin. Do të ishte pikërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të fuqishëm të këtij profeti të madh që Hyji do ta kthente edhe një herë Izraelin kah Vetja.
Pjesa e sotme flet për një udhëtim shumë të gjatë e të lodhshëm të Elisë nëpër shkretëtirë. Pasi «udhëtoi një ditë rrugë», ai ishte lodhur shumë dhe «u ul të pushojë nën një dëllinjë». Kaq ishte lodhur, saqë «i dëshiroi vetes vdekjen». Prandaj i drejtohet Hyjit: «S’mundem më, o Zot! Ma merr tani jetën se nuk jam më i mirë se të parët e mi!» E ra të flinte.
Por pas pak një engjëll e preku dhe i tha: «Çohu e ha!» Elia e hëngri bukën dhe e piu ujin që gjeti përbri vetes mrekullisht, por përsëri ra të flinte. Engjëlli përsëri iu afrua, e preku dhe i tha: «Çohu e ha, sepse të duhet të bësh rrugë të gjatë!» Elia u bind. U nis për udhëtim dhe, çuditërisht, «i forcuar me atë shujtë, udhëtoi dyzet ditë e dyzet net deri në malin e Hyjit, në Horeb». Numri «dyzet» në Bibël tregon një periudhë pendese e thellimi të jetës me Zotin. Në përfundim të këtij udhëtimi Elia do të takojë realisht Hyjin në malin Horeb.
Patjetër që na bën përshtypje se si kishte mundësi që, një vakt i vetëm, t’i mjaftonte për një udhëtim aq të gjatë. Mbase kjo është një mënyr tjetër e Biblës për të folur për forcën e Hirit Hyjnor.
Por ajo bukë që hëngri dhe e forcoi aq shumë për atë udhëtim të gjatë, ishte një shëmbëllesë e asaj «buke të jetës» që është vetë Jezusi i pranishëm në Sakramentin e Tejet Shenjtë të Eukaristisë. Eukaristia është «shujta» jonë, domethënë forca jonë, në shkretëtirën e kësaj jete, deri në takimin tonë përfundimtar me Hyjin Trini në Parriz.
Në jetën e shumë shenjtërve, Hyji ka dashur ta tregojë këtë jo vetëm nga ana shpirtërore, por edhe trupore. Flitet për shenjtër që kanë jetuar me vite e vite pa u ushqyer me asgjë tjetër përveçse me Kungimin e Shenjtë. Shenjtërit na e shpjegojnë më bukur se askush tjetër efektin që mund të ketë në ne Kungimi i Shenjtë.
Shën Jozef Moskatin, mjekun e shenjtë napoletan, i cili vdiq në fillim të shekullit XX e që punonte me ritme shumë të dendura në ndihmë të të sëmurëve, një ditë e pyetën se si mund t’i rezistonte një veprimtarie aq të madhe. Ai iu përgjigj: «Kush e merr Kungimin çdo mëngjes, ka me vete një forcë që kurrë nuk shuhet.» Kështu kuptohet edhe se si, ky mjek i “çuditshëm”, në disa raste lëshonte receta ku, përveç se u jepte ilaçe, i porosiste të sëmurët që të shkonin edhe në Meshë. «Kurë me Eukaristi», u shkruante në receta. Ishte i bindur se efektet e Eukaristisë nuk janë vetëm shpirtërore, por prekin tërë personin njerëzor.
Kaq shumë disa shenjtër e donin Jezusin të pranishëm në Eukaristi, saqë edhe fizikisht e shprehnin me gjeste të habitshme këtë dashuri. Shën Filip Neri thuhet se, kur ishte në spital i sëmurë dhe nuk arrinte të flinte, në vend që të thërriste mjekët, bërtiste: «Më jepni Zotin tim dhe pastaj do të fle!»
Këta njerëz e përjetonin në trupin e tyre, përveçse edhe shpirtërisht, se kungimi është me të vërtetë «buka e jetës», shujta, forca e ecjes sonë tokësore. E besonin ngultas atë që Jezusi thotë në Ungjillin e sotëm: «Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.»
Prandaj, për ta kuptuar sadopak praninë e Jezusit në Eukaristi, na duhet të hyjmë në logjikën e dashurisë siç na mëson Jezusi dhe ta pranojmë Eukaristinë e Shenjtë si Dhuratën më të madhe këtu mbi tokë, Dhuratë e cila na forcon në ecjen drejt atdheut tonë qiellor.
Kjo shujtë na e përtërin gjithnjë ecjen, na edukon në dashuri, na largon nga veset mëkatare dhe është për ne si paradhënia e asaj lumturie të amshuar drejt së cilës na çon.
I Lumi Karlo Akutis, një djalosh i ëmbël italian, gjeni i informatikës, që, qysh se kishte marrë kungimin e parë në moshën shtatëvjeçare asnjë ditë nuk kishte munguar në Meshën Shenjte dhe që vdiq në vitin 2006 në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare, ka lënë të shkruar: «Eukaristia është autostrada ime për në qiell.» E, në fakt, Selia e Shenjtë, në vitin 2013, ka filluar procesin e lumnimit për të, proces i cili u përfundua më 10 tetor 2020 kur qe shpallur i Lum.
Dom Dritan Ndoci