Vangelo della XVI domenica dell'Anno 'B' Vangelo della XVI domenica dell'Anno 'B'

Fjala e Zotit e dielës së 21-të gjatë vitit kishtar “B”

Edhe në botën e sotme jo pak njerëz shkandullohen nga paradoksi i fesë së krishterë. Mësimi i Jezusit duket i vështirë për t’u pranuar e vënë në jetë. E Ai kërkon nga secili prej nesh përgjigje personale. Nuk kënaqet me qëndrime të cekta e formale, nuk i mjaftojnë disa hapa entuziaste pas tij, përkundrazi, duhet të mendosh si Ai e të bësh vullnetin e Tij për gjithë jetën.

 

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 21 gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë 'B', sipas kalendarit liturgjik. 

Fjala e Zotit, që dëgjojmë këtë të diele, i mbyll të dielat e verës, të cilat mund t’i quajmë një “liturgji të bukës”, temë e pasionuar dhe qendrore e misterit të krishterë që është Eukaristia. Koncili kishtar i Dytë i Vatikanit ka pohuar se Eukaristia është “burimi dhe kulmi” i fesë së krishterë. Të besosh, të kremtosh, ta pranosh Eukaristinë do të thotë ta pranosh Krishtin, do të thotë të pranosh jetën e amshuar hyjnore.

 Fjala e Zotit e dielës së 21-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Fjala e Zotit e dielës së 21-të gjatë vitit kishtar ‘B’

Jemi në fundin e kapitullit të gjashtë të Ungjillit të Gjonit, kapitullit të Eukaristisë (6, 60-69), i cili përfundon në një mënyrë të hidhur, duke regjistruar një hemorragji në dishepujt e Jezusit, një largim të shumë dishepujve nga Mësuesi Hyjnor. Me një krizë të madhe, kështu, përfundon misioni i Jezusit në Galile: “Që atëherë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”.... e shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të".

Edhe sot ka ende shumë njerëz që shkandullohen nga feja e krishterë, sepse të besosh në Jezu Krishtin, kërkon të bësh gjithë jetën vullnetin e Tij. Pra, edhe sot e kësaj dite feja e krishterë shkandullon e ka nga ata njerëz, që përpiqen t’ia përshtasin kohës e edhe nga ata, që e braktisin besimin në Krishtin. Vetëm duke e lëshuar plotësisht veten në dorë të Zotit, siç bёri Shenjtja Nёnё Tereza, mund të gjejmë përgjigjen dhe lumturinë e vërtetë. 

Në Ungjillin e kёsaj së diele nga Gjoni, Jezusi u kërkon dishepujve t’i kushtohen plotësisht planit të Tij të shëlbimit. Por shumë prej tyre, pasi e ndoqën për një copë udhë, u kthyen prapa. Edhe në botën e sotme jo pak njerëz shkandullohen nga paradoksi i fesë së krishterë. Mësimi i Jezusit duket i rëndë, i vështirë për t’u pranuar e aq më tepër, për t’u vënë në jetë. Disa, atëherë, e mohojnë dhe e braktisin Krishtin; të tjerë kërkojnë t’ia përshtasin fjalën e Tij modave të kohës, duke ia shtrembëruar kuptimin e vlerën. 

Edhe sot Kisha na drejton të njëjtën pyetje, që Jezusi ua pati bërë apostujve: “A doni të shkoni edhe ju?. Ky ngacmim shqetësues jehon përsëri ndër zemra e kërkon nga secili prej nesh përgjigje personale. E Jezusi nuk kënaqet me qëndrime të cekta e formale, nuk i mjaftojnë disa hapa tanë entuziaste pas tij, përkundrazi, duhet të mendosh si Ai dhe si Ai të bësh vullnetin e Atit Qiellor për gjithë jetënPjetri Apostull përgjigjet, në emër të apostujve, duke shprehur besimin e tij të plotë në fjalët e Zotit Jezus, që janë fjalë të jetës së amshuar!. Ti o Jezus, Fjalë e Gjallë e Atit, na jepë shpresë dhe besim neve që e kërkojnë kuptimin e vërtetë të jetës sonë.

                                                    Liturgjia e Fjalës

Leximi I Joz 24, 1-2.15-17.18

Lexim prej Librit të Jozuehut

Në ato ditë, Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe i grishi pleqtë, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nahorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. Në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!”
Populli u përgjigj: “Zoti mos e thashtë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha, dhe na ruajti në çdo udhë nga kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. Mandej, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçërisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë!” Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!


Psalmi 34

Zoti është afër atij që i shërben

Përherë do ta bekoj Zotin,
në gojën time përherë është lavdi i tij.
Shpirti im mburret në Zotin: 
le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

Sytë e Zotit këqyrin të drejtët,
veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.
Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve
për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,
i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.
Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,

i shpëton shpirtpërgrirët.


Sado të vështira të ketë i drejti,
prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.
Zoti i ruan eshtrat e tyre:
asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.

E keqja e vet do ta vrasë bakeqin,
e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.
Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet, 
nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

Leximi II Ef 5,21-32

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, nënshtrohuni njëri-tjetrit në frikën e Krishtit! Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit. Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës, Ai Shëlbuesi i Trupit. Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka. Ju, o burra, doni gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me larje dhe me fjalë, që ta bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë send si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë. Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta, porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij. ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën për lidhjen e Krishtit me Kishën. Fjala e Zotit. Falënderojmë Hyjin!

Aleluja. Aleluja.
Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë; ti ke fjalët e jetës së pasosur.
Aleluja.

Ungjilli Gjn 6, 60-69

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?” Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po nynykatnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë? Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë.” Sepse Jezusi e dinte qysh në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Dhe shtoi: “Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.” Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi i pyeti edhe të dymbëdhjetit: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Simon Pjetri i përgjigj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”. Fjala e Zotit. Lavdi të qoftë ty, o Krisht!

Homelia nga Dom Dritan Ndoci:

Homelia nga Dom Dritan Ndoci

E DIELA XXI GJATË VITIT: TE KUSH TË SHKOJMË ZOTËRI? TI KE FJALËT E JETËS SË PASOSUR.

(Joz 24, 1-2.15-17.18; Ps 34 (33); Ef 5, 21-32; Gjn 6, 60-69)

Pjesa e sotme ungjillore është pjesa e fundit e kapitullit të gjashtë të Ungjillit sipas Gjonit, kapitull të cilin Kisha na ka bërë ta dëgjojmë katër të diela radhazi e kjo është e pesta. Qëllimi është që ne të kemi mundësi të dëgjojmë drejtpërsëdrejti fjalët e Jezusit rreth pranisë së Tij reale në Eukaristi.

Ka shumë gjëra që do të duhej të shpjegoheshin tek kjo pjesë e bukur e ungjillore, por do të ndalemi vetëm tek disa prej tyre.

Vëmë re se bashkëbisedimi i Jezusit me judenjtë nuk qe edhe aq i suksesshëm. Madje Ungjilli i sotëm thotë edhe se «Shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”» Këto fjalë të Jezusit nuk zënë vend as tek ata njerëz të cilët kishin filluar ta ndiqnin atë si Mësues.

Arsyeja përse tërhiqen prapa është e qartë: mësimi i Jezusit është i pakuptueshëm për ta. Është po ajo  “arsye” që gjatë shekujve përsëritet vazhdimisht: njeriu është i tunduar të mendojë se mund t’i zihet besë vetëm asaj që hyn në kategoritë e tij të të arsyetuarit. Edhe më fort në kohën tonë prirja është që të besojmë se vetëm ajo që është e kapshme nga arsyeja njerëzore – ose më saktë nga intelekti i ftohtë i njeriut – vetëm ajo është e vërtetë. Por nuk është aspak kështu.

Pikësëpari ngaqë njeriu nuk është vetëm intelekt. Blezë Paskal, intelektual i shquar francez i shekullit XVII, i cili ishte edhe një i krishterë i bindur, thoshte: «Zemra ka arsye që arsyeja nuk i kupton», duke kuptuar me termin ‘zemër’ tërë bagazhin afektiv të njeriut.

Së dyti, për njeriun nuk është kurrë e mundshme të kuptojë misteret e Hyjit. Janë disa të vërteta që njeriu i kupton dhe idetë e tij përputhen me idetë e Hyjit, por ka shumë të tjera të vërteta për të cilat na kërkohet t’i besohemi ideve të Hyjit, fjalës së Tij, duke qenë se është e pamundur që ne, krijesa, të kuptojmë Krijuesin tonë.

Edhe më e vërtetë është kjo gjë, po të mendojmë se ne – e, si rrjedhojë, edhe intelekti ynë – jemi të plagosur nga mëkati. A mund t’i zëmë besë gjithnjë asaj, pra?

Por, edhe këtu, Paskali që sapo cituam, thoshte me një logjikë të hekurt: «Nëse ne besojmë në gjithëpushtetësinë e Zotit, ku është zori që të besojmë edhe te prania e Tij reale në Eukaristi?»

Pastaj, duhet ta themi: kur ne shpesh nuk kuptojmë vetveten, përse u dashka patjetër të pretendojmë t’i kuptojmë misteret Hyjnore?!

Por le t’i kthehemi pjesës së sotme ungjillore. Megjithatë para se të kalojmë tek rreshtat tjetër që ende nuk i kemi komentuar, mund të vëmë re diçka shumë të rëndësishme në këtë bisedë të gjatë të Jezusit me judenjtë dhe me nxënësit e Vet: Jezusi ngul këmbë në praninë e Tij reale në Eukaristinë që do ta themelonte, edhe pse e sheh se bashkëbiseduesit e Tij po mbeteshin gjithnjë e më pak. Nuk është në stilin e Jezusit ta fshehë të vërtetën për hir të një numri më të madh. A nuk kemi shumë për të mësuar nga ky qëndrim i Jezusit?

Bota shpesh e akuzon Kishën se kërkon shumë. Por nuk kupton se e vërteta është ndryshe: nuk është Kisha ajo që kërkon shumë, por e Vërteta. Kjo e Vërtetë nuk mund të ndryshohet nëse ne jemi të brishtë dhe fepakët.

Shpesh herë fjalë të ngjashme i dëgjojmë edhe në mes të të krishterëve. Jo rrallë të rinjtë kërkojnë që Kisha të jetë më pak kërkuese ndaj tyre në moralin që ajo mëson, sepse kështu rrezikon largimin e tyre. E fjalën nuk e kanë për detaje që mbase edhe mund të diskutohen, por për të vërteta thelbësore.

E vërteta nuk mund të ndryshohet. Nuk është kjo në stilin e Hyjit e, si pasojë, nuk mund të jetë as në stilin e Kishës së Tij.

Të vazhdojmë me rreshtat e tjerë. Ajo që na bie në sy, është pyetja që Jezusi u bën të Dymbëdhjetëve si edhe përgjigjja e Pjetrit. Pyetja e Jezusit bie në sy sepse nuk duket se e ka ndër mend të ndryshojë bisedë për hir të të Dymbëdhjetëve, por vetëm se i pyet se ç’qëllim kanë: «A mos doni të shkoni ndoshta edhe jo?» Nëse me të drejtë mund të hamendësojmë një farë trishtimi në këto fjalë të Jezusit, nuk mund të themi se ky trishtim shkaktohet nga vetmia që po sheh se po e rrethon atë gjithnjë e më shumë, por nga aftësia e pakët e njerëzve për të kaluar përtej vetvetes e për t’u hedhur në duart e Tij.

E pikërisht për këtë arsye na bie në sy përgjigjja e Pjetrit. Mund të themi pa frikë se as Pjetri nuk e ka kuptuar më shumë se bashkëbiseduesit e tjerë Jezusin në këto fjalë të Tij mbi Eukaristinë. Aq e vërtet është, kjo saqë Pjetri nuk i përgjigjet duke thënë se e kishte kuptuar se si është e mundur prania e Tij në Bukën dhe Verën e shuguruar, por i thotë: «Tek kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur. Ne besojmë dhe e dijmë se tij je Shenjti i Hyjit.» Pjetri dhe apostujt e tjerë kanë në vetvete atë që u mungonte bashkëbiseduesve të tjerë të Jezusit: miqësinë me Jezusin. Është kjo miqësi e ëmbël që pastaj zgjon në njeriun besimin se Jezusi është Shenjti i Hyjit, Biri i Hyjit e, si rrjedhojë, është edhe Ai që i ka fjalët e jetës së pasosur.

Ky është ndryshimi: feja. Kur marrim brenda nesh Kungimin e shenjtë, nuk është se e kemi kuptuar edhe aq se si është e mundur që Jezusi të jetë aty i pranishëm me natyrën e Tij njerëzore e Hyjnore, por i besohemi fjalëve të Tij.

Ndryshimi me të tjetër që nuk besojnë, është fakti se kemi bindjen se tek askush tjetër nuk mund të besojmë, se askund tjetër s’kemi ku të shkojmë dhe se vetëm tek Jezusi mund ta gjejmë të Vërtetën. Në atë besojmë e Atij i nënshtrohemi.

Sot leximi i parë na tregon se ç’do të thotë të besosh, ndërsa leximi i dytë na tregon se ç’do të thotë t’i nënshtrohesh Krishtit.

Në leximin e parë shohim se si Jozuehu e fton popullin ta shpallë edhe një herë se në kë beson. Populli njëzëri i përgjigjet se dëshiron përsëri të besojë në Zotin, Hyjin e vërtetë që i nxori nga skllavëria e Egjiptit. Është Ai që ua sjell lirinë, është Ai burimi i jetës, i së vërtetës dhe i paqes. Ata duan të lëshohen vetëm në duart e Tij dhe duan t’i shërbejnë vetëm Atij.

Jozuehu ua kujton izraelitëve tërë këto vepra që Hyji i ka kryer në dobi të tyre dhe i nxit të besojnë në Të. Por i nxit në një mënyrë shumë të bukur, duke u ofruar ai vetë si shembull besimi: «Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit.» Kjo është mënyra më e bukur për t’i afruar njerëzit me Eukaristinë: duke e dëshmuar ne vetë miqësinë reale me Jezusin në jetën tonë të përditshme.

Ndërsa leximi i dytë na flet për nënshtrimin ndaj Krishtit. Këtë gjë Shën Pali nuk e bën në mënyrë të drejtpërdrejtë, por – e kjo është gjetja interesante – duke treguar se sa e madhe është lidhja mes Krishtit dhe Kishës. Prandaj ai merr si shembull lidhjen mes burrit dhe gruas.

Qëllimi përse Kisha sot na vë përpara këtë pjesë nga letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve, nuk është edhe aq për të shtjelluar se si duhet të jetë lidhja mes burrit dhe gruas, por të kalohet përtej: nënshtrimi, dashuria që bashkëshortët duhet të kenë për njëri-tjetrin, është si një kalitje për t’iu nënshtruar Krishtit e për ta dashur Atë.

Dihet se jeta martesore e një çifti është e jetuar mirë vetëm atëherë kur secili prej bashkëshortëve është krejtësisht i dhuruar tjetrit. Kur secili kërkon lumturinë e tjetrit. Ata nuk janë thjesht njëri me tjetrin, por njëri për tjetrin. Një shembull i tillë tregon më së miri se si duhet të jetë dashuria e Kishës për Krishtin. E shtyrë nga kjo dashuri, atëherë ajo mund t’i besojë fjalës së Jezusit rreth pranisë së Tij reale në Eukaristinë e Shenjtë.

Pra, besimi në Hyjin (siç na mëson leximi i parë) dhe dashuria ndaj Tij (siç na mëson leximi i dytë), janë ato virtyte që, përballë Eukaristisë së Shenjtë, edhe ne mund të na shtyjnë të themi me Shën Pjetrin: «Tek kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur. Ne besojmë dhe e dijmë se tij je Shenjti i Hyjit.»

Është e vërtetë se nuk do ta kuptojmë kurrë edhe aq këtë mister, por do të lëshohemi në duart e Tij, do t’i zëmë besë Fjalës së Tij.

Po ta mendojmë, nuk është kundër natyrës sonë t’i zëmë besë fjalës së tjetrit. Nëse pyesim dikë në rrugë se sa është ora, duhet t’i besojmë nëse na thotë se është 10.30. Aq më tepër duhet t’i zëmë besë nëse ai që na përgjigjet, është mik yni.

Qoftë Jezusi miku më i mirë i zemrës sonë! Kështu do të kemi mik atë që ka «fjalët e jetës së pasosur».

 

Dom Dritan Ndoci

24 gusht 2024, 10:43