Irak, Kardinali Sako: "E keqja nuk do të zgjasë"
R.SH. - Vatikan
Muaji gusht, dhjetë vjet më parë, mbetet simbol i një tragjedie kolektive, që është trashëgimi e të gjithë Irakut. Jo vetëm që njëqind e njëzet mijë të krishterë u detyruan natën ndërmjet 6 dhe 7 gusht të braktisin shtëpitë dhe pasuritë e tyre nën presionin vrasës të Shtetit të vetëquajtur Islamik, por një popullatë e tërë - ajo e Yazidëve – pësoi sulmin për shfarosje mbi 3000 burra, gra, djem dhe vajza të vrara dhe të paktën 6800 njerëz, veçanërisht gra, djem dhe vajza, rrëmbyer nga Daesh. Një dramë që Kombet e Bashkuara e kanë njohur si gjenocid.
Shkëlqesi çfarë ka mbetur ende sot nga drama e përjetuar nga të krishterët dhe pakicat e tjera irakiane dhjetë vjet më parë?
Njerëzit nuk kanë shumë besim në të ardhmen. Të gjithë vazhdojnë të pyesin veten: kur do të kemi më në fund një shtet modern, demokratik, civil, ku të gjithë të mund të jenë qytetarë me të drejta dhe detyra të barabarta? Për këtë arsye shumë njerëz largohen nga Iraku, e jo vetëm të krishterët. Përpiqem të flas me njerëzit, t'i qetësoj duke thënë se e keqja nuk do të zgjasë, se duhet të kenë durim.
Çfarë do të thotë për Irakun mungesa e të krishterëve në Rrafshinat e Nineves?
Të krishterët vazhdojnë të kenë frikë për sigurinë e tyre sepse vendi nuk është i sigurt dhe ata janë pakicë. Për më tepër, të gjithë janë të shqetësuar për tensionet që vijnë nga kriza e Lindjes së Mesme.
Është situatë ankthi kjo, që bashkon të gjithë popullsinë?
Të gjithë kanë frikë: si të krishterët e Rrafshit të Ninives, ashtu edhe jazidët. Duhet të jemi në gjendje të ndryshojmë mentalitetin që është në bazën e luftërave, të hakmarrjes, duhet të dimë të dialogojmë dhe t'i zgjidhim problemet jo me armë, por me dialog. Një dialog serioz dhe i guximshëm. Duhet të ndryshojmë programet e edukimit shkollor, gjuhën, fjalimet...
A ka përgjegjësi nga ana e Perëndimit për situatën që përshkruani?
Perëndimi është pak i trembur prej atyre, që mendojnë se zgjidhja e vetme është lufta. Siç thotë Papa Françesku: lufta nuk është kurrë fitore. Të gjithë humbasin! Problemi i Perëndimit është indiferenca. Të gjithë janë të fisuar në logjikën e fitimit dhe u mungojnë vlerat morale e shpirtërore. Këtë mund ta shohim edhe me atë që po ndodh në Ukrainë. Është e trishtueshme!
Çfarë na mëson ajo që po përjeton bashkësia e krishterë sot, pa harruar genocidin e Yazidëve nga duart e Daesh?
Nuk do të jetë kurrë e lehtë ta fshish këtë kujtim. Aktet e urrejtjes vazhdojnë të jenë të shumta, si sulmi në Qaraqosh, që vitin e kaluar shkaktoi mbi 133 të vdekur gjatë një dasme. E edhe gjenocidi i jezidëve... si mund ta imagjinojmë në shekullin e 21-të që gratë të shiten, të ndahen nga familjet e tyre vetëm pse janë të një etnie tjetër? Çfarë vlerash ka kjo? Është një gjë e tmerrshme, e tmerrshme, jo vetëm për ne, por për të gjithë botën që nuk po mund t’i ndalojë gjëra të tilla.
Hirësi, cila është thirrja juaj drejtuar shoqërive të botës që t'i hapin sërish sytë për situatën në Irak?
Mendoj se këta vëllezër e motra nuk duhet të na harrojnë. Jemi vëllezër dhe jeta është e mrekullueshme. Nuk mund të lihen njerëzit të vdesin pa bërë asgjë, qoftë kjo në Irak apo gjetkë. Secili prej nesh është përgjegjës për të tjerët e, kur të vdesim, Zoti nuk do të na pyesë nëse jemi të krishterë a myslimanë, por do të na pyesë: ku është yt vëlla? Çfarë bëre me vëllanë tënd?