Irak: "megjithë rikthimet, diaspora e ngadaltë e të krishterëve vazhdon"
R.SH. - Vatikan
Dhjetë vjet pasi u dëbuan nga terroristët e Shtetit Islamik (IS), disa të krishterë të zhvendosur, sipas organizatave humanitare, u kthyen në fushën e Ninives, në Irak. Njoftimin e dha të enjten, në Mynih, organizata katolike "Ndihmë për Kishën që vuan”, duke cituar informacionin e kryeipeshkvit katolik kaldeas të Erbilit, Imzot Bashar Warda: "Në vitin 2014, në Rrafshin e Ninives u regjistruan13,300 familje të krishtera, nga të cilat 11000 mbetën në vend. Vitet e fundit në fushën e Ninives u kthyen dalë-ngadalë rreth 9,000. E paktë shpresa për t’i parë duke u rikthyer të krishterët, që u larguan prej kohe nga Iraku - shton Imzot Warda. “Shumë prej tyre gjetën strehë të reja në Liban, Jordani, Turqi e edhe në vendet perëndimore. Të rinjtë e krishterë krijuan familje në ato vise dhe vijnë në Irak vetëm për të vizituar të afërmit. Të tjerë kanë frikë nga shpërthimi i ri i ndeshjeve në Irak, i nxitur nga konflikti aktual në Tokën Shenjte dhe në Liban”.
Më 6 gusht 2014, milicitë e ISIS përparuan drejt qyteteve me shumicë të krishterë të Rrafshit të Ninives, në Irakun verior. Më shumë se 100,000 të krishterëve iu desh të braktisnin shtëpitë e tyre gjatë natës. Një pjesë e mirë, e panjohur, humbi jetën. Ndonëse shumë prej tyre u kthyen në Rrafshinat e Ninives, numri i përgjithshëm i të krishterëve në Irak vazhdoi të bjerë. Ndërsa në vitin 2003 ishin 1.5 milionë, sot janë rreth 250 mijë. “Më pak se 1% e popullsisë së Irakut," sipas Ndihmë për Kishën që Vuan, që është shumë e pranishme në vend e nga e cila të krishterët patën mbështetje masive pas dëbimit, në vitin 2014.
"Së pari kontribuam në pritjen e refugjatëve në pjesën kurde të Irakut dhe më pas në rindërtimin e shtëpive të shkatërruara në Rrafshin e Nineveh", pohon organizata humanitare. Që nga viti 2014, Ndihmë për Kishën që Vuan ka mbështetur mbi 500 projekte në Irak, me rreth 56 milionë euro.