Kard. Pizzaballa: përballë gjithë kësaj urrejtjeje, kemi nevojë për lutje e fjalë paqeje
R. SH. - Vatikan
Urrejtja, inati dhe përbuzja shtojnë dhunën dhe distancojnë mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve për konfliktin në Lindjen e Mesme. Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriark Latin i Jeruzalemit, u drejtohet të krishterëve të Tokës Shenjte me një mesazh të përzemërt. Me rastin e festës së Zojës, shpreh dhimbjen për "luftën e tmerrshme", e cila shkaktoi vuajtje dhe shqetësime që, pavarësisht nga kalimi i shumë muajve, “lanë gjurmë të thella në shpirtin e njerëzve”. E është "gjithnjë e më e vështirë të gjesh njerëz dhe institucione, me të cilat mund të dialogohet për të ardhmen dhe marrëdhëniet paqësore". Kjo e tashmja - vëren - “e përzier me kaq shumë dhunë e sigurisht, edhe me inat”, duket se i dërrmon të gjithë njerëzit!
Lutja drejtuar Virgjërës Mari
Për Kard. Pizzaballa 15 gushti, solemniteti i Zojës së Madhe, është një nga ditët që “do të dukeshin të rëndësishme për t’i dhënë fund konfliktit”. Ndaj Patriarku i fton besimtarët “për një çast lutjeje, në kërkim të ndërmjetësimit të Virgjërës së Shenjtë në qiell, për paqen e Hyjit”, duke shprehur më tej dëshirën “që famullitë, bashkësitë fetare kundruese dhe apostolike, si dhe ata pak shtegtarë të pranishëm, të mblidhen me dëshirën e përbashkët për paqen, që ia besojmë Zojës së Bekuar”.
“Nuk mund të bëjmë gjë tjetër, veçse të lutemi” - është thirrja e Kardinalit - pasi kemi folur shumë fjalë dhe pasi “kemi bërë gjithçka është e mundur për të ndihmuar dhe për të qenë pranë të gjithëve, veçanërisht atyre që janë plagosur më rëndë”.
Lutja drejtuar Zojës së Ngjitur në Qiell “u kundërvihet një mori fjalëve të ngarkuara me urrejtje, të cilat thuhen tepër shpesh - me fjalë pajtimi e paqeje, që të dërgojë një rreze drite për ta shndritur gjithë botën!”.