Kërko

Il cardinale Pizzaballa a Gaza, 2024.06.25 Il cardinale Pizzaballa a Gaza, 2024.06.25

Kard. Pizzaballa: jemi më afër marrëveshjes për Gazën, por ka ende kundërshtarë

Patriarku latin i Jeruzalemit flet në mediat e Vatikanit për shpresat lidhur me një marrëveshje që do të çojë në përfundim të kësaj faze të luftës në Gaza, duke larguar edhe perspektivat e shkallëzimit të konfliktit. Por në të njëjtën kohë tërheq vëmendjen kundër iluzioneve të lehta: nuk mungojnë pengesat, ka ende shumë vështirësi

R.SH. - Vatikan

“Perspektivat janë shpresëdhënëse”: kështu deklaron Kardinali Pierbattista Pizzaballa, Patriarku Latin i Jeruzalemit, në një intervistë për mediat e Vatikanit, duke komentuar rezultatin e bisedimeve të Dohas për armëpushimin në Gaza. Negociatat pritet të rifillojnë pas disa ditësh, në Kajro. Ndërkohë dhuna vazhdon në fronte të ndryshme.

Shkëlqesi, në Doha ndjehet frymë optimizmi, ndërsa vazhdojnë bisedimet ndërmjet SHBA, Egjiptit dhe Katarit për nënshkrimin e armëpushimit  dhe lirimin e pengjeve izraelite, burgosur në Gaza. A besoni se këtë herë mund të arrihet qëllimi?

Po, besoj se në këtë çast ekzistojnë kushtet më të mira për arritjen e marrëveshjes. Natyrisht do të ketë gjithnjë nga ata, që do ta kundërshtojnë,  e edhe pengesa, por besoj se janë pjekur kushtet që kjo luftë të përfundojë e të largohet edhe shkallëzimi, zgjerimi i konfliktit me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Iranit dhe përhapjen e luftës edhe në Liban. E përsëris, ka shumë vështirësi, por besoj se ka edhe përpjekje mbresëlënëse nga ana jonë, e jo vetëm nga ndërmjetësit, por edhe nga Shtetet të Bashkuara për t’i dhënë fund kësaj situate. Perspektivat janë premtuese.

E, si rezultat shpresohet se do të largohet kërcënimi i ndërhyrjes iraniane kundër Izraelit...

Po. Nuk duhet ta gënjejmë veten. Konflikti nuk ka përfunduar ende; e shohim shumë mirë në Gaza me bombardimet e vazhdueshme, me tragjedinë, që është për ta parë të gjithë dhe që na lë gjithmonë pa fjalë.

Bombardimi i Gazës vazhdon pa pushim. Ndërkohë, sipas Hamasit, 15 gushti, pragu tragjik i 40 mijë palestinezëve të vrarë në Gaza, u tejkalua më 7 tetor. Si po e jeton këtë situatë bashkësia e krishterë e Gazës?

Bashkësia jonë e vogël, që ndodhet në veri të Gazës, në qytetin e Gazës,  përpiqet ta jetojë këtë situatë në kushtet më të mira dhe paqësore të mundshme, sepse është e vështirë. Jemi aktivë në përpjekjen për të ndihmuar popullatën me ndihma, që arrijmë t’i marrim jo vetëm nga Kalorësit e Maltës, por edhe nga shumë shoqata të tjera. Të fundit ishin ato të Kishës Menonite që dërgoi më shumë se një mijë pako. Është e bukur të shohësh se si brenda kësaj situate shumë të rëndë dhe tragjike ka edhe kaq shumë solidaritet.

Ndërsa vëmendja e mediave drejtohet e tëra nga Gaza dhe kufiri me Libanin, situata në Bregun Perëndimor bëhet çdo ditë e më serioze e më alarmante. Çfarë sinjalesh merrni nga këto zona?

Kjo që thua është shumë e vërtetë. Flitet shumë për Gazën, me të drejtë, por ka edhe një situatë shumë të rëndë në Territoret, në Bregun Perëndimor. Vetëm pak ditë më parë pati një pogrom nga mjaft kolonë kundër një fshati palestinez, me një vdekje dhe shumë dëme. Është vetëm episodi i fundit i një seri ngjarjesh që karakterizuan tensionin e vazhdueshëm dhe gjithnjë në rritje në të gjithë Bregun Perëndimor në muajt e fundit; tensione, përplasje të vazhdueshme ndërmjet kolonëve dhe palestinezëve, edhe me praninë e forcave të armatosura izraelite... Tensione të vazhdueshme, me pak fjalë, që po e bëjnë jetën e popullatës palestineze gjithnjë e më të komplikuar dhe më të vështirë.

Ekziston rreziku i shpërthimit, prandaj duhet të punojmë fort para së gjithash për armëpushimin në Gaza dhe, më pas, edhe për të rivendosur rendin, sigurinë dhe jetën e zakonshme sa më shumë që të jetë e mundur - aq sa mund të flasim për jetën e zakonshme - në gjithë Bregun Perëndimor. Me pak fjalë, ne duhet të vazhdojmë. Nuk është e thjeshtë. Ajo që shohim në Bregun Perëndimor - ajo që e kujtoj gjithmonë - është shembull i dukshëm, konkret, që tregon se sa urrejtje, pakënaqësi dhe përbuzje kanë çuar në forma të dhunës gjithnjë e më ekstreme dhe gjithnjë e më të vështira për t'u frenuar. Prandaj ne duhet të punojmë shumë, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë fetar, sepse sfondi i kësaj dhune është edhe fetar, që këta ngatërrestarë, këta ekstremistë, të lihen mënjanë, të izolohen dhe të mos e kenë gjithë ata forcë, që e kanë tani.

17 gusht 2024, 12:05