Kardinali Suharyo: "Papa, fener shprese për të gjithë në Indonezi"
R.SH. / Vatikan
Papa Françesku, 87 vjeç, do të niset të hënën për shtegtim apostolik ndërkombëtar 12-ditor në katër vende të Azisë Juglindore dhe të Oqeanisë. Nga data 3 deri më 6 shtator do të jetë në Indonezi, shteti më i madh mysliman në botë. Nga data 6, deri me 9 shtator, në Papua Guinea e Re. Nga data 9deri me 11 shtator në Timorin Lindor. Nga 11 deri më 13 shtator në Singapor.
Vetëm pas pak ditësh Papa Françesku do të nisë shtegtimin e ri apostolik, i pritur në Xhakartë, ku do të jetë pasditen e 3 shtatorit. Kard. Ignatius Suharyo, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Indonezisë dhe Imzot Antonius Subianto Bunjamin, ipeshkvi i Bandung, e paraqitën pardje, në një konferencë për shtyp, vizitën e shumëpritur. Kryeipeshkvi i Xhakartës ftoi për ta parë vizitën e Papës Françesku si "fener shprese për të krijuar marrëdhënie të mira ndërmjet grupeve të ndryshme fetare".
Kardinali Suharyo njoftoi se gjatë takimit, që do të zhvillohet më 5 shtator në Xhaminë Istiqlal - Xhamia e madhe e cila lartohet në të njëjtin shesh me Katedralen, në shenjë miqësie do të përurohet edhe një tunel, që i bashkon dy vendet e kultit – e se do të nënshkruajnë së bashku me Imamin e Madh të Xhamisë Nazaruddin Umar një dokument të frymëzuar nga Deklarata e Abu Dhabit mbi Vëllazërinë Njerëzore.
“Takimi ndërfetar në xhaminë e madhe – kujtoi kardinali Suharyo - do të pasqyrojë qartë harmoninë sociale me botën e Islamit, të cilën Papa Françesku e ka kërkuar gjithmonë. Myslimanët indonezianë e mbështesin fuqishëm këtë mision. Me rastin e vizitës, ata promovuan edhe botimin e një libri të titulluar në latinisht Salve, Peregrinans Spei, në të cilin dhjetëra personalitete myslimane i bëjnë homazhe Papës”.
Nga ana e tij, ipeshkvi Subianto kujtoi se 88 mijë besimtarë do të mund të jenë të pranishëm në Meshën e Papës, që do të kremtohet në stadium po atë ditë: do ta ndjekin festën nga tribuna dhe një zonë tjetër e jashtme, e lidhur me ekranet gjigante, që Papa Françesku do ta vizitojë. Shumë të tjerë do të kishin dashur të ishin të pranishëm, por u ftuan ta ndiqnin ngjarjen përmes transmetimit në famullitë e Xhakartës, pasi objektet nuk ishin në gjendje të strehonin një numër më të madh njerëzish. Për të lehtësuar lëvizjen e besimtarëve drejt stadiumit, Autoriteti i Xhakartës dekretoi për 5 shtatorin një ditë të lirë pune (smart-working) në të gjitha zyrat.
“Me Papën Françesku - shtoi Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore, Kardinali Suharyo - do të kremtojnë rreth 800 priftërinj, dy kardinajtë indonezianë, 34 ipeshkvij indonezianë, 10 ipeshkvij nga vende të tjera aziatike dhe një ipeshkëv australian, përveç shoqëruesve të Vatikanit. Mbi 700 gazetarë indonezianë do ta ndjekin shtegtimin e Papës, ndërsa tre prej tyre do të jenë në aeroplanin që do ta çojë Papën nga Roma - në Xhakartë”.
“Falënderojmë sinqerisht qeverinë qendrore indoneziane, Autoritetin e Xhakartës, nunciaturën apostolike në vend dhe qindra vullnetarë – përfundon Kardinali Subianto - për punën që po bëjnë, që vizita e Papës Françesku të shkojë pa probleme, ashtu si dëshiron mbarë populli i këtij vendi”.
(nga AsiaNews)