Katolikët estonezë përgatiten për shtegtimin vjetor në Viru-Nigula
R.SH. / Vatikan
Të shtunën, më 24 gusht, katolikët estonezë do të vizitojnë kishën më të vjetër të vendit, Kapelën e Shën Marisë në Viru-Nigula. Këtë vit shtegtimi i kushtohet 100-vjetorit të Administratës Apostolike të Estonisë, themeluar më 1 nëntor 1924.
Katolikët estonezë po kremtojnë 25-vjetorin e shtegtimit të parë në kapelën e Shën Marisë, në Viru-Nigula, atë të 1 majit të vitit 2000. Viti 2000 u shpall Vit Shenjt nga Papa Gjon Pali II në të gjitha Kishat katolike e Kisha e Estonisë pati shumë hire me ndërmjetësimin e Zojës së Viru-Nigulës.
Para shtegtimit administratori apostolik i Estonisë, Philippe Jourdan kujtoi vlerat e tij shpirtërore: “Shtegtim nuk do të thotë vetëm të ecësh dhe të lutesh” - shpjegoi - “Në Kishën Katolike shtegtimi është tradicionalisht, e mbi të gjitha, udhëtim lutjeje, gjatë të cilit shtegtari viziton vende veçanërisht të lidhura me Zojen e Bekuar dhe lutet për Kishën e për botën me besimin e foshnjës, që i lutet nënës. Shumë hire dhe bekime do të mbeten mister ndërmjet Zotit e njeriut, që gjen ngushëllim! Kisha na këshillon të falënderojmë Zotin, madje edhe etiam ignotis, domethënë për hiret që kemi marrë, edhe nëse nuk e dimë se si e nga na vijnë, sepse jo gjithmonë jemi të vetëdijshëm për të kuptuar çfarë bën Zoti në jetën tonë dhe në zemrat tona.
Në vitin 1924, Papa Piu XI e rinjohu Kishën Katolike Estoneze si entitet kishtar më vete, ndërsa më parë katolikët estonezë i përkisnin Dioqezës së Rigës. Ky vendim i dha Kishës Katolike Estoneze jetë të re e edhe frymë të re misionare.
"Falënderojmë Zotin dhe Nënën e tij për hiret dhe bekimet që Kisha Katolike Estoneze gëzon gjatë njëqind viteve të fundit, si në kohë të vështira, ashtu edhe në kohë të lume" - kujton Kryeipeshkvi Jourdan. “Në veçanti i lutemi Zotit, me ndërmjetësimin e Nënës së tij të Lume, ta bekojë Kishën tonë me shumë hire gjatë gjithë shekullit të ri”. Këtë theksoi, për të shtuar më pas: “Ndër të tjera, të dashur vëllezër dhe motra, ju kërkoj të luteni që Kisha të kremtojë së shpejti lumnimin e administratorit tonë të parë apostolik, shërbëtorit të Zotit, Imzot Eduard Profittlich SJ.”
Ipeshkvi kujtoi më pas edhe se pjesëmarrja në shtegtimin marian është e rëndësishme për shumë arsye, si shpirtërore, ashtu edhe të lidhura me bashkësinë. “Shtegtimi në Viru-Nigula është përvojë pasuruese, që shkon përtej vizitës së një vendi të shenjtë. Është shtegtim shpirtëror, që na ndihmon ta kuptojmë më mirë veten dhe fenë tonë, si dhe mënyrë për të forcuar lidhjen me bashkësinë dhe me Zotin. Falënderojmë, në veçanti, Zotin për këto 100 vjet dhe kërkojmë për Kishën dhe botën, veçanërisht paqen. Paqe në Ukrainë, në botë dhe në zemrat tona!