Imzot Espinoza: Kongresi Eukaristik Ndërkombëtar në Kuito, privilegj dhe sfidë e madhe
R.SH. / Vatikan
Nga 8 deri më 15 shtator, kryeqyteti i Ekuadorit, Kuito do të presë edicionin e 53-të të Kongresit Ndërkombëtar Eukaristik, 150 vjet pas përkushtimit të vendit të Amerikës Latine, Ekuadorit, Zemrës së Shenjtë të Jezusit, që u mbajt më 25 mars të vitit 1874.
Pra, gjithçka është gati për të jetuar në Quito "përvojen më të madhe të fesë rreth Eukaristisë Shenjte, në atmosferën e unitetit vëllazëror të Kishës universale". Kështu u shpreh kryeipeshkvi metropolit i Kuitos dhe primat i Ekuadorit, Imzot Alfredo Espinoza Mateus, në konferencën për shtyp të paraqitjes së ngjarjes, mbajtur dje, 29 gusht, në selinë e Konferencës Ipeshkvnore të Ekuadorit. Prelati shpjegoi se para Kongresit Eukaristik do të mbahet një simpozium teologjik në selinë e Universitetit Papnor Katolik të Ekuadorit. Në të do të marrin pjesë personalitete të shquara dhe akademikë nga vende të ndryshme të botës, për të reflektuar mbi temën e Kongresit "Vëllazëria, për të shëruar botën"
Nënvizoi edhe se në Kongres do të jenë të pranishme delegacione nga 53 vende, “prandaj është privilegj i madh, por edhe sfidë e madhe për Kishën e Ekuadorit dhe për qytetin e Kuitos" të presin personalitete, të cilët do të vijnë të thellojnë temën e Kongresit, duke pohuar kështu se vëllazëria është universale. Kryeipeshkvi i Kuitos, i cili kryeson komitetin organizator të Kongresit të 53-të Ndërkombëtar Eukaristik, njoftoi edhe se në të dielat e 8 dhe 15 shtatorit nuk do të ketë meshë mëngjesi në famullitë e ndryshme të kryeipeshkvnisë së Kuitos, për t’u krijuar besimtarëve mundësinë të marrin pjesë në hapjen dhe mbylljen masive të Kongresit, që do të nisë në orën 10:00 dhe do të jetë ngjarje historike për Kishën e Kuitos dhe të Ekuadorit.
Nunci apostolik në Ekuador, Imzot Andrés Carrascosa Coso, nënvizoi se Kongresi Eukaristik është mbledhja më e rëndësishme e Kishës dhe se ai rikthehet në Amerikën Latine 20 vjet pas Kongresit të mëparshëm, mbajtur në vitin 2004, në qytetin e Guadalajara të Meksikës.