Kërko

Volontari fronteggiano uno dei roghi scoppiati nei dintorni di Atene  (AFP or licensors) Volontari fronteggiano uno dei roghi scoppiati nei dintorni di Atene (AFP or licensors)

Kryeipeshkvi i Athinës: strategjitë parandaluese janë të nevojshme për zjarret

Pas thirrjes së Papës, Imzot Theodoros Kontidis nënvizon rëndësinë e ndryshimit të zakoneve dhe të solidaritetit ndërmjet njerëzve, që përmirëson luftën kundër ndryshimeve klimatike.

R.SH. / Vatikan

Kemi nevojë për një strategji parandaluese dhe për të "ndryshuar llojin e pyjeve tona", duke zbatuar masa mbrojtëse "afatgjata" Në një intervistë për mediat e Vatikanit, Kryeipeshkvi i Athinës Theodoros Kontidis trajton dramën e zjarreve që kanë pushtuar Greqinë. Në ditët e fundit, pas thirrjes me të cilën Papa Françesku, në Engjëllin e Tënzot kremtuar në festën e të Ngjiturit të Zojës në Qiell shprehu afërsinë me popullsinë e vuajtur, Imzot Kontidis vëren se sa vendimtar është ndryshimi i zakoneve dhe nënvizon rëndësinë e solidaritetit për ta përballuar më mirë një fenomen të bërë më tinëzar nga rritja e temperaturave globale.

Dramë e përsëritur

Hulumtuesit dyshojnë se një kabllo elektrike me defekt mund të ketë shkaktuar atë që konsiderohet si zjarri më i keq i vitit në Greqi, i cili shkaktoi vdekjen e një gruaje dhe dogji 10,000 hektarë afër Athinës, duke mbuluar një sipërfaqe totale sa Parisi. Zjarri, i cili filloi më 11 gusht, shpërtheu në një pyll pranë qytetit të Varnavas, 35 kilometra larg kryeqytetit. Zjarret në pyje kanë qenë  prej vitesh tipar i zakonshëm i stinës verore greke, e shpesh shikohen si pasojë e shkaqeve keqdashëse ose të paqëllimshme, si dhe të qarkut të shkurtër e, herë pas here, edhe shkaqeve natyrore. Në vitin 2023, në vend u regjistruan më shumë se 8,000 zjarre pyjore. Vitet e fundit, rreziku i zjarreve të tilla është rritur për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat kanë çuar në temperatura të larta dhe më pak reshje. Këtë vit Greqia pati dimrin më të ngrohtë në histori dhe më pas, në shumë zona, një verë me reshje minimale, reshje të cilat zjarrfikësit i quajnë "recetë për fatkeqësitë nga zjarri".

E pyetëm Imzot Kontidis: Shkëlqesi, pamjet e tmerrshme të zjarreve që përflakën vendin tuaj bënë xhiron e botës. Cila është situata aktuale?

Zjarret e fundit zgjatën dy ose tri ditë dhe ishin shumë intensive  edhe afër Athinës, në rajonin e Atikës: krijuan një problem të madh dhe shkaktuan humbje të konsiderueshme të pyjeve pranë kryeqytetit. Pavarësisht shuarjes së shpejtë, zjarri ishte shumë i dhunshëm dhe u përhap vrudhshëm, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme natyrore në një qytet kompleks, si Athina. Problem real, ky, pasi temperaturat janë më të larta dhe krijojnë vështirësi për të gjithë banorët.

Ati i Shenjtë ka bërë thirrje për mbështetje të popullatës, shumë njerëz janë larguar nga banesat e tyre...

Disa shtëpi u shkatërruan, por fatmirësisht jo shumë. Vitet e fundit ka pasur zjarre të rënda me shumë viktima. Por sigurisht nëse humbisni shtëpinë tuaj, kjo është një fatkeqësi që të ndryshon jetën. Ne bëjmë atë që mundemi, gjithsesi është gjithmonë e dhimbshme për viktimat. Do të ishte shumë më keq nëse zjarri do të kishte vazhduar edhe disa ditë, por praktikisht është e pamundur të kontrollohet, kur ka thatësirë ​​dhe erë. E vetmja gjë që duhet bërë është parandalimi. Por kur të fillojë zjarri, shumë pak mund të bëhet. E vetmja gjë që duhet bërë, është parandalimi.

 Papa Françesku ngulmon në mbrojtjen e Krijimit. Ju përmendët nevojën për të parandaluar zjarret, edhe nëse është e vështirë. Si mund të inkurajohen njerëzit në mënyrë efektive për të mbrojtur mjedisin dhe, në veçanti, për të parandaluar zjarret?

Është gjithmonë e nevojshme që njerëzit të jenë të kujdesshëm, sepse në verë mjafton një shkëndijë e vogël, për të ndezur zjarr kudo. Për fat të keq, ka gjithmonë njerëz të shkujdesur dhe gjithmonë zjarrvënës, që e vënë zjarrin qëllimisht. Është e qartë për ne që duhet të ndryshojmë llojin e pyllit ekzistues. Për shembull, pishat janë të pakontrollueshme në rast zjarri, ndaj duhet të ndryshojmë dhe të zbatojmë një strategji afatgjatë, për të siguruar që të kemi jo vetëm pyje të këtij lloji, por të llojeve të ndryshme ku, për shembull, drurët mund të zëvendësohen. Ky është projekt i madh, jo gjë e lehtë për t'u bërë. Në këto raste dhe situata të tjera të ngjashme, Caritasi ynë ofron ndihmë dhe ndërhyrje, por ne e kuptojmë që kjo është ende shumë pak dhe vjen gjithmonë me vonesë, veçanërisht në një qytet të madh si Athina, që ka 4 milionë banorë.

Në Evropë jemi dëshmitarë të temperaturave gjithnjë e më të larta. Papa në Laudato si' dhe së fundmi në Laudate Deum nënvizon urgjencën e trajtimit serioz të ndryshimeve klimatike. A mendoni se njerëzit po e marrin seriozisht këtë çështje?

Është e qartë se kemi nevojë për ndërgjegjësim më të madh lidhur me këto probleme, jo vetëm nga respekti për natyrën, por edhe për jetën e njerëzve. Të gjithë e kuptojmë se në një ditë të vetme mund të shkatërrohet jeta e një familjeje, ndaj është çështje serioze e jetës shoqërore dhe familjare. Ndjeshmëria, vëmendja dhe përgjegjësia, si personale ashtu edhe sociale, janë tejet të rëndësishme. Ndonjëherë jemi të shpërqendruar, nuk mendojmë për atë që bëjmë dhe për pasojat e veprimeve tona, për shembull kur bëjmë një mish të pjekur jashtë shtëpisë ose diçka të ngjashme. Ndonjëherë ajo që fillon si festë e thjeshtë, një takim me miqtë, mund të kthehet në fatkeqësi në vetëm pak minuta. Pasi e shohim gjithçka që po ndodh, ne duhet të ndryshojmë zakonet tona, të bëhemi më të përgjegjshëm.

A ka ndonjë gjë për të cilën kanë nevojë tani njerëzit që  humbën kaq shumë dhe çfarë mund t'u thuash njerëzve për t'i ngushëlluar?

Nevojat urgjente plotësohen nga autoritetet vendore, por problemi për ata që kanë humbur shtëpinë nuk përfundon me nevojat imediate të ditëve të para, sepse kjo humbje është shumë domethënëse dhe do të ndikojë në jetën e një familjeje për shumë vite. I them popullit tim të mos dekurajohet, të mos dëshpërohet, por të ketë shpresë dhe besim te solidariteti njerëzor, aq i rëndësishëm në këto situata, që askush të mos ndihet i braktisur apo i vetmuar.

19 gusht 2024, 17:01