Kryeipeshkvi i Canterbury-t bën thirrje për paqe mes trazirave në Mbretërinë e Bashkuar
R.SH. – Vatikan
Pas ngjarjeve të fundit në Britaninë e Madhe, e cila ka arritur, ndoshta, nivelin më të lartë të antisemitizmit në gjysmën e parë të këtij viti, krerët fetarë në Mbretërinë e Bashkuar vazhdojnë të dënojnë trazirat e dhunshme anti-myslimane në gjithë vendin.
Ata janë bashkuar kundër urrejtjes dhe brutalitetit, duke pohuar se çdo qytetar britanik “ka të drejtë të respektohet dhe ka përgjegjësi për të respektuar të tjerët”. Kryeipeshkvi anglikan i Canterbury-t, Justin Welby, deklaroi sot se bashkohet me ta në lutjen drejtuar Zotit të Gjithëpushtetshëm për të përhapur shpresën e paqes ndër të gjitha bashkësitë e prekura, ndër të plagosurit e, edhe ndër anëtarët e policisë, që po përpiqet të rivendosë rendin.
"Protestat e dhunshme i largojnë njerëzit nga kauza" e vërtetë, deklaroi kryeipeshkvi Welby në një intervistë radiofonike me BBC-në, duke theksuar se "manifestimet paqësore do të kenë dhjetë mijë herë më shumë ndikim" sesa trazirat e dhunshme kriminale, pavarësisht nga shkaku.
Mesazhi i tij vjen pas shqetësimeve në rritje për sigurinë në disa rajone të Mbretërisë së Bashkuar, ku gjithnjë e më shumë njerëz protestojnë në rrugët e Londrës, Birmingamit, Yorkshire dhe Merseyside, duke shkaktuar dhunë masive dhe arrestime. "Nuk ndihemi si në shtëpi", pohon një student i ri me origjinë nga Jemeni, i cili është lindur dhe rritur në Liverpool, duke shprehur kështu mendimin e shumë qytetarëve britanikë myslimanë.
Kryeipeshkvi Welby, së bashku me kryetarët e tjerë të Kishave të Bashkuara të Anglisë (CTE), shprehën mirënjohje për reagimin e shpejtë të të krishterëve, sidomos në rajonin Merseyside, pas sulmeve në Southport në fillim të javës së kaluar. Edhe Agjencia zyrtare për veprimtarinë shoqërore e Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Anglisë dhe Uellsit shprehu solidaritetin, duke nënvizuar se Kisha do të ndihmojë viktimat e dhunës.
Me thirrjen “të ndalojmë ekstremizmin e djathtë", mijëra njerëz demonstruan mbrëmë në shumë qytete britanike për të kundërshtuar revoltat, që kanë tronditur vendin gjatë një jave, pas vrasjes së tre vajzave të vogla në Southport. Protestat e dhunshme nisën pas përhapjes së lajmeve të rreme për identitetin e agresorit, i cili u tha se ishte një emigrant mysliman, që sapo kishte mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar. Përgjigja ishte mobilizimi spontan i forcave ksenofobe dhe anti-imigracion, veçanërisht islamofobike, në të gjithë vendin, duke shkaktuar trazira.