Kërko

 Shtatorja e Virgjërës Mari Shtatorja e Virgjërës Mari 

Lindja e Mesme, atë Patton: kushtojani ditën e Zojës, lutjes për paqe

Pas thirrjes së Patriarkut Pizzaballa, kujdestari i Tokës së Shenjtë u dërgon një letër fretërve, duke u kërkuar t’i drejtojnë "Lutjen për paqe Zojës së Ngjitur në Qiell”, gjatë kremtimeve të 14 dhe 15 gushtit: shenjë shprese, që tregon se palët pranuan t’i rifillojnë bisedimet për armëpushim në Gaza dhe për lirimin e pengjeve e të burgosurve, pikërisht në ditën kur kremtojmë Të Ngjiturit e Marisë në Qiell, ngushëllim për ne, që vijojmë shtegtimin mbi tokë!

R. SH. - Vatikan

Ditën e Solemnitetit të Ngjitjes së Marisë në Qiell, 15 gusht, kushtojani lutjes për paqe në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën. Kjo, ftesa që kujdestari i Tokës Shenjte, frati Françesk Patton, u drejton përmes një letre - njëheresh me thirrjen e djeshme të kardinalit Pierbattista Pizzaballa - fretërve të Kujdestarisë.

Shenjat e shpresës

“Jetojmë në kohë shumë të vështira, në të cilat është veçanërisht e rëndësishme të lutemi për paqen”- janë fjalët e para të letrës së Atë Patton, përmes së cilës tregon si “shenjë shprese”, faktin se palët e përfshira ranë dakord të rifillojnë bisedimet për pushimin e zjarrit në Gaza, lirimin e pengjeve dhe atë  të burgosurve politikë. Kjo, nënvizon Kujdestari, ndodh “pikërisht ditën kur kremtojmë Të Ngjiturit e Marisë në Qiell me korp e me shpirt, shenjë e sigurt shprese dhe ngushëllimi për ne, shtegtarë mbi dhe”.

Lutje e dalë nga shpirti

Për këtë arsye, vëllai Patton na fton që kremtimet e Zojës t'ia kushtojmë lutjes për paqen: "Ne e dimë - shkruan ai, duke cituar Apokalipsin - se kur shenja e Gruas që do të lindë duket në Parajsë, duket edhe dragoi i fundit të ferrit, që lëshohet me tërbim kundër bijve të saj, por ndeshet sakaq me ushtritë qiellore  kryesuar nga Shën Mëhillin Kryeengjëll". “Për këtë arsye - shton Atë Patton - ne besojmë se është edhe më e rëndësishme që kjo ditë të jetë ditë lutjesh të vazhdueshme”.

Ndaj për këtë ditë të rëndësishme, kujdestari kërkoi dhe mori miratimin kishtar për lutjen drejtuar Virgjërës nga Patriarku Latin i Jeruzalemit. Me të do të lutet edhe vetë Patriarkana.

Teksti i lutjes  

 “Lutje për paqe, drejtuar Zojës së Ngjitur në Qiell:

O Nëna e lume e Zotit,

lartuar mbi koret e engjëjve,

lutu për ne me Shën Mëhillin Kryeengjëll,

me të gjitha fuqitë engjëllore të qiejve

e me të gjithë shenjtorët,

pranë Birit tënd të shenjtnueshëm e të shumëdashur,

Mësues e Zot!

Nxire për këtë Tokë të Shenjtë,

për të gjithë bijtë e saj e për mbarë njerëzimin

dhuratën e pajtimit e të paqes.

U bëftë profecia jote:

krenarët u shpërndafshin

në mendimet e zemrave të tyre;

të fuqishmit u rrëzofshin nga fronet,

u naltofshin të përvujtët,

të uriturit u ngopshin me të mira,

paqtorët u njihshin si bijtë e Zotit

e zemërbutët marrshin tokën si dhuratë.

Na i dhuroftë Jezu Krishti, Biri yt,

që sot të lartoi mbi koret e engjëjve,

të kurorëzoi me kurorën e mbretërisë,

dhe të vuri mbi fronin e dritës së amshuar

Atij i qoftë nder e lumni në shekuj të shekujve.

Amen

11 gusht 2024, 11:37