Kërko

Misionarë katolikë ndër fëmijët e Timorit Lindor Misionarë katolikë ndër fëmijët e Timorit Lindor

Lufta për pavarësi e ka përforcuar fenë katolike në Timorin Lindor

Ndërsa Kisha në Timorin Lindor përgatitet për vizitën e Papës Françesku, në fillim të shtatorit, Vikari i përgjithshëm i kryedioqezës së Dilit shpjegon se motoja e ngjarjes thekson lidhjen e ngushtë ndërmjet fesë katolike të rrënjosur thellë në popullin e vendit dhe në kulturën e tyre, pavarësisht nga historia e trazuar të kohëve të fundit

R.SH. – Vatikan

         Françesku do të jetë Papa i dytë që viziton Timorin Lindor, pas Shën Gjon Palit II, i cili bëri një ndalesë të shkurtër në kryeqytetin Dili, më 12 tetor 1989, gjatë udhëtimit të tij apostolik në Lindjen e Largët. Vizita e Papës polak tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare për gjendjen e vështirë të popullit, që në atë kohë ishte nën sundimin shtypës indonezian.

Përgatitjet

Gjatë vizitës së tij treditore, Papa Françesku do të takohet me klerin vendas, me rregulltarët dhe me të rinjtë, si edhe do të kryesojë meshën në kompleksin Tasi Tolu, në Dili, i njëjti vend ku Shën Gjon Pali II kremtoi Eukaristinë 35 vjet më parë. Priten më se 700 mijë besimtarë nga i gjithë Timori Lindor, nga Indonezia fqinje dhe nga vende të tjera.

Në kombin më të ri të Azisë (i cili fitoi pavarësinë më 2002 pas më se dy dekadash lufte dhe pas referendumit të mbështetur nga OKB-ja më 1999), me shumicë dërrmuese katolike - 96% e popullsisë - përgatitjet për vizitën janë në fazë të avancuar. Siç shpjegohet për Agjencinë Fides nga Át Bento Pereira, kreu kombëtar i komunikimeve dhe i mediave për Konferencën Ipeshkvnore vendase, përgatitja nuk është vetëm materiale, por edhe shpirtërore. Katolikët janë të ftuar të thonë një lutje të veçantë për mbarëvajtjen e vizitës papnore, ndërsa Kisha organizon një cikël katekezash mbi mësimet e Papës Françesku dhe mbi temën qendrore të vizitës, "Feja juaj u bëftë kultura juaj".

Logo e vizitës së Papës në Timorin Lindor
Logo e vizitës së Papës në Timorin Lindor

Lidhja ndërmjet fesë katolike, kulturës dhe historisë timoreze

Át Graciano Santos Barros, i cili shërben si Vikar i Përgjithshëm i kryedioqezës së Dilit, pohon për agjencinë Fides se motoja është ftesë drejtuar katolikëve timorezë që ta jetojnë fenë në harmoni me trashëgiminë e tyre kulturore. Meshtari vë në dukje se ajo është edhe kujtesë e lidhjes së ngushtë ndërmjet fesë katolike dhe dekadave të trazuara të pushtimit indonezian.

“Feja e ka shoqëruar çdo hap tonin, në vuajtje dhe në shpresë”, thekson ai. “Sot, 25 vjet pas referendumit për pavarësinë, mund ta shikojmë historinë me zemër të pajtuar, duke njohur në të veprën e Zotit, i cili ka ndriçuar mendjet dhe zemrat e njerëzve në shumë çaste vendimtare".

Historia e kësaj ish-kolonie portugeze, të ungjillëzuar në shekullin e 16-të ndërthuret ngushtë me Kishën, e cila luajti një rol të madh gjatë 25 viteve të luftës për vetëvendosje. Kisha u përpoq të qëndronte pranë popullit të vuajtur të Timorit Lindor, duke denoncuar mizoritë e kryera nga ushtria pushtuese indoneziane, ndërsa meshtarët punonin për paqen dhe pajtimin.

Roli kryesor i Kishës së Timorit Lindor në luftën për pavarësi

Emrat e ish-administratorëve apostolikë të Dilit, ipeshkvijve Martino Da Costa Lopes, Alberto Ricardo da Silva dhe Carlos Ximenes Belo, mbeten në kujtesën e popullit timorez. Impenjimi për të mbështetur luftën jo të dhunshme i dha ipeshkvit salezian Carlos Ximenes Belo Çmimin Nobel për Paqen në vitin 1996, të cilin e ndau me udhëheqësin e pavarësisë dhe presidentin e ardhshëm José Ramos Horta. Në atë kohë, një rol vendimtar luajtën edhe murgeshat, priftërinjtë, katekistët dhe rregulltarët, duke treguar afërsinë e tyre me njerëzit që vuanin.

"Ata ishin gjithmonë pranë, ata ndanë fatin e tyre me ne", pohon At Barros.

Katolikët përbëjnë 95% të popullsisë

Kjo afërsi dhe përkrahje ka sjellë rritjen e ndjeshme të numrit të katolikëve në Timorin Lindor, ku sot përbëjnë rreth 95 për qind të popullsisë së tij prej 1.4 milionë banorësh. Kjo tregon se si, “në kohë shtypjeje, feja ishte shtyllë themelore për njerëzit”, nënvizon At Barros. “Me zemër të hapur, njerëzit e Timorit Lindor e kuptuan dhe e përvetësuan se Ungjilli ishte e vetmja rrugë, i vetmi shpëtim: ata iu drejtuan Zotit, besuan tek Ai dhe Zoti ua dëgjoi lutjet, nuk i braktisi, por i udhëhoqi drejt tokës së tyre të premtuar”.

02 gusht 2024, 13:57