Kërko

 XIX Domenica Ordinaria - Anno B - Vangelo della Domenica - Gesù pane di vita XIX Domenica Ordinaria - Anno B - Vangelo della Domenica - Gesù pane di vita

Të meditojmë me Ungjillin e së Dielës XIX 'B': kush ha nga kjo bukë, jeton në amshim

“Më pranoni e hani”:/kaq na kërkon, o Jezus./Thjesht, do të thotë të besojmë në Ty,/në premtimet e tua, në dhuratën tënde./Ti na ofron diçka,/që shkon përtej çdo pritshmërie,/çdo imagjinate./Nuk është ushqim, që i zgjidh/problemet e sotme a të nesërme,.../Me këtë ushqim ti na hap/ mundësitë e jetës së pasosur,...

R.SH. - Vatikan

Jemi ne që e kërkojmë Zotin, apo është Ai, që na kërkon ne? Para se të fillojmë ta kërkojmë, Hyji na tërheq përmes Krishtit. Jeta e amshuar, që dëshirojmë, varet nga përgjigjja që i japim, nga besimi në Krishtin, që e gjejmë në Eukaristi. Këtë na mëson Ungjilli i së dielës XIX të vitit kishtar ‘B’, marrë nga kreu 6 i shën Gjonit. Le ta ndjekim…

41 Në atë kohë, judenjtë nynykatnin kundër tij pse tha: “Unë jam buka që zbriti prej qiellit”. 42 Ata thoshin: “Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit? Po, a nuk ia njohim babën e nënën? Si mund të thotë tani: ‘Kam zbritur prej qiellit?’” 43 Jezusi u përgjigj: “Mos nynykatni njëri me tjetrin! 44 Askush s’mund të vijë tek unë, po qe se Ati, që më dërgoi, nuk e tërheq. Atë unë do ta ringjall në ditën e fundit. 45 Profetët shkruan: ‘Të gjithë do të jenë nxënës të Hyjit’. Kushdo, pra e dëgjon Atin dhe e përvetëson mësimin e tij, vjen tek unë. 46 Kjo s’do të thotë se ndokush e pa Atin, përveç Atij që është te Hyji; vetëm Ai e pa Atin! 47 Përnjëmend, përnjëmend po ju them: ai që beson, ka jetën e pasosur. 48 Unë jam buka e jetës. 49 Etërit tuaj hëngrën mannën në shkreti dhe vdiqën. 50 Kjo është buka që zbret nga qielli: që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë. 51 Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim. E buka që unë do ta jap është korpi im - për jetën e botës”.

Të lutemi së bashku:

“Më pranoni e hani”:

kaq na kërkon, o Jezus.

Thjesht, do të thotë të besojmë në Ty,

në premtimet e tua, në dhuratën tënde.

 

Ti na ofron diçka,

që shkon përtej çdo pritshmërie,

çdo imagjinate.

Nuk është ushqim, që i zgjidh

problemet e sotme a të nesërme,

nuk është mbështetje, që na siguron

energjinë për të ecur pak më tej,

nuk është forcë e destinuar

të shuhet shpejt, për shkak të lodhjes.

 

Me këtë ushqim ti na hap

mundësitë e jetës së pasosur,

të një begatie pa kufi,

të një oqeani të pamatë

ku duhet të humbasim

si në një përqafim pa fund.

 

E gjithë kjo mund të ndodhë,

sepse Ti je Buka e gjallë,

sepse korpi yt u flijua në altarin e kryqit

për jetën e botës.

Sa herë afrohemi

në tryezën e Eukaristisë

Ti, o Zot, na afron pak

edhe me ditën e plotësimit të kohrave

e na bën të shijojmë që tani

pak nga ai gëzim i pashoq.

09 gusht 2024, 21:39