Assunzione Maria al cielo, Assunzione Maria al cielo,

Festa e Zojës së Ngjitur në Qiell, në përkim me ditët e prehjes

Më 15 gusht kremtohet solemniteti i të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Festë e kulmit të verës, e cila në lashtësi përkonte me tri ditë pushimi, në përfundim të të korrave. Tri ishin edhe ditët gjatë të cilave - sipas traditës - ndenji Zoja në varr, para se të Ngjitej në Qiell. Në ngjasim të Birit të Saj hyjnor. Termi Ferragosto, i shumëpërdorur nga italianët, rrjedh nga lokucioni latin feriae Augusti – pushim i gushtit - festë e themeluar nga Perandori August, në vitin 18 para Krishtit

R. SH. - Vatikan

Më 15 gusht Kisha katolike romake përkujton solemnitetin e të Ngjiturit të Zojës në Qiell. E me të, ëndrrën e ëndërruar nga njeriu, që kur nisi të mendonte për fillimin, e sidomos, për fundin e rrugës së tij mbi tokë! Prej këndej, në shumë vise të krishtera, pushohet për tri ditë. Në pritje të prehjes së amshuar, të “fjetjes”, si Zoja!

15 gushti, pra, na kujton se Virgjëra Mari e Papërlyer, e ruajtur nga mëkati i rrjedhshëm, pasi kreu udhën e jetës së saj tokësore, u ngjit në qiell. U pranua  në lumninë qiellore, me korp e me shpirt. E Zoti e lartoi me titullin Mbretëreshë e Universit, sepse është krijesa njerëzore, që përkon më shumë se të gjithë me Birin e saj, Zotin e zotëruesve e fitimtarin mbi  mëkatin e mbi vdekjen (Koncili II i Vatikanit, Lumen gentium, 59).

15 gushti na kujton se Zoja e Ngjitur në qiell - shkruhet në Mesharin Romak -  është fryt i parë i Kishës qiellore, shenjë ngushëllimi e shpresë e sigurt për kishën shtegtare. E kjo, sepse Nëna Krishtit e ngjitur në qiell, na parapriu të gjithëve! Por, nësa Ajo, e Papërlyera, u ngjit në qiell me korp e shpirt menjëherë pas vdekjes, ne duhet  të presim. Do të ngjallemi vetëm në mbarim të kohëve. Kur të nisë Gjyqi i Mbramë, universal.

Kujtojmë se ky solemnitet, që përkon edhe me natalis (vdekjen) e shenjtorëve të tjerë, është festa kryesore e Marisë Virgjër. 15 gushti na kujton edhe një Kishë të madhe, kushtuar Marisë, në Jeruzalem.

Të Ngjiturit e Zojës në qiell, quhet edhe feria Augusti

Në latinisht - August; në italisht - Ferragosto e a meta agosto; në anglisht - mitte August; në gjermanisht mid-August; në shqip – mesi i gushtit (tosk) a djegaguri (gegërisht)… 

Termi Ferragosto, i shumëpërdorur nga italianët, rrjedh nga lokucioni latin feriae Augusti  pushim i gushtit - festë e themeluar nga Perandori August, në vitin 18 para Krishtit, që i shtohen edhe festa të tjera të të nëntit muaj, si Vinalia rustica ose Consualia, për të kremtuar të korrat dhe përfundimin e punëve kryesore të bujqësisë. Përkon, pra, me festën e fshatrave tona, në përfundim të të korrave. Kur festohen frytet e punës tejet të rëndë të një viti të tërë. Me përhapjen e krishterimit, edhe në trojet shqiptare festa e të korrave, u shndërrua në atë të të Ngjiturit e Zojës në Qiell, festa më e rëndësishme e Marisë, aq e dashur për shqiptarët, jo vetëm katolikë!

Festë popullore që kremtohet njëkohësisht me festën fetare kushtuar Zojës së Ngjitur në qiell. Gjithnjë më 15 gusht, madje në shumicën e vendeve evropiane, gjatë tri ditëve të kulmit të gushtit. Festë e kaltër dhe e blertë, kur njerëzit ngarendin në gjirin e natyrës. E doemos, shoqërohet me ushqime të shijshme, të përgatitura pikërisht për këtë ditë, e me banjo ndër pishina, në det, në lumej a liqej. Nuk mungojnë as shëtitejt në male e kodra, në kërkim të freskisë, në një kohë kur vera vijon shtegtimin, duke arritur në kulmin e vapës!

Ferragushti nis të kremtohet që në Romën e lashtë, për të marrë, më pas, në krishterim, ngjyrime tejet prekëse fetare, me figurën e Virgjërës Mari, që ngjitet në qiell, në qendër të kremtimeve nëpër të gjitha Kishat e familjet e krishtera!

Festë e gjithanshme, kjo, në Kishë, në kulturën e masës, në muzikë, në kinema, në letërsi e, natyrisht, në kuzhinë, Në letërsi, po kujtojmë Alberto Moravian me “Scherzi di Ferragosto” (Shaka mesgushti, 1954). E në muzikë, Operën e mirënjohur lirike “Pagliacci”, vepër e kompozitorit napoletan Ruggero Leoncavallo. Devocion, Meshë, shëtitje, soditje e mrekulllive të natyrës, dhuratë e Zotit për njeriun!

14 gusht 2024, 10:10