Mesha e parë e Padre Pios para 114 vjetësh, në vendlindjen e tij Pietrelcina
R.SH. - Vatikan
Vendlindja e Padre Pios, Pietrelcina, feston sot, 14 gusht, një datë shumë domethënëse në historinë e Shenjtit dhe të besimtarëve të fratit kapuçin. Më 14 gusht 1910, Padre Pio kremtoi Meshën e parë në Kishën famullitare të Shën Marisë së Engjëjve, tani shenjtërorja dioqezane e Beneventos, kushtuar fratit të varrëve. Në të njëjtin altar sot pasdite, në orën 17.30, do të kryesohet një bashkëkremtim solemn eukaristik, kryesuar nga Felice Accrocca, kryeipeshkëv i Beneventos.
Padre Pio u shugurua meshtar katër ditë para datës së caktuar, në kapelën e kanonikëve të katedrales së Beneventos, në duart e imzot Paolo Schinosi-t, kryeipeshkëv titullar i Marcianopolit, që zëvendësonte ipeshkvin e qytetit, Imzot Benedetto Bonazzi, në atë kohë jashtë dioqezës. Në tri ditët e mëparshme prifti i ri, i cili do të njihej në mbarë botën si Padre Pio da Pietrelcina, pati kremtuar në mënyrë konfidenciale në kishën e vogël të Shën Anës, pranë vendlindjes së tij, në lagjen "Castiello". E njëjta kishë ku ishte pagëzuar, kishte marrë Kungimin e Parë dhe Sakramentin e Krezmimit.
Ai 14 gusht ishte festë e madhe në qytetin e vogël Samnit. E gjithë popullsia së bashku me bandën muzikore të qytetit, e shoqëroi fratin kapuçin deri në kishën e Shën Marisë së Engjëjve. Një festë në të cilën pati pranë famullitarin, Don Salvatore Pannullo - të cilin Padre Pio e quante me dashuri Zi' Tore - e Fra Agostinin da San Marco në Lamis, profesor i Teologjisë dhe ati i tij shpirtëror. Atë Agostini, në predikimin e tij, profetizoi se cili do të ishte roli i Atë Pios: "Ti nuk je shumë i shëndetshëm, ndaj nuk mund të jesh predikatar i madh, por po të uroj të jesh rrëfyes i madh dhe i zellshëm".
Urim profetik, i cili do të fillojë të realizohet pas pak vitesh. Atë Pio kishte kërkuar, pikërisht për arsye shëndetësore, të shugurohej prift që në moshën 23-vjeçare: ligji kanunor përcaktonte se për të qenë prift, duhej të ishe 24 vjeç.
Që nga ajo ditë, për Padre Pio-n mesha shenjte u bë zemra e meshtarisë: “Ai - shkruan Atë Gerardo De Flumeri, zëvendës postulator i çështjes së lumnimit dhe të kanonizimit të Padre Pios – e ushtroi shërbesën e tij në tre drejtime: kremtimi i Meshës së Shenjtë, sakramenti i rrëfimit, drejtimi i shpirtrave”. Çdo mëngjes kremtonte, para se të shkonte në Piana Romana, ku prindërit e fratit kishin një ngastër toke dhe ku frati më pas mori si dhuratë varrën e parë nën një dru vidhi, ku kishte dëshirë të lutej.