Nata e Të Ngjiturit të Zojës në Qiell. Në Marinë kundrojmë lumninë që na pret
R.SH. - Vatikan
Kisha katolike, nesër më 15 gusht, kremton solemnitetin e Të Ngjiturit të së Lumes Mari Virgjër në Qiell. Ky solemnitet i të Ngjiturit të Zojës në Qiell, festë e lashtë mariane, është tejet i dashur dhe i kremtuar nga besimtarët e krishterë kudo në botë.
Me rastin e këtij kremtimi, Kisha na fton të kundrojmë të vërtetën ngushëlluese të fesë, të Ngjiturit e Marisë Virgjër në Qiell me korp e me shpirt. Pas vuajtjes, vjen lavdia: shndërrim drejt të cilit shkon çdo njeri dhe mbarë gjithësia. Ajo, Maria nga e cila Zoti u mishërua, me shpirtin e shporuar nga shpata mbi Kalvar, qe e para që provoi misterin e këtij shndërrimi, drejt të cilit shkojmë të gjithë, edhe ne shpesh herë të shporuar nga shpatat e vuajtjeve të kësaj bote. Eva e re ndoqi pas Adamin e ri në vuajtje, në mundime e edhe në gëzimin përfundimtar.
Jezu Krishti është fryti i parë, por korpi i Tij i Ngjallur nuk mund të ndahet nga ai i Nënës së Tij tokësore, Marisë, e në Të, gjithë njerëzimi përfshihet në ngjitjen drejt Hyjit. Nuk është përrallë, por realitet, mister që i zbulohet të vegjëlve, sepse Zoti i bën krenarët ta ulin kokën, ndërsa i ngre lart të përvuajturit. Sigurisht nuk janë arsyetimet që na bëjnë t’i kuptojmë këto realitete kaq të larta, por feja e thjeshtë, e çiltër, e heshtja e uratës, që na ndihmon të flasim me Zotin e të ndjejmë sesi vetë Zoti i flet zemrës sonë. Një gjë e vetme është e nevojshme.
E kjo festë na kujton dhe na fton të kërkojmë gjërat kryesore, pa e humbur kurrë shpresën në Zotin përballë vështirësive të jetës. Të zënë me punët e përditshme, rrezikohemi të mendojmë se është këtu, në këtë botë, në të cilën jemi thjesht kalimtarë, qëllimi i fundmë i jetës njerëzore. Ndërsa është Parajsa caku i vërtetë i shtegtimit tonë tokësor. Sa të ndryshme do të ishin ditët tona, në se do të jetoheshin në këtë perspektivë.
Dëshmia e krishterë, pra, lind pikërisht nga të jetuarit e fesë në mënyrë të thjeshtë, si Maria. Përballë shfaqjes së trishtuar të gjithë këtij gëzimi kalimtar, shpesh edhe të rremë, e njëkohësisht të gjithë kësaj dhimbjeje plot ankth, që vërshon mbi botën, duhet të mësojmë nga Virgjëra Mari për t’u bërë shenja shprese e ngushëllimi e për ta kumtuar, me jetën tonë, Ngjalljen e Krishtit.
Në Librin e Zulesës së Shën Gjonit Apostull (Zb 11, 19; 12, 1-6.10) Kisha personifikohet me Marinë, që sulmohet nga një dragua i madh i kuq, simbol i pushtetit të perandorëve romakë antikristianë, që nga Neroni te Domiciani: pushtet që dukej i pakufizuar, pushtet ushtarak, ekonomik, politik, propagandistik. Përballë këtij pushteti feja, Kisha, dukej si një grua e pambrojtur, pa kurrfarë mundësie për të shpëtuar e aq më pak, për të fituar: e kush mund t’i kundërvihej një pushteti të tillë të gjithpranishëm, që dukej se mund të bënte gjithçka? E megjithatë e dimë se fitoi gruaja e pambrojtur, nuk fitoi egoizmi, as urrejtja; fitoi dashuria e Hyjit e Perandoria romake ia hapi dyert fesë së krishterë.
Duke u ngjitur në Qiell, Maria nuk u largua nga ne, e kemi edhe më pranë e drita e saj ndriçon jetën tonë dhe historinë e mbarë njerëzimit. Të gjithë,pra, kemi nevojë për ndihmën e saj e për ngushëllimin e saj, për të përballuar provat e sfidat e përditshme: kemi nevojë ta ndjejmë pranë si nënë e si motër në çdo çast të jetës sonë. E që të mund të kemi një ditë edhe ne përgjithmonë të njëjtin fat, t’i ngjasim tani, duke ecur në rrugën e Krishtit e të shërbimit bujar ndaj vëllezërve. Kjo është e vetmja mënyrë për ta parashijuar, në sa jemi akoma në shtegtimin tonë tokësor, gëzimin dhe paqen që e jeton plotësisht kush arrin në cakun e pamort të Parajsës. Prej këndej, Kisha kërkon ndërmjetësimin e Virgjërës për paqe në mbarë botën e për shërimin e njerëzimit nga pandemitë trupore e shpirtërore.