Kërko

 Porta di Brandeburgo, Berlino Porta di Brandeburgo, Berlino

Në Berlin, takimi ndërkombëtar i "Rinisë për Paqen"

Nga 27 deri më 29 gusht do të vijojë konferenca ndërkombëtare e lëvizjes rinore, e lidhur me Bashkësinë e Shën Egjidit. Priten një mijë pjesëmarrës, nga 13 vende evropiane, ndërmjet të cilëve, njëqind nga Ukraina, me synim përtëritjen së bashku "të angazhimit për t’i luftuar të gjitha format e dhunës dhe të racizmit".

R.SH. / Vatikan

"Miqësi globale, për një të ardhme paqësore": me këtë ëndërr rreth 1000 vajza dhe djem, studentë universiteti dhe shkollash të mesme, do të mblidhen nga 27 deri më 29 gusht në Berlin, për takimin ndërkombëtar titulluar "Rinia për Paqen". Priten rreth një mijë pjesëmarrës nga 13 vende evropiane, ndërmjet të cilave njëqind vetë nga Ukraina, me qëllim që të përtërijnë së bashku “angazhimin për t’iu kundërvënë çdo forme të dhunës e të racizmit”.

Njëqind të rinj nga Ukraina

“Të rinjtë për paqen”, lexojmë në njoftimin për shtyp që lajmëron ngjarjen, “është lëvizje e lidhur me Bashkësinë  e Shën Egjidit, e cila punon çdo ditë në periferi me fëmijët në vështirësi, të pastrehët, të moshuarit vetëm dhe me të tjerë. Në muajt e verës organizoi pushime solidariteti me refugjatët në kampet e Greqisë dhe të Qipros”. Nga Ukraina, ku komuniteti i Shën Egjidit vazhdon ta mbështesë popullatën me shpërndarjen e ushqimeve dhe furnizimeve mjekësore si dhe me drejtimin e qendrave arsimore për fëmijë e adoleshentë - gjithashtu falë mbështetjes së shumë refugjatëve, miq me Bashkësinë - në Kryeqytetin gjerman do të mbërrijnë rreth njëqind të rinj nga Kievi, Leopoli, Ivano-Frankivsk dhe Kharkiv.

Angazhim kundër dhunës dhe racizmit

Gjatë tri ditëve të takimit, pjesëmarrësit, siç thuhet në komunikatën e paraqitjes, "do t'i japin zë shpresave të brezit të tyre dhe do të diskutojnë tema të ndryshme - ekologji, migrim, varfëri - për të përhapur kulturën e paqes dhe të solidariteti në një qytet ku 35 vjet më parë u shemb një mur që “e bëri ëndrrën zhgjëndër”, për këtë arsye është “shenjë të madhe shprese për të ardhmen”.

Më tej, mëngjesin e 28 gushtit planifikohet një asamble me Marco Impagliazzo-n, kryetar i Bashkësisë  së Shën Egjidit, titulluar "Fitorja është në miqësi”, ndërsa pasdite të rinjtë do të jetojnë një çast përkujtimor në Memorialin e viktimave Sinti dhe Rom të Nacional Socializmit, pranë Portës së Brandenburgut, "që të përtërijnë angazhimin e tyre për t’i luftuar të gjitha format e dhunës dhe të racizmit".

27 gusht 2024, 08:50