Kërko

Festa Shenjtës Nënë Terezë, fillon Nëntëditëshi i lutjes

Sot fillon nëntëditëshi kushtuar përgatitjes shpirtërore për festën liturgjike të Shenjtës Nënë Terezës, që bie më 5 shtator.

R.SH./ Vatikan

Sot fillon nëntëditëshi kushtuar përgatitjes shpirtërore për festën liturgjike të Shenjtës Nënë Terezës, që bie më 5 shtator. Afrohet, pra, data e madhe e festës së Shenjtës Nënë Terezë Bojaxhiu, në kuadrin e së cilës, në të katër anët e botës shumëfishohen nismat, kremtimet, shtegtimet në drejtim të viseve më të dashura për Themeluesen e Motrave të Bamirësisë: në vendlindje, në Kishat që i deshi më shumë, në viset ku la jetën peng në duart e të varfërve më të varfër, për hir të një dashurie, që i kapërcen kufijtë e jetës e të vdekjes: dashurisë për Krishtin.

Nëntëditëshi, si përgatije shpirtërore për kremtimin e festës më 4 shtator të ardhshëm, nisi në të gjitha shtëpitë e motrave Misionare të Dashurisë, themeluar nga Nënë Tereza, në të katër anët e botës, në dioqezat e Kishat katolike në trevat shqiptare, në veçanti në Kosovë si dhe në ato vende ku të devotshmit e Shenjtes së bamirësisë vazhdojnë t'i lutën Zotit, me ndërmjetimin e Nënë Terezës, për të varfit e edhe për nevojat personale.

Çfarë është nëntëditëshi dhe si të lutemi?

Jezu Krishti na ka mësuar të lutemi. Ai u kërkoi apostujve që të përgatiteshin në lutje për ardhjen e Shpirtit Shenjt. Nga ky frymëzim lindi nëntëditëshi i lutjes së Rrëshajëve, gjatë të cilin kaluan nëntë ditë pritjeje. Gjatë atyre nëntë ditëve, një grup njerëzish u mblodhën me Marinë dhe apostujt. Historikisht, ky ishte nëntëditëshi i parë i krishterë i lutjes.

Doktrina e Kishës Katolike parashikon se shenjtorit dhe Virgjëra Mari "nuk pushojnë kurrë së ndërmjetësuari për ne tek Ati" dhe se "kujdesi i tyre vëllazëror është një ndihmë e madhe për sëmundjet tona" (Lumen gentium 49).

Nëntëditëshi kushtuar Shpirtit Shenjt është një traditë e lashtë e krishterë me të cilin Kisha i nxit besimtarët të përgatiten në mënyrën më të mirë të mundshme, gjatë nëntë ditëve para ditës së Rrëshajëve.

Lutja ime për secilin prej jush

“Lutja ime për secilin prej jush
është që ju të jeni vetëm të Jezusit nëpërmjet shën Marisë.
O Shën Mari, ma jep zemrën tënde kaq të mrekullueshme,
kaq të pastër, kaq të papërlyer,
zemrën tënde kaq të mbushur me dashuri e përvuajtëri
që të më bëjë të denjë ta marr në zemër Jezusin
me anë të Bukës së Jetës dhe ta dua atë ashtu si e do ti
dhe t’i shërbej atij në fytyrat e çpërfytyruara të të varfërve.
O Shën Mari, Nënë e Jezusit, bëhu Nëna ime tani.
O shën Mari, Nëna e Jezusit,
më ndihmo që të jem e pastër dhe e përvuajtur si Ti,
sepse dua të jem shenjte dhe e këndshme
për Trininë Shenjte, ashtu siç ishe, siç je Ti.
T’i kërkojmë Zojës sonë të na japë zemrën e saj,
kaq të papërlyer, kaq të pastër për ta dashur Jezusin
që të bëhemi të denjë për ta marrë Jezusin
nëpërmjet bukës së jetës
dhe pamjes së çpërfytyruar të të varfërve.
(Nënë Tereza)

Lutje e Nënë Terezës drejtuar Zemrës së Krishtit

O Jezus Hyjnor, ti që ke thënë:

“Kërko, e do të gjesh;

trokit - e do të të hapet”.

Sot, në gjunjë ndër këmbë tua

përplot me fe të gjallë

e me besim në premtimet

e dala nga Zemra jote;

shqiptuar nga buzët e adhuruara,

vijmë e ndihmë të kërkojmë ….

E kujt tjetër mund t’ia kërkojmë

o i dashuri Jezus, nëse jo Ty?

Nëse jo Zemrës sate,

gurrë e pashterrshme hiresh?

Ku ruhen të gjitha thesaret?

Prandaj vrapojmë drejt teje:

pse gjejmë ngushëllim e prehje,

strehë e forcë, hir e mbrojtje!

O Zot i mëshirës, ndihmën

kujt tjetër mund t’ia kërkojmë…

Por  sido t’na përgjigjesh

me mrekulli - a mohim,

pranë teje do të na kesh

me lutjen e zjarrtë gjithmonë:

Ti, Zemra e Zotit, denjoju

e pranoje zemrën tonë!

27 gusht 2024, 18:30