NICARAGUA NICARAGUA

Nikaragua: 870 sulme kundër Kishës së persekutuar në gjashtë vjet

Avokatja dhe aktivistja Martha Patricia Molina, nga Shtetet e Bashkuara, ku është në internim, vazhdon të mbledhë të dhëna për shpërdorimet e kryera nga regjimi Ortega dhe Murillo kundër priftërinjve, besimtarëve dhe aktiviteteve bamirëse.

R.SH. / Vatikan

Një persekutim, që të zë frymën, që vijon, që nuk e di ç’është mëshira! Nëse dikush mund të kishte menduar se, pas "deportimit" të atij, që ishte bërë gjemb në këmbë të regjimit, Ipeshkvit Rolando Álvarez, presidenti Daniel Ortega dhe zëvendës- presidentja “bashkëshorte" Rosario Murillo do të lehtësonin kontrollin e tyre mbi Kishën Katolike të Nikaraguas, faktet flasin ndryshe! E  thonë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe, në veçanti, numri i priftërinjve dhe besimtarëve që nuk jetojnë më në vendin e tyre po rritet, si për shkak të internimit me dhunë, ashtu edhe për zgjedhjen e tyre të lirë. Bëhet fjalë për 245 persona, përfshirë ipeshkvij, priftërinj, diakonë, seminaristë dhe rregulltarë.

E pohojnë shifrat e mbledhura në një botim të ri, i pesti, të raportit "Kisha e persekutuar në Nikaragua", paraqitur më 15 gushtin e kaluar nga avokatja dhe aktivistja Martha Patricia Molina, e cila nga Shtetet e Bashkuara, ku jeton në mërgim, ruan një rrjet komunikimi të rreptë dhe konfidencial me vendin e origjinës. Raporti numëron 870 sulme kundër Kishës Katolike të Nikaraguas, në forma nga më të ndryshmet, nga prilli 2018, kur nisën demonstratat popullore kundër qeverisë së Ortegës, që më pas u shtypën ashpër, deri në fillim të korrikut 2024.

Këto janë fakte të renditura një nga një dhe të verifikuara nga autorja, ndarë në kategori të ndryshme. 313 janë pengesat dhe kërcënimet kundër priftërinjve dhe rregulltarëve, duke përfshirë arrestimet, gjyqet dhe dëbimet; 219 sulmet, "rrethimet", ndalimet në kishat dhe strukturat fetare; 95 vjedhje dhe dhunime; 91 episode kërcënimesh dhe dënimesh kundër besimtarëve laikë; 86 shkrime dhe mesazhe  urrejtjeje; 47 mbyllje të mediave masive ose projekteve dhe veprave bamirëse, me rreth 14 kongregacione fetare që u detyruan të ndërpresin aktivitetet e tyre në vend; 19 konfiskime që përfshijnë prona të lidhura me Kishën. Për të mos përmendur 9688 procesionet në hapësirat publike, të ndaluara nga policia, sidomos, gjatë Javës së Madhe. Ritet që bëhen brenda kishave, herë lejohen e herë anulohen. E autorja thekson se duke pasur parasysh klimën e terrorit që rri pezull mbi vend, sigurisht që ka pasur edhe episode të tjera, të cilat nuk janë bërë të njohura.

Në vitin 2024 pati 92 akte armiqësie në pak më shumë se gjashtë muaj.

Viti me numrin më të madh të sulmeve kundër Kishës ishte 2023-shi, me 307 sulme, i ndjekur nga viti 2022, me 171 dhe 2018, me 92. Gjatë gjashtë muajve të parë të 2024, sulmet ishin 92, duke pasur parasysh se shifrat nuk përfshijnë kallëzimin mbresëlënës të javëve të fundit. Molina thekson: “Shifra e vitit 2024 është e përafërt, sepse ka pasur sulme të cilat, për shkak të natyrës së tyre, (grabitje, dhunime, kërcënime me vdekje, shtytje, ndër të tjera), nuk janë raportuar nga priftërinjtë, sepse Kisha në Nikaragua aktualisht jeton në një heshtje të imponuar, me shpresën se diktatura sandiniste do ta pushojë plotësisht persekutimin ose do të ndryshojë qëndrimin e saj agresiv. Megjithatë, provat tregojnë se edhe nëse njerëzit shmangin raportimin e shkeljeve të të drejtave të lirisë fetare, sulmet vazhdojnë të kryhen”.

Të dhëna të tjera tronditëse kundër fesë

Raporti shënon edhe episodet e armiqësisë në nivel territorial, duke regjistruar 294 raste të ndodhura në territorin e kryeipeshkvnisë së Managua-s dhe 162 në dioqezën e Matagalpa-s, të udhëhequra nga Imzot Alvarez. 162 kanë të bëjnë me Kishën Nikaraguane në tërësi, 72 me dioqezën e Estelí, 67 me atë të Granadës dhe 56, atë të Leonit. Ndërmjet 245 besimtarëve të mërguar, të përmendur, përveç nuncit apostolik, janë edhe 3 ipeshkvij nikaraguanë, 136 priftërinj, 3 diakonë, 11 seminaristë dhe 91 rregulltare. Në dy vitet e fundit ka pasur një numër në rritje të rregulltarëve të dëbuar ose të internuar; ishin pak në vitin 2021, 24, në vitin 2022; 64 në 2023, ndërsa në 2024 kanë arritur në 50.

Në Matagalpa, "rezistojnë" ende 13 priftërinj, nga 71 që ishin. Gjatë takimit të paraqitjes, nuk mungon edhe një shtojcë, që vijon të vërë theksin mbi aktualitetin, duke qenë se muaji gusht 2024 ka parë një rritje të re përndjekjesh ndërmjet 26 korrikut e 2 gushtit: në këtë kohë  “u kapen” 12 priftërinj; më 7 gusht, 7 priftërinj u internuan në Vatikan; ndërmjet 10 dhe 11 gushtit, 2 priftërinj u arrestuan arbitrarisht; 13 laikë katolikë u rrëmbyen dhe u burgosën. Më 12 gusht, Ministria e Brendshme anuloi statusin ligjor të Shoqatës Caritas dioqezan të Matagalpës dhe 6 organizatave të tjera fetare ungjillore. Molina shpreh shqetësim të veçantë për dioqezën e Matagalpës, ipeshkvi i së cilës, zyrtarisht, është ende Imzot Álvarez. "Ankth” i vërtetë për regjimin e Ortegës, po të kemi parasysh se "kleri i Matagalpës para fillimit të persekutimit kishte 71 priftërinj dioqezanë dhe rregulltarë. Aktualisht, në Matagalpa janë të pranishëm 13 priftërinj, të tjerët janë internuar. 9 rregulltarë ndihmojnë 615,685 besimtarë të pagëzuar, të shpërndarë në 6,804 kilometra katrore”.

Deklaratat e lëshuara nga Molina para një arrestimi të mëtejshëm, më 15 gusht, atij të meshtarit të ri Danny García, gjithashtu nga Matagalpa, vijojnë të jenë shqetësuese: "Disa ipeshkvij po mendojnë të dërgojnë priftërinj në një mision në dioqezën e Matagalpas, por të interesuarit kanë frikë ta pranojnë këtë shërbim, sepse bien në sy të policisë dhe të diktaturës së Ortega Murillos dhe mund të arrestohen vetëm sepse kanë mbështetur këtë dioqezë”, shtoi Molina gjatë takimit prezantues.

Priftërinj të rinj në Managua dhe León.

Gjithnjë e më shumë, Kisha e Nikaraguas ka pamjen e kishës së heshtimit, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, siç është ajo e fundit nga Komisioni Ndër-Amerikan për të Drejtat e Njeriut. Studiuesi mban qëndrim kritik dhe të dhimbshëm përballë heshtjes së “zgjedhur” nga pjesë të mëdha të hierarkisë kishtare të vendit. Denoncimi i guximshëm dhe heshtja për të shmangur "të këqijat më të mëdha" janë rrugët që ka zgjedhur Kisha e përndjekur! Dhe është gjithmonë një zgjedhje e mprehtë. Shenja të vogla shprese vijnë nga kryeipeshkvia e Managua-s dhe dioqeza e Leonit. Leopoldo Brenes shuguroi 16 priftërinj të rinj, të premten më 16 gusht, pasi ndoqën seminaret La Purísima dhe Redentoris Mater "Nuestra Señora de Guadalupe". Një ditë më parë, e enjte më 15 gusht, ipeshkvi i Leonit, Imzot Sócrate René Sándigo Jirón, shuguroi tetë priftërinj të rinj.

19 gusht 2024, 15:45