Nikaragua, dy meshtarë të tjerë të arrestuar në Matagalpa dhe Estelì
R.SH. – Vatikan
Fundjavën e kaluar në Nikaragua, siç njoftohet nga media e pavarur, u arrestuan dy meshtarë të tjerë dhe një bashkëpunëtore baritore, në vazhdën e burgosjeve, nga të cilat po vuan prej kohësh Kisha Katolike në vend. Të shtunën më 10 gusht, u arrestuan Át Leonel Balmaceda, famullitar i kishës kushtuar Jezu Krishtit të Bamirësisë në komunën La Trinidad, në Estelí dhe bashkëpunëtorja baritore e Matagalpës, Carmen Sáenz. Ndërkaq, Denis Martínez, vikar i famullisë së katedrales së Matagalpës, u arrestua nga policia të dielën.
OKB: të respektohet liria fetare
Kujtojmë se më 8 gusht, shtatë meshtarë nikaraguanë u dëbuan nga vendi, për të mbërritur në Romë. Zyra e Komisariatit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) pati shprehur kënaqësinë për lirimin e tyre në platformën sociale X, por, njëkohësisht, pati kërkuar t’u jepen fund menjëherë të gjitha “shkeljeve të lirisë fetare”.