Nikaragua: i hiqet personaliteti juridik Karitasit të Matagalpa-s

Me një dispozitë të zyrtarizuar dje, më 12 gusht, Ministria e Brendshme ua hoqi njohjen nga shteti edhe 14 OJQ-ve të tjera në dioqezën, ku ditët e fundit ka pasur një sërë arrestimesh dhe dëbimesh të meshtarëve. Pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të organizatave do t'i kalojnë shtetit

R.SH. – Vatikan

         Ministria e Brendshme e Nikaraguas i hoqi personalitetin juridik Karitasit Dioqezan të Matagalpës, një nga tetë degët e Cáritas de Nikaragua, si edhe 14 OJQ-ve të tjera, nëntë prej të cilave përmes së ashtuquajturës “shpërbërje vullnetare”. Masa u miratua në Managua nga Ministrja e Brendshme, María Amelia Coronel, sipas dy marrëveshjeve të botuara në Gaceta, Gazeta Zyrtare e Nikaraguas, më 12 gusht.

Vepra e Karitasit

Karitasi i Matagalpës funksiononte si qendër e ndihmës sociale e administruar nga Kisha Katolike. Regjistruar më 26 mars 2009, vitet e fundit ai ka promovuar "zhvillimin e bashkësive më të largëta në departamentin e Matagalpës, duke u dhënë përparësi shtresave më të varfra të popullsisë dhe atyre pa infrastrukturë bazë, në shëndetësi dhe arsim", siç nënvizohet në rrjetet shoqërore zyrtare të organizatës. Heqja e personalitetit juridik për Karitasin ndodh në një kontekst tensioni në Matagalpa, ku javët e fundit janë arrestuar e dëbuar një sërë meshtarësh.

Motivimet e Ministrisë së Brendshme

Sipas deklaratës së Ministrisë së Brendshme, dispozita kundër Karitasit motivohet nga një “mospërputhje” dokumentesh, pasi organizata nuk ka paraqitur pasqyrat financiare për periudhën 2020-2023 dhe se Këshillit Drejtues i ka skaduar mandati më 27 shtator 2022. Të gjitha pasuritë e luajtshme e të paluajtshme të Karitasit dhe të organizatave të tjera do t'i kalojnë tani shtetit të Nikaraguas. Pas këtij vendimi, numri i organizatave joqeveritare të ndaluara nga qeveria nga dhjetori 2018 e deri më sot shkon në mbi 3600. Ndërkohë, disa media nikaraguane raportojnë edhe për një operacion të dyshimtë policor në katedralen e Matagalpës: oficerë me rroba civile hynë në kishë, rrëmbyen personelin administrativ dhe kërcënuan se do të dëbonin klerin nga vendi.

13 gusht 2024, 16:25